I akuzuari Fidan Cakolli - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i 11 personave për hedhjen e granatave në lokalet “Riza Hair Salon” dhe "Missini", gjyqtarja e përjashton nga seanca njërin të akuzuar

I akuzuari për krim të organizuar dhe për veprën tjetër penale – veprime përgatitore për vrasje të rëndë, Fidan Cakolli, në seancën e sotme i është drejtuar gjyqtares të Departamentit Special me fjalët: “A je mirë zonja Gjyqtare?”.

Këto fjalë të tij kanë shtyrë gjyqtaren Suzana Qerkini, e cila gjykon rastin e hedhjes së granatave të dorës në lokalin “Riza Hair Salon” dhe “Missini”, që të përjashtojë nga seanca të akuzuarin Cakolli.

Reagimi i Cakollit dhe të akuzuarve të tjerë ka ardhur pasi gjyqtarja e rastit caktoi seancën për muajin mars të këtij viti pasi që refuzoi kërkesën e disa prej mbrojtësve për zëvendësim të masës së paraburgimit për të akuzuarit.

Të bashkakuzuar me Cakollin për këtë rast janë edhe Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli.

Ata po akuzohen për veprat penale – veprime përgatitore për vrasje të rëndë, pjesëmarrje në grup kriminal, detyrim, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm e vepra të ngjashme.

Në seancën e mbajtur sot rrëfimet e tyre lidhur me rastin i dhanë katër dëshmitarë të Prokurorisë, në mesin e tyre Astrit Misini, njëri nga pronarët e lokalit “Missini”, e Bujar Istrefi, menaxheri i kompanisë së Misinit.

Astrit Misini tha se kishte kuptuar që tashmë i akuzuari Arianit Pllana përmes Bujar Istrefit kishte kërkuar 10 mijë euro për të akuzuarin tjetër Lundrim Beqiri.

Sipas dëshmitarit Misini, kërkesa e të akuzuarve ishte  refuzuar e pastaj kishte ndodhur rasti i shpërthimit të lokalit.

“Në një mesazh nga Arianiti thotë, “mirë nga tani e tutje ne nuk do të kemi përgjegjësi për biznesin e “Missinit” ”- tha Misini t’i ketë thënë i pandehuri Lundrim Beqiri dëshmitarit Bujar Istrefi.

Sipas dëshmitarit Misini, nga veprimet e të akuzuarve ndjehen të dëmtuar por nuk do të parashtrojnë kërkesë pasurore juridike.

Pas pronarit të kompanisë, dëshminë e tij e filloi menaxheri i lokalit, i cili punonte në “Missini” që nga viti 2014 deri në shkurt të vitit 2022, Bujar Istrefi.

“Arianiti m’u ka shfaqë edhe ma ka kërku ni takim veç unë edhe ai, në muajin maj, edhe normal që unë jam kanë ni kohë i nxanun edhe e kam gjetë një kohë që muj me bisedu me të, me këqyrë çfarë halli ka. Komunikimin e kem zhvillu me Snapchat, kam dal me kerr tem te Palestra Sportive “Minatori”, kemi hypë në kerr e kemi bo ni xhiro, kemi bisedu për hallet e njëri-tjetrit, në ndërkohë me ka thanë: “Duhesh me na kry një punë”. Ju kam thanë: ‘Urdhëro!’. M’ka thanë: “Me këqyrë te shefi yt me na huazu 10 mijë euro”. Normal që i kam thanë: “Shumë është e sikletshme për mu se s’m’ka ndodhë me i lyp pare për dikon tjetër. M’ka thanë: “Ti veç qet punë kryna se po na duhen”. Normal që ju kam thanë: “Nuk jam mjaftueshëm i përgatitur” dhe jam mundu me shmang si temë, edhe si rast” – tha Istrefi.

Istrefi tha se kërkesa për 10 mijë euro që i ishte bërë atij nuk ishte bërë në mënyrë kërcënuese ose diçka të tillë.

Seanca tutje vazhdoi me dëgjimin e dy dëshmitarëve, të cilët gjendeshin në masën e paraburgimit si të pandehur për grabitje, e cila nuk ka të bëjë më këtë rast, Engjull Voca, dhe Egzon Salihu.

Voca në shumicën e pyetjeve të Prokurorisë u ballafaqua me dëshmitë e tij të dhëna në Polici pasi që, sipas prokurorit Burim Qerkini, kishin shpërputhje me ato që deklaroheshin në seancë nga dëshmitari.

Voca duke u përgjigjur në pyetjet e Qerkinit tha se kishte vizituar tashmë të akuzuarin Lundrim Beqiri derisa ai gjendej në arrati.

“Dëshmitari: Dy-tri herë. Prokurori: “A e ke vizitu në Prishtinë?” Dëshmitari: “Po””.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, moslajmërimi i veprës apo personave që kanë kryer veprën penale paraqet vepër penale.

Voca tha se nuk ishte në dijeni se disa prej të akuzuarve kishin nofka, por pas ballafaqimit që i bëri prokurori për deklarimin e tij të dhënë në Polici, dëshmitari u përgjigj që emërtimi “Haver” nuk ishte nofkë dhe përdoret nga të rinjtë gjithnjë.

“Prokurori: Te pyetja e katërt në deklaratën në Polici, t’u ka bo një pyetje: “Cilat janë nofkat e Lundrimit?” Ju keni thënë: “’Londra’, ‘Haveri’ etj.”. Dëshmitari: Kjo ‘Haveri’ nuk është nofkë, krejt të rinjtë e përdorin “Haver”- u përgjigj dëshmitari.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, në mesin e vitit 2022, të akuzuarit me veprimet e tyre kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit për përfitime pasurore të kundërligjshme apo për qëllime të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Arianit Pllana më 6 qershor të vitit 2022 ka marrë urdhër-detyrë nga ai pandehuri Lundrim Beqiri, i njohur me nofkën “Haveri”, që për qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm t’ia hedhë një granatë dore te lokali i të dëmtuarit “Missini” me qëllim që i njëjti t’i paguajë shumën prej 10 mijë euro, ku në të njëjtën ditë i është hedhur granata e dorës por që nuk ka pasur pasojë në njerëz por ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Kurse më 18 qershor të vitit 2022 të pandehurit Fidan Cakolli e Diar Raçi kanë marrë detyrën nga i pandehuri Adhurim Krasniqi, Bekë Salihaj dhe Valdrin Beqiri që për motive të ulëta, përfshirë dhënien e dëshmisë në një procedurë penale nga (Riza Bajrami), më 19 qershor të hedhin mjete shpërthyese te lokali i tani të dëmtuarit Riza Bajrami (në këtë rast) i cili është pronar i biznesit “ Riza Hair Salon”. Të njëjtit kanë hedhur koktej molotovi.

Më 20 qershor të po këtij viti, i akuzuari Arianit Pllana kishte marrë përsipër detyrën nga Valdrin Beqiri dhe Adhurim Krasniqi, që ta privojnë nga jeta Riza Bajramin, me ç’rast kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore duke siguruar mjetet për ta përfunduar vrasjen (e cila kishte dështuar më 19 qershor 2022). Vrasja ishte parandaluar që të kryhet pas veprimeve dhe masave të fshehta që kishte ndërmarrë Policia.

Aktakuza shpjegon tutje se më 22 qershor të vitit 2022, të pandehurit Fidan Cakolli, Diar Raçi dhe Gentrit Ismajli kanë ndërmarrë veprimin e sulmit të dytë me granatë dorë te lokali i njëjtë i të dëmtuarit Riza Bajrami në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Granatën e dorës në sulmin e dytë e ka hedhur Gentrit Ismajli dhe bashkë më të kishte qenë edhe i akuzuari Diar Raçi. Dëme në njerëz nuk ka pasur përpos në tri makina. Ismajli së bashku me Fidan Cakollin dhe Diar Raçin urdhrat i kishin marrë nga i pandehuri Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi dhe Vladrin Beqiri. Granata e dorës ishte siguruar nga Fidan Canolli përmes të pandehurit Adnan Murtezi. Roli i Cakollit ka qenë që të vërtetojë se si ka ndodhur sulmi me video-incizim të vendit ë ngjarjes. Video e cila do t’i dërgohej të akuzuarit Adhurim Krasniqi.

Ndërsa, sipas aktakuzës, roli i Adnan  Murtezit ishte që pas komunikimit me të pandehurin Adhurim Krasniqi dhe Valdet Beqiri që pas sigurimit të granatës së dorës për të pandehurit e tjerë do të kryente edhe pagesën për ekzekutorët e sulmit.

Kurse i pandehuri Lundrim Beqiri më 28.6.2023 pas dështimit të sulmit të datës 6.6.2022 te lokali “Missini”, përsëri u ka dhënë urdhër personave të tjerë që të hidhet përsëri granatë dore te lokali e që qëllim ishte të detyrojnë pronarin të paguajë shumën prej 10 mijë euro.

Sipas aktakuzës, sulmi në këtë lokal ka ndodhur dy herë, më 6.6.2022 dhe më 28.6.2022.

Për këto veprime të pandehurit akuzohen për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, veprime përgatitore për veprën penale vrasje e rëndë dhe shkaktim i rrezikimit të përgjithshëm si dhe detyrim.

Për deklarim të rremë është i akuzuar Arianit Pllana, ashtu që i njëjti më 16.11.2018 në zyrat e Prokurorisë së Shtetit ka dhënë dëshmi të rreme në një procedurë tjetër penale. Bëhet fjalë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke përfshirë të akuzuarin Nedelko Spasojeviq se kinse të njëjtin e ka parë më 15.1.2018 në vendin ku ishte gjetur vetura e djegur “Astra”, e cila dyshohet se ishte përdorur në kryerjen e veprës penale. Pllana e kishte konfirmuar këtë edhe në procesverbalin e identifikimit të mbajtur nga Policia e Kosovës, edhe pse e ka ditur se në të njëjtën datë 15.1.2018 nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes por i njëjti ka qenë nën masën e paraburgimit në qendrën e paraburgimit në Pejë. I njëjti në seancën dëgjimore më 27.5.2022 para trupit gjykues ka pranuar se nuk ka dëshmuar të vërteten me arsyetimin se ka qenë nën masën e paraburgimit në kohën kur ka dëshmuar për atë rast.

Lundrim Beqiri akuzohet edhe për posedim të narkotikëve.