Gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së Thaçi dhe të tjerët pritet të nisë në muajin prill
Gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi pritet të nisë në muajin prill.
Kjo është bërë e ditur të mërkurën në konferencën përgatitore të Zyrës së Prokurorit të Specilizuar.
Megjithëse ishte paraparë data 3 mars, Prokuroria dhe avokatët janë pajtuar që të shtyhet për datën 3 prill 2023.
Shkak për shtyerjen e seancës ishin sallat e zëna dhe se duhej kohë më shumë për t`u përgatitur.
Gjatë konferencës së sotme, Prokuroria ka kërkuar rreth 600 orë për paraqitjen e provave. Kjo nënkupton një proces të gjatë i cili përfshin fundin e vitit 2024 apo fillimin e vitit 2025.
Kurse për mbrotjen gjykimi i tejzgjatur u konsiderua si armik i drejtësisë dhe cenim i të drejtave të të akuzuarve.
Avokati Emmerson tutje përshkroi se kjo çështje është dy herë e gjysmë më e madhe se sa rasti Millosheviq.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.
Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 10 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK