Gjendja shëndetësore e njërit nga të akuzuarit në rastin ‘Toka’ ndërpreu seancën

 

Edhe kësaj here nuk u arritën kushtet ligjore që të fillojë procesi i rastit “Toka” ndaj të akuzuarit Azem Syla dhe 21 personave të tjerë për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në ‘Veternik’ e Llapnasellë, në afërsi të Prishtinës.

Edhe pse tërë palët ishin prezent, seanca e sotme u ndërpre për arsye se avokati mbrojtës i të akuzuarit Fahredin Gashi, kërkoi që të veçohet procedura ndaj të mbrojturit të tij për shkaqe shëndetësore.

“Unë kërkoj nga gjykata që procedura penale mbi Fahredin Gashi për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore sepse ne kemi një raport të ekspertëve të cilët kanë konstatuar se Fahredin Gashi ka një sëmundje të përhershme”- kërkoi avokati Tahir Rrecaj.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti mori vendim të bëhet një ekspertizë tjetër në lidhje me gjendjen e të akuzuarit e deri atëherë mori vendim që të ndërprehet seanca.

Kurse seanca e kaluar dështoi të mbahet për shkak se mungoi avokati mbrojtës i Fahredin Gashit, njërit nga të akuzuarit në këtë rast.

Gjykata njoftoi se Fahredin Gashi, kishte të autorizuar për mbrojtje avokatin Gëzim Kollçaku, i cili për shkaqe shëndetësore nuk mundi të paraqitej në seancë.

Gjithashtu, sipas gjyqtarit të rastit Arben Hoti, i akuzuari Gashi kishte të autorizuar edhe avokatin Tahir Rrecaj, por i njëjti kishte menduar se avokati Kollçaku do të prezantonte sot dhe nuk kishte ardhur.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave, mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Syla dhe Vidosav Novakoviq gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit tjerë  meqë është i njëjti rast.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.