Shtyhet seanca gjyqësore ndaj ish-shefit të KPM-së i akuzuar për marrje ryshfeti

Është shtyrë seanca e sotme gjyqësore në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, i cili nga Prokuroria po akuzohet se i ka kërkuar ryshfet pronarit të kompanisë “Telkos”, Elhami Hazirit.

Sot palët do të jepnin fjalët përfundimtare por kjo u shtye për në shkurt të vitit të ardhshëm.

“Seanca është shtyrë për 9 shkurt të vitit të ardhshëm” – ka konfirmuar për Kallxo.com, avokati Driton Musliu.

Shtyerja e seancës erdhi për shkak të kërkesës së parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Luan Latifi, avokatit Musliu.

Njoftimi i publikuar nga Gjykata e Prishtinës qartëson se kërkesa për shtyerje citonte rrethana të papritura, përkatësisht urgjencë familjare.

Sipas aktakuzës, Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Arben Bilalli, si drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”.

Dosja e prokurorisë tregon se si Kryeshefi kishte pranuar ryshfet nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “TelKos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke deklaruar se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Ndërsa, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të jepnin 10 mijë euro, ku në atë moment, i akuzuari Bilalli sipas prokurorisë i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon, veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për t`u bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Prokuroria tutje pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro.