Kryetari i akuzuar i Federatës së Atletikës: Një javë mund të flas për nënçmimin që më ka bërë Prokuroria

Halil Sylejmani, kryetar i Federatës së Atletikës në Kosovë, i cili  akuzohet se nuk ka lajmëruar veprat penale që ishin kryer në Federatë sot dha fjalën përfundimtare.

Prokuroja e shtetit, Merrushe Llugiqi kishte përgatitur me shkrim fjalën përfundimtare ndërsa gjatë elaborimit me gojë deklaroi se pas administrimit të provave materiale në seancat e shqyrtimit gjyqësor si dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve, vërtetohet se i akuzuari është fajtor për kryerjen e veprës penale e cila i vihet në barrë. Ajo kërkoi që gjykata ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë dënimin e merituar në bazë të ligjit.

I akuzuari Halil Sylejmani, në fjalën përfundimtare deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor asnjëri nga dëshmitarët nuk kanë përmendur që unë kam ditur për një çështje e cila nuk është detyrë e imja.

“Organizimi në Federatën Atletike të Kosovës si OJQ, ka aktet e saja normative që e rregullojnë çështjet për të cilat punojmë, FAK ka organet e saja si Kuvendin, Kryetarin, mbi 10 Komisione ku secili prej këtyre organeve me përgjegjësi më të madhe morale se penale s`ka hiq i kryen punët e veta. Por prokuroria nuk do ta kuptojë dhe dëshiron që të njollosë figurën time edhe pse asnjëherë nuk kanë mundësi as s`kanë pasur as s`do të kenë”, tha ai.

I akuzuari Sylejmani tutje tha se “nëse e kam ditë unë e kanë ditë edhe 40 vetë, por kjo është absolutisht e pavërtetë, mund të flas një javë për nënçmimin që ma ka bërë prokuroria. Por kërkoj nga gjykata që të marrë vendim që t`i hedhë akuzat që janë jo profesionale, tendencioze, të pabazuara, kërkoj nga ju të më lironi nga këto peripeci të ushtruara ndaj meje pa kurrfarë baze ligjore”.

Në bazë të aktakuzës,  në qershor të vitit 2015, Ministria e Kulturës kishte nënshkruar një memorandum për të ndihmuar financiarisht Federatën e Atletikës dhe sporteve në vlerë prej 6,522.00 euro të cilat mjete kanë qenë të destinuara për Klubin “Rogana” nga Kamenica për zhvillimin e garave sportive në Belgjikë.

Fatlum Graiçevci dhe Abdurrahman Shkodra edhe pse kanë qenë në dijeni që shpenzimet për këtë projekt janë mbuluar nga një bashkatdhetarë, kanë përpiluar raporte të rrejshme duke përdorur si dëshmi mbi shpenzimet me fatura fiktive, me qëllim që këto mjete të mos kthehen në Ministrinë e Kulturës dhe Sportit por të mbesin në Federatën e Atletikës së Kosovës.

Ndërsa Kryetari i Federatës së Atletikës në Kosovë, Halil Sylejmani, akuzohet se nuk e ka lajmëruar veprën penale edhe pse ka qenë në dijeni për të.

Shpallja e vendimit do të bëhet të hënën  me datën 29.07.2019 në ora 09:45.

Ky rast është monitoruar në vazhdimësi nga Kallxo.com

https://kallxo.com/kryetari-i-federates-se-atletikes-i-akuzuar-se-nuk-lajmeroi-faturat-fiktive/

.