Gjakovë: Mjekja e Spitalit dhe kandidatja e një konkursi, ballafaqohen me kolegen e tyre si dëshmitare

Vera Lleshi, mjeke në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit, ndërsa Jehona Arapi po akuzohet për deklarim të rrejshëm.

Sot, dëshmitarja Afërdita Spasi, infermiere në Spitalin e Gjakovës tregoi se kishte zëvendësuar një motër kryesore si anëtare e komisionit, ditën kur është bërë testimi i 8-10 kandidatëve.

Ajo tha se anëtarë të komisionit bashkë me të kanë qenë edhe kryesuesi Zenel Morina, Vera Lleshi, Leonora Lleshi, Armand Koshi.

Spasi deklaroi se nuk kishin pasur direkt qasje në dokumentacionet e kandidatëve, por që të gjithë kandidatët ishin vlerësuar nëse i plotësojnë kushtet ose jo.

Ajo tregoi që përveç kandidates Jehona Arapi që kishte marrë pikë më shumë kane pasur edhe kandidatët e tjerë, por që ajo kishte qenë shumë më e mirë në vlerësimin me gojë.

Dëshmitarja Afërdita Spasi tha se nuk kishte vërejtur ndonjë ndërhyrje apo ndryshim prej dikujt në vlerësimin me shkrim sa i përket kandidates Jehona Arapi.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuares Vera Lleshi, avokati Prenk Pepaj i propozoi gjykatës që të ftohet ekspertja e grafologjisë Vjollca Mavriqi dhe të bëhet një super ekspertizë si dhe të ndëgjohen si dëshmitarë, e më pas të mirren mostrat e shkrimeve të Jeton Huma dhe Leonora Ymeraga.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuares Jehona Arapi, avokati Fadil Sinanaj kërkoi që të ndëgjohet një ekspert nga lëmia e oftamologjisë.

Në anën tjetër, prokurori i rastit Ali Uka propozoi gjykatës që në fillim të ndëgjohet eksperti që e ka bërë ekspertizën në fillim, e pastaj të shikohet për një ekspertizë tjetër.

Ndërkaq, trupi gjykues i përbërë nga kryetari Shaqir Zika bashkë me anëtarët Mentor Bajraktari e Diana Sina, aprovuan propozimin e avokatit Prenk Pepaj, ndërsa për propozimin e avokatit Fadil Sinanaj ata do të vendosin pas dëgjimit të ekspertit të grafologjisë.

Në fund u caktua data 16 dhjetor për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

Në seancën e kaluar ishin dëgjuar si dëshmitarë kolegët e tyre.

Gjakovë: Mjekja e Spitalit dhe kandidatja e një konkursi në këtë spital, ballafaqohet me dëshmitarë

Që të dyja ishin deklaruar të pafajshme ndaj akuzave të Prokurorisë.

Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj mjekes së Spitalit të Gjakovës

Prokuroria pretendon se Vera Lleshi, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në SISH, gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të Spitalit të Gjakovës, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë, ka favorizuar kandidatën Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it.

E akuzuara Lleshi, sipas aktakuzës, duke riplotësuar ka ndërhyrë në testin me shkrim të kandidates Jehona Arapi, me qëllim që t’ia mundësojë ngritjen e pikëve të testit, e më pas në bazë të raportit nga eksperimenti grafologjik është identifikuar ndërhyrja e anëtares së komisionit në testin origjinal të kandidatës.

Sipas aktakuzës, këto veprime së të akuzuares Lleshi, kanë ndodhur me datë 15 maj të vitit 2017.

Ndërsa, më datë 8 gusht të vitit 2019, Jehona Arapi, në cilësinë e dëshmitares gjatë dhënies në Stacionin Policor në Gjakovë, ka paraqitur deklarim të rremë, duke mohuar se ndokush anga anëtarët e komisionit e kishte ndihmuar rreth plotësimit të testit me shkrim dhe se shkrimin në testin e saj e kishte bërë me dy stilolapsa.

Aktakuza thotë se në bazë të kësaj deklarate, Arapi arrin të punësohet si operatore e SISH-it, duke i dëmtuar kështu edhe kandidatët e tjerë.