Kryetari i Novobërdës sërish nuk i përgjigjet Gjykatës

 

Svetisllav Ivanoviq, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare edhe sot nuk i është përgjigjur Gjykatës së Gjilanit.

Ivanoviq akuzohet se në muajin nëntor të vitit 2017 në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja”, në Novobërdë dhe shkaktimit të dëmit Komunës se Novobërdës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Sipas prokurorisë, Ivanoviq i ka shkelur te drejtat e personit juridik “Ujku”, në atë mënyrë që në kundërshtim me ligjin dhe udhëzimet administrative ka nxjerr njoftimin ku për vitet 2017/2018 shoqatës së gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim tërë territorin e Komunës së Novobërdës duke i mundësuar përfitim material prej 11 mijë 260 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në kundërshtim me ligjin, Ivanoviq i ka dhënë shoqatës së njëjtë në shfrytëzim një zyre në objektin e Komunës së Novobërdës duke i shkaktuar dëm ne vlerë prej 960 euro.

Kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi tha se nuk ka kushte ligjore për seancën e sotme. “I akuzuari nuk ka ardhur në shqyrtimin e sotëm dhe mungesën nuk e ka arsyetuar. Gjykata ka bërë përpjekje për  të biseduar me të akuzuarin edhe nëpërmes telefonit por i njëjti nuk ka pasur qasje në telefonin e tij”.

Prokurori tha se “I propozoj Gjykatës që ndaj të akuzuarit të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë pasi që nuk është hera e parë që i akuzuari nuk i përgjigjet Gjykatës”, përfundoj prokurori Arben Kadriu.

Kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi tutje tha se “Për  të akuzuarin do të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë dhe nëse i njëjti nuk mund të arrihet do të shikohet mundësia e shqiptimit të paraburgimit”, tha gjykatësi Maliqi.

Seanca që është dashur te mbahet sot u shtye për muajin janar te vitit 2020.