Gjilan, Gjykata liron nga akuza fermerin dhe zyrtarin Komunal, akuzoheshin për mashtrim me subvencione

Të akuzuar për mashtrim me subvencione dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare Zvonko Petroviq dhe Bojan Trajkoviq, janë liruar nga akuza prej Gjykatës së Gjilanit.

Zvonko Petroviq nga Prokuroria akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, kurse Bojan Trajkoviq akuzohej për veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Kujtojmë se në seancën e fundit prokurori Shaban Spahiu, pati kërkuar nga Gjykata qe të akuzuarit t`i shpallë fajtorë, pasi sipas tij ishte vërtetuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale me të cilat Prokuroria i akuzonte.

Kurse të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, patën thënë se nuk i kanë kryer veprat penale me të cilat Prokuroria e Gjilanit i akuzonte. Nga Gjykata kërkuan të lirohen nga akuza pasi sipas tyre janë plotësisht të pa fajshëm.

Sipas Prokurorisë, Zvonko Petroviq nga viti 2015 e deri në fund të vitit 2020 në vazhdimësi në drejtorinë e bujqësisë në Gjilan në cilësinë e zyrtarit për vlerësim dhe verifikim të aplikacioneve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe për të akuzuarin tjetër Bojan Trajkoviq ka tejkaluar detyrat e tij zyrtare. Tutje sipas aktit akuzues, Petroviq nuk ju ka përmbajtur kritereve dhe vlerësimit të dokumentacionit duke i mundësuar të akuzuarit Trajkoviq përfitimin e subvencioneve nga viti 2015 deri ne vitin 2020 duke i shkaktuar kështu dëme buxhetit të Kosovës në shumën prej 2,907.00 euro.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari tjetër Bojan Trajkoviq nga viti 2015 e deri në fund të vitit 2020 në vazhdimësi në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan në cilësinë e fermerit ka paraqitur të dhëna të pa sakta për aprovim të subvencioneve. Aktakuza tutje sqaron se nga viti 2015 e deri në fund të vitit 2020, i akuzuari Trajkoviq e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 2,907.00 euro.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Gjilan, të premten shpallet aktgjykimi në rastin e zyrtarit komunal dhe fermerit