'Zona ekonomike e Malishevës', avokatët dhe të akuzuarit kundërshtojnë provat e prokurorisë
Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begajt po vjen drejt fundit. Në këtë rast, pos Begajt të akuzuar janë edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Krasniqi, Faton Thaçi dhe Ahmet Rrahmanaj.
Të njëjtit po akuzohen për veprën penale të keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancën e së hënës më 25.03.2024 përfundoi faza e kundërshtimit dhe propozimeve për prova.
Në seancën e datës 27.03.2024 pritet që të akuzuarit të japin mbrojtjen e tyre lidhur me akuzat e prokurorisë, ku më tutje do të elaborohen edhe fjalët përfundimtare deri në shpalljen e aktgjykimit.
Mbrojtësi i Begajt, Rrahman Kastrati kundërshtoi provat e prokurorisë duke thënë se asnjë nga provat e propozuara nga prokuroria nuk e ngarkojnë të mbrojturin e tij në këtë çështje penale.
“Përfundimisht të gjitha provat, asnjë nga prova qëtu nuk është qitu që ka ndonjë element të ndonjë vepre penale, cilado qoftë ajo, e fare fare për veprën për të cilën akuzohet Begaj. Me këto prova vetëm i kemi mundu personat që janë këtu”- tha avokati Kastrati.
Kastrati kishte kritika për veprimet e prokurorisë karshi të mbrojturit të vet, veprime me të cilat Begaj ishte gjendur në masa të fshehta të përgjimeve telefonike.
Avokati Kastrati tha se në mbi 10 orë përgjime që i ka bërë prokuroria nuk janë selektuar pjesët që kanë të bëjnë më objektin e akuzës por që kanë përfshirë edhe incizime që janë cilësuar sipas tij private.
Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Hajdin Berisha, avokati Haki Kryeziu tha se e vetmja provë e prokurorisë që inkriminon të mbrojturin e tij është nënshkrimi i Berishës në kërkesën për inicimin e themelimit të ‘Zonës ekonomike.’ Kjo kërkesë sipas avokatit ishte nënshkruar nga klienti i tij pas kërkesës që kishte nga kryetari Begaj.
Tutje Kryeziu shtoi se nuk ka prova që e inkriminojnë të mbrojturin e tij në këtë çështje penale.
Deklarimeve se nuk kanë prova inkriminuese ndaj të mbrojturve të tyre u deklaruan avokatët e të akuzuarve të tjerë në këtë procedurë.
Me të filluar seanca Gjyqësore, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli njoftoi të pranishmit që gjykimi do të fillojë rishtasi për shkak se është bërë ndërrimi i njërit anëtar të trupit gjykues.
Deri më tani trupi gjykues përbëhej nga Vesel Ismajli- kryetar, Violeta Namani dhe Suzana Qerkini- anëtarë, me ndryshimin e ri, vendin e Qerkinit do ta zë gjyqtari Rrahman Beqiri.
Në këtë rast si dëshmitar ishte dëgjuar ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj në seancën e 25.07.2023.
Ndërsa dëshmi në këtë proces gjyqësor kishte dhënë edhe Abelard Tahiri në cilësinë e ish-ministrit të Drejtësisë në seancën e datës 23.11.2022.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaçi, dhe Ahmet Rrahmanaj.
Sipas dosjes së prokurorisë Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria pretendon se e kanë bërë në atë mënyrë që si persona zyrtarë kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.
Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave në atë mënyrë që duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale i ka transferuar dhe tentuar që t’i transferojë me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani atë kohe, në një mbledhje të Qeverisë kishte propozuar kolegëve në kabinetin qeveritarë një pikë e cila pritej t’i kushtojë buxhetit të Kosovës me dhjetëra miliona euro.
Ministri Hasani para kabinetit qeveritarë kishte paraqitur një kërkesë të Komunës së Malishevës për krijimin e zonës së veçantë ekonomike e cila shtrihet në tri fshatra, Banjën e Malishevës, Bellanicën dhe Senikun.
Mirëpo, ky propozim i ministrit Hasani ishte kundërshtuar pikërisht nga ish-bashkëpartiakët e dikurshëm, ministri Abelard Tahiri dhe Besim Beqaj.
Sipas Abelard Tahirit, në atë kohë, Qeveria e Kosovës nuk mund të hyjë në këso obligime pa e ditur saktë koston e projektit për shpronësim, meqë në arsyetimin e tij, ministri Hasani nuk kishte përmendur fare koston e shpronësimit.
E se për çfarë kosto bëhet fjalë, ministri Hasani i kishte thënë Gazetës Jeta në Kosovë se nuk e di këtë, pasi që sipas tij Ministria e Ambientit duhet ta bëjë vlerësimin, mirëpo për një gjë thotë se është i sigurt, që nuk do të kushtojnë shumë.
Themelimi i kësaj zone të veçantë ishte propozuar të bëhet në komunë të Malishevës që prek tri fshatra, Banjën, Bellanicën dhe fshatin Senik.
“Saktësisht nuk mundem me folë, veç është diku mbi 50 hektarë”- ishte përgjigja e Hasanit në atë kohë.
E për këtë investim të madh të shpronësimit të mbi 50 hektarëve tokë private, ministri Hasani kishte thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk e kishte diskutuar fare këtë temë me kryetarin e partisë së tij, Fatmir Limajn, ani pse zona ekonomike prekte edhe fshatin e tij.
Për Hasanin, nuk është problem kostoja, sepse sipas tij, kur është interesi madhor ekonomik, shteti duhet të marrë përsipër edhe koston e cila do të shërbente për punësim.
Ndërsa me të ardhë në pushtet Qeveria e re e Kosovës “Kurti”, kishte marrë vendim me të cilin e kishte anuluar vendimin paraprak të qeverisë së kaluar për themelimin e ‘Zonës ekonomike të Malishevës.’
Qeveria po ashtu kishte anuluar procedurat e shpronësimit të tokave në Banjë të Malishevës, Bellanicë e Senik.
Shkrime të tjera në lidhje me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë – LINK