Gjakovë: Mjekja e Spitalit dhe kandidatja e një konkursi në këtë spital, ballafaqohet me dëshmitarë

Vera Lleshi, mjeke në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit, ndërsa Jehona Arapi po akuzohet për deklarim të rrejshëm.

Prokuroria pretendon se Vera Lleshi, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në SISH, gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të Spitalit të Gjakovës, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë, ka favorizuar kandidatën Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it.

Sot, dëshmitari Armand Koshi- shefi i shërbimeve teknike në Spitalin e Gjakovës, tregoi se nuk ka qenë në dijeni për hapjen e konkursit, por vetëm që është caktuar si anëtar i komisionit në atë konkurs.

Ai tha se kishin qenë 5 anëtarë të komisionit dhe se procedurat e administratës i ka udhëhequr drejtori i administratës Zenel Morina, i cili aty kishte qenë si kryetar i komisionit dhe të njëjti ia kishin dorëzuar testet, ku më pas ai i dorëzonte në personel.

Ai tregoi se antëtarët e komisionit përveq atij kishte qenë Leonora Lleshi, Vera Lleshi dhe Afërdita Spasi.

Koshi deklaroi se ai personalisht nuk e kishte pasur dokumentacionin për secilin kandidat që kishin aplikuar, por që të gjithë kandidatët, ishin shikuar nga anëtarët nëse i plotësojnë kushtet ose jo.

Ai tha se nuk i kujtohej se cilin prej kandidatëve e kishte vlerësuar me poentën më të lartë.

Armand Koshi tregoi se gjatë mbajtjes së testit me shkrim, asnjëri nga anëtarët e komisionit nuk kishte lëvizur brenda sallës, derisa kishte mbaruar testimini kandidatëve.

Ai tha se së pari ishte bërë vlerësimi i testit me shkrim, e më pas testimi me gojë dhe në fund është zgjedhur kandidati më i suksesshëm.

Sipas Koshit, ai nuk kishte dëgjuar askënd prej anëtarëve të komisionit se në këtë konkurs duhej të favorizohet kandidatja Jehona Arapi.

Më pas, prokurori i rastit Ali Uka, për shkak të obligimeve kërkoi që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër, andaj gjykata caktoi datën 18 nëntor, për dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Që të dyja ishin deklaruar të pafajshme ndaj akuzave të Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se Vera Lleshi, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në SISH, gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të Spitalit të Gjakovës, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë, ka favorizuar kandidatën Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it.

E akuzuara Lleshi, sipas aktakuzës, duke riplotësuar ka ndërhyrë në testin me shkrim të kandidates Jehona Arapi, me qëllim që t’ia mundësojë ngritjen e pikëve të testit, e më pas në bazë të raportit nga eksperimenti grafologjik është identifikuar ndërhyrja e anëtares së komisionit në testin origjinal të kandidatës.

Sipas aktakuzës, këto veprime së të akuzuares Lleshi, kanë ndodhur me datë 15 maj të vitit 2017.

Ndërsa, më datë 8 gusht të vitit 2019, Jehona Arapi, në cilësinë e dëshmitares gjatë dhënies në Stacionin Policor në Gjakovë, ka paraqitur deklarim të rremë, duke mohuar se ndokush anga anëtarët e komisionit e kishte ndihmuar rreth plotësimit të testit me shkrim dhe se shkrimin në testin e saj e kishte bërë me dy stilolapsa.

Aktakuza thotë se në bazë të kësaj deklarate, Arapi arrin të punësohet si operatore e SISH-it, duke i dëmtuar kështu edhe kandidatët e tjerë.