Gjykimi ndaj Dushko Arsiq, Foto: KALLXO.com
Gjykimi për krime lufte ndaj Dushko Arsiq, çfarë kërkuan palët në seancën e fundit?
Gjykimi ndaj serbit Dushko Arsiq, i akuzuar nga për krime lufte në Prishtinë, i erdhi fundi me rastin mabjtjes së seancës së të enjtes ku u dhanë fjalët përfundimtare.
Gjykim ky i nisur në nëntor të vitit 2022, pritet të marrë epilog në shkallë të parë më 2 shkurt të këtij viti.
Në seancën e së enjtes Prokuroria Speciale e përfaqësuar nga prokurori Atdhe Dema, përmes fjalës përfundimtare kërkoi që i akuzuari të shpallet fajtor e të dënohet.
“Një vendim i drejtë do të ndikoj tek i akuzuari dhe të tjerët që të kuptojnë që në këtë shtet nuk do të falen krimet nga kushdo qoftë të kryera ato, dhe gjithmonë do të ndiqen deri në fund, edhe pas 24 viteve” – u shpreh prokurori Dema.
Ndërkaq, mbrojtja e Arsiqit me avokatin Nebojsha Vllaiq dha pretendimet se akuzat janë ngritur për arsyeje personale të të dëmtuarit Artan Krasniqi që kanë të bëjnë me prona.
“Dushko i shet disa parcela, disa nuk dëshiron dhe atëherë kundër tij ngritet kallëzim penal, kush janë blerësit? Janë kushërinjtë e Artan Krasniqit”. “Kjo nuk është në përputhje me ligjin.. 25 vite pas konfliktit ai njeri i cili tërë kohën ka jetuar në Kosovë të jetë i arrestuar”- tha avokati Vllaiq.
I njëjti po ashtu kontestoi edhe kualifikimin ligjor të veprimeve për të cilat Arsiq akuzohet, duke theksuar se “nuk është krim lufte gjithçka që ndodh gjatë luftës”.
“Goditja me këmbë në pjesën e poshtme të shpinës si dhe goditja me tytën e pushës nuk është krim lufte, unë nuk them se kjo nuk është e dënueshme, por është vepër penale për lëndime trupore, nuk është krim lufte”- shtoi tutje Vllaiq.
Fjalën e mori edhe përfaqësuesi i të dëmtuarit Artan Krasniqi, avokati Arsim Krasniqi, i cili tha se gjatë këtij gjykimi është vërtetuar fajësia e të akuzuarit.
“Në këtë rast janë të gjitha rrethanat rënduese, urrejtja në baza kombëtare, fakti se personi i dëmtuar ka qenë një person i mitur që ka mbetur me pasoja të përjetshme”- shtoi avokati Arsim Krasniqi.
Këtë rast po e gjykon trupi gjykues i kryesuar nga Vesel Ismaili me anëtarët Violeta Namani dhe Suzana Qerkini.
Dosja e Prokurorisë
Prokuroria Speciale në nëntor të vitit 2022 ka ngritur aktakuzë, përmes të cilës ka akuzuar Dushko Arsiq për krime lufte në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës në vitin 1999.
Në këtë rast, i dëmtuar është Artan Krasniqi i cili kishte qenë 15 vjeçar në kohën kur, sipas aktakuzës, kishte ndodhur ngjarja.
Sipas aktakuzës, duke qenë pjesë e policisë serbe dhe grupeve paramilitare, Dushko Arsiq ka maltretuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin Krasniqi.
Aktakuza thotë se grupi ku ishte pjesëtar Arsiq fillimisht kishin plagosur e vrarë viktima, në mesin e të cilëve i ndjeri Brahim Shala i cili u vra me pushkë automatike e më pas për bartjen e trupit të tij e urdhëruan Artan Krasniqin.
Arsiq akuzohet se pasi me paramilitarët e tjerë e kishin ndaluar Krasniqin, i është afruar dhe e ka goditur me tytë të automatikut me pjesën e poshtme të shpinës si pasojë e cilës goditje i dëmtuari kishte rënë në tokë dhe kishte vazhduar maltretimi i tij.
“Pas goditjes të të akuzuarit i dëmtuari bie në tokë pastaj të njëjtit fillojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht e psiqikisht. Pastaj i dëmtuari vëren dy persona tjerë të nacionalitetit serb të cilët i njeh, Dragan Niçiq dhe Boban (mbiemri nuk i kujtohet), e ku ku i dëmtuari i pyet që të dy ‘Pse bre kojshi kjo kshtu’, Bobani përgjigjet ‘Komsho bre komshija, gje je Amerika’ (Kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji)”.
E gjithë kjo prokuroria pretendon të jetë kryer në vendin e njohur si varrezat e Maqedoncve në fshatin Butovc.
Përveç kësaj, sipas aktakuzës Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë Serbe dhe grupe paramilitare në muajt janar-qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.
Tutje të njëjtit kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pastaj të njëjtave ia u kanë vënë zjarrin me qëllim të dëmtimit të tyre e po ashtu ka marrë pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve ku disa prej tyre i kanë plagosë e disa prej tyre i kanë vrarë, thuhet në aktakuzë.
Raportimet e KALLXO.com lidhur më këtë proces gjyësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK