Gjykata Speciale: Nuk ka kufizime për vizitat private te të akuzuarit Thaçi dhe të tjerët
Gjykata Speciale ka qartësuar sot, më 14.02.2024, situatën lidhur me vizitat private te të akuzuarit Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra për media e Gjykatës ka thënë se nuk ka pasur ndonjëherë kufizime për vizitat private te të akuzuarit.
“Trupi gjykues asnjëherë nuk ka aplikuar kufizime për vizitat private” – thuhet në përgjigje.
Në përgjigje, Zyra për media qartëson se vizita private sipas kontekstit të Gjykatës nënkuptojnë vizitat e bashkëshorteve/partnereve apo fëmijëve të të akuzuarve pa mbikëqyrjen qoftë audio, qoftë vizive nga zyrtarët e qendrës së paraburgimit.
Sipas përgjigjes, kjo ka ndodhur për dy arsye: për shkak të rëndësisë që vizitat kanë për të akuzuarit, por edhe për shkak se nuk janë evidentuar veprime të papërshtatshme gjatë këtyre vizitave.
Megjithatë, Gjykata tërheq vërejtjen se nuk do të hezitojë të aplikojë masa të tilla nëse “sjellje apo veprime të papërshtatshme” ndodhin gjatë vizitave private.
“Më 09.02.2024 në përgjigje ndaj informacioneve të pranuara nga Sekretaria për raste të tjera ku informacione konfidenciale janë ndarë gjatë vizitave, – përfshirë gjatë vizitave ku të përfshirë kanë qenë bashkëshortja apo fëmijët e z. Selimi apo z. Thaçi – trupi gjykues i ka paralajmëruar të akuzuarit dhe mbrojtjen e tyre që të mos ndajnë informata konfidenciale, përfshirë dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur gjatë vizitave” – thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.
Megjithatë, sipas Zyrës për media të Gjykatës, asnjë masë kufizuese sa u përket vizitave private nuk është vendosur.
Gjykata, në përgjigjen e saj ka kujtuar se më 01.12.2023, trupi gjykues vendosi disa kufizime në vizita dhe komunikim, të cilat vlejnë vetëm për tre nga të paraburgosurit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Kjo është bërë, sipas përgjigjes, për të mbrojtur dëshmitarët pasi Prokuroria ka siguruar transkriptet në të cilat duket se këta të akuzuar u kanë treguar vizitorëve të tyre për dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur.
“Megjithatë, siç shpjegohet në paragrafin 80 të vendimit të trupit gjykues të datës 01.12.2023, trupi gjykues gjithashtu ka refuzuar, në këtë fazë, të miratojë çdo masë kufizuese në lidhje me vizitat private. Ky është rezultat i rëndësisë së vizitave të tilla tek të akuzuarit dhe faktit që nuk ka indikacione se këto vizita janë përdorur për sjellje të papërshtatshme deri më tani. Megjithatë, paneli dëshiron ta bëjë shumë të qartë se nuk do të ngurrojë të vendosë kufizime shtesë për vizitat private nëse ndonjë palë përfshihet në sjellje të papërshtatshme gjatë vizitave të tilla” – citoi Zyra për media.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.
Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Më 10.05.2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.
Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes në dy ditët në vijim.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.