Foto: Aulona Alaj- KALLXO "Stenta 2" (31.5.2023)

Njëqind ditë nga shpallja e rastit Stenta 2, aktgjykimi akoma nuk është përpiluar

Rasti “Stenta 2” mori epilog në shkallë të parë në shtator të këtij viti ku u liruan 36 kardiologë nga akuzat se kishin udhëzuar pacientët që kërkonin trajtim në Spitalin e Shtetit, që të njëjtat trajtime t’i kryejnë në Spitalet Private.

Edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga shpallja për rastin voluminoz, gjyqtarja e rastit Suzana Qerkini ende nuk ka përfunduar përpilimin e aktgjykimit duke tejkaluar kështu të gjitha afatet e parapara ligjore.

Kujtojmë se legjislacioni procedural penal i Kosovës parasheh afatin prej 30 ditësh për përpilimin e aktgjykimeve nga dita e shpalljes. Ndërkaq, afati maksimal për përpilim mund të shtyhet derë në 60 ditë.

Kështu, në rastin konkret ky afat është tejkaluar për 40 ditë, mbi dyfishi i afatit bazë.

Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, janë liruar nga akuza për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, pasi që nuk është provuar kryerja e veprës penale.

Ndersa Gani Bajraktari, Nehat Rexhepi, Agim Krasniqi, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Hamza Selmani, Halim Halili, Banush Gashi, Agron Leka, Agron Besimi, Hajdin Qitaku, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Besim Guda, Bajram Preteni, Faik Shatri, Ismajl Avdimehaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmani, Sali Shala dhe Luan Pazhari, të akuzuar për pikën e dytë të aktakuzës u liruan nga akuza për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe për marrje ryshfeti.

Pas më shumë se 7 vite gjykim, dëgjim të dëshmitarëve, dështim e mbajtje të një numri të konsideruar të seancave gjyqësorë, gjykata në përbërje prej Suzana Qerkini- kryetare e trupit gjykues, Mentor Bajraktari dhe Lutfi Shala- anëtarë, në mungesë të provave, mori aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve.

Aktakuza për këtë rast është ngritur mbi 7 vite më parë, saktësisht në vitin 2016 ndërsa që atëherë rasti është ndarë në tri pjesë.

Historikun e plotë të rastit ‘Stenta 2’ mund ta gjeni në këtë LINK.