Foto: Kallxo.com

Favorizimi dhe diskriminimi i gjuetarëve: Dënohet kryetari i komunës së Novobërdës

150 ditë burg është dënimi të cilin Gjykata e Gjilanit i ka shqiptuar Svetisllav Ivanoviq, i cili aktualisht është kryetar i Komunës së Novobërdës.

Dënimi i shqiptuar nga Gjykata me kërkesën e Ivanoviqit u zëvendësua me gjobë në shumen prej 3,000 euro, të cilin u obligua ta paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ivanoviq akuzohej se e dëmtoi Komunën e Novobërdës pasi i dha në shfrytëzim një zyrë të Komunës shoqatës së gjuetisë “Kalaja”. Ai gjithashtu akuzohej se dëmtoi shoqatën “Ujku”, pasi shoqatës “Kalaja”, i dha në shfrytëzim tërë territorin e Komunës së Novobërdës për gjueti pa asnjë procedurë.

Në seancën e datës 14 shkurt, Prokurori Arben Kadriu pati kërkuar që i akuzuari Ivanoviq të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Kjo fajësi vërtetohet me dëshminë e të dëmtuarit Hysen Zeqiri dhe dëshmitarëve që janë dëgjuar dhe me vet deklaratën e të akuzuarit të dhënë në procedurë paraprake. Shoqata e gjuetisë “Kalaja”, e ka shfrytëzuar territorin e Komunës pa asnjë procedurë, gjithashtu Komuna e Novobërdës është dëmtuar ashtu siç është përshkruar në aktakuzë. I propozojmë Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit,” pati thënë Prokurori Kadriu.

Svetisllav Ivanoviq fillimisht ishte mbrojtur në heshtje dhe nuk kishte pranuar të ketë avokat, por në seancën e fundit kërkoi që të lirohet nga akuza.

“Konsideroj se nuk e kam shkelur ligjin edhe sa i përket sigurimit të zyrës për shoqatën siç kam deklaruar edhe më parë edhe kur unë nuk kam qenë kryetar atë zyre e kanë përdorur lloj lloj organizata ndërkombëtare dhe të Kosovës, unë nuk kam nënshkruar asnjë kontratë dhe nuk e kam dhënë me qira. Madje unë nuk kam dhënë as edhe një pëlqim për atë zyre dhe nuk kam kurrfarë faji në atë drejtim. Këtë e kam bërë në interes të qytetarëve të Novobërdës. Në gjithë procesin e gjykimit mund të shihet se unë me së paku kam qenë i kyçur në atë proces. Kërkoj nga Gjykata qe të më shqiptojë vetëm vërejtje qe në të ardhmen te jem me i kujdesshëm, por unë do ta respektoj çfarëdo vendimi që ju jepni,” pati deklaruar i akuzuari Ivanoviq.

Svetisllav Ivanoviq akuzohej se në muajin nëntor të vitit 2017 në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja” në Novobërdë dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Novobërdës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Sipas prokurorisë, Ivanoviq i kishte shkelur të drejtat e personit juridik “Ujku”pasi që në kundërshtim me ligjin dhe udhëzimet administrative kishte nxjerr njoftimin me të cilin shoqatës së gjuetarëve “Kalaja” i kishte dhënë në shfrytëzim tërë territorin e Komunës së Novobërdës për vitet 2017/2018 duke i mundësuar përfitim material prej 11,260 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në kundërshtim me ligjin, Ivanoviq i kishte dhënë shoqatës së njëjtë në shfrytëzim një zyrë në objektin e Komunës së Novobërdës duke i shkaktuar dëm ne vlerë prej 960 euro.

Pas shpalljes së vendimit kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi tha se lidhur me  vendimin e Gjykates, palët e kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit.

Kryetari i Novobërdës sërish nuk i përgjigjet Gjykatës