Ilustrim. Facebooku i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Lituanisë

Lituania paralajmëron se rrjedhja masive e të dhënave ishte vepër e një shteti të huaj

Megjithëse nuk është bërë me gisht kundrejt askujt specifikisht, Lituania dhe shtetet e tjera baltike janë gjendje të të lartë gatishmërie për taktikat e “luftës hibride” të përdorura nga Kremlini, duke përfshirë sulmet kibernetike, ka raportuar të hënën (25.05.2026) televizioni Euronews.

 

Autoritetet lituane kanë thënë s ejanë përgatitur për sulme kibernetike pas rrjedhjes masive të të dhënave që përfshinte më shumë se 600 mijë hyrje nga regjistrat kombëtarë të të dhënave, të cilat qeveria thotë se besohet të jenë vepër e një vendi tjetër.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm lituan ka njoftuar se rrjedhje të të dhënave ka pasur kryesisht nga regjistrat e pasurive të paluajtshme dhe personave juridikë, të qasshme duke përdorur kredencialet e hyrjes së institucioneve të autorizuara për marrjen e të dhënave.

Kreu i Qendrës Shtetërore të Ndërmarrjeve të Regjistrave, Adrijus Jusas, dha dorëheqjen të hënën pas rrjedhjes së madhe të të dhënave.

Prokurorët kanë njoftuar se autoritetet menjëherë kanë marrë masa shtesë të sigurisë kibernetike, përfshirë bllokimin e llogarive të përdoruesve të dyshuar të të dhënave dhe kufizimin e qasjes me kërkesën për azhurnimin e kredencialeve.

Zyra e prokurorit ka thënë se një vend i huaj dyshohet për përfshirje. Ndërsa autoritetet nuk specifikuan se për cilin shtet dyshojnë, politikani i opozitës, Laurynas Kasciunas, ka shkruar në mediat sociale të dielën se vjedhja e të dhënave mendohet të jetë operacion i inteligjencës ruse. Ai nuk ka ofruar dëshmi për pretendimin e tij.

Kasciunas ka paralajmëruar se mund të kenë pasur qasje në adresat e oficerëve të inteligjencës, personelit ushtarak, diplomatëve ose politikanëve, gjë që potencialisht mund t’u lejojë autorëve të spiunojnë ose të ushtrojnë presion kundër objektivave.

Lituanët janë veçanërisht të kujdesshëm duke pasur parasysh se vendi është një nga objektivat kryesorë të luftës hibride të Rusisë kundër Europës, e cila përfshin sabotim, sulme zjarrvënëse dhe vandalizëm, si dhe operacione ndikimi dhe sulme ndaj infrastrukturës dixhitale dhe sistemeve qeveritare.

Vendi është përballur gjithashtu kohët e fundit me një valë inkursione të dronëve mbi territorin e tij. Të mërkurën e kaluar, banorëve të kryeqytetit, Vilnius, iu tha të strehoheshin për shkak të aktivitetit të dronëve pranë kufirit me Bjellorusinë.

Duke folur për Euronews pas incidentit, Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, ka paralajmëruar se “ky është realiteti i ri i asaj me të cilin përballen shtetet baltike”.
“Ne duhet të përshtatemi sepse mundësia e përsëritjes së skenarëve të ngjashëm është shumë e lartë”, ka theksuar ai.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të udhëtojë nesër drejt Vilniusit që t’i takojë liderët e shteteve baltike që të bisedojë për koordinimin e kundërpërgjigjes ndaj sulmeve me dronë që duket se janë në rritje.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com