Foto: KALLXO.com

Eksperti i mjekësisë ligjore dëshmon sërish në gjykimin e vëllezërve për vrasjen e kushërinjve të tyre

Në gjykimin e Besim dhe Blerim Malokut, të akuzuar për vrasjen e kushërinjve të tyre – vëllezërve Bahri e Shani Maloku, sot ka dëshmuar sërish eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu.

Eksperti Gërxhaliu dëshmoi sërish pas rihapjes së këtij gjykimi nga gjyqtari Gëzim Pozhegu.

Ai dëshmoi për gjurmët e plumbave dhe plagët në trupat e viktimave.

“Të dy viktimat kanë pasur nga një plagë, që ka qenë hyrëse dhe dalëse. Mëlçia është e dëmtuar te njëra viktimë dhe zemra te viktima tjetër”, tha dëshmitari.

Gërxhaliu tha se niveli i dëmtimit të plagëve të tyre është i njëjtë.

“Përreth vrimës hyrëse nuk shihet djegie dytësore që shkaktohen nga copëzat e barutit e cila nënkupton se gjuajtja ka qenë në distancë 1 metër ose 1 metër e gjysmë, e në këtë rast nuk kemi vërejtur djegie të vrimave të rrobave”, deklaroi eksperti.

“Kur kemi nivelicitet të lartë nënkuptojmë që kemi të bëjmë me armë të mëdha”, shtoi ai.

Edhe në muajin mars të këtij viti, eksperti Arsim Gërxhaliu kishte shpjeguar plagët që kishin shkaktuar vdekjen e dy vëllezërve Maloku në Plloqicë të Malishevës.

https://kallxo.com/uncategorized/eksperti-shpjegon-plaget-qe-shkaktuan-vdekjen-e-dy-vellezerve-maloku-ne-malisheve/

Pas dëshmisë së tij, seanca vazhdoi me vërejtjet nga dëgjimi i CD-së në seancën e kaluar.

Ato incizime ishin bërë me rastin e hetimeve të veçanta, të masave të fshehta, objekt i të cilave ishin të akuzuarit Besim dhe Blerim Maloku, të cilët ndodheshin në ndalim policor si të dyshuar.

Për këto CD, avokatja Fehmije Gashi Bytyqi, tha se pjesa dërrmuese e bisedës së të akuzuarve nuk është e përshkruar në aktakuzë dhe se mendimin e saj për të njëjtat do ta thotë në fjalën përfundimtare.

Më pas motra e viktimave Shani dhe Bahri Maloku, Besnike Maloku, dha vërejtjet e saja lidhur me dëgjimin e CD-ve të dëgjuara në seancën e kaluar.

Ajo tha se në njërën nga CD-të nuk përshtaten titrat me fjalët e shqiptuara nga të akuzuarit.

“Para pastrimit të CD-ve, kam vërejtur se kam dëgjuar mjaft fjalë të cilat janë bazë e mjaftueshme të dyshojmë te të akuzuarit”, tha Besnike Maloku.

Disa nga fjalët nga përgjimet e të akuzuarve që i ka cekur në gjykim motra e viktimave janë:

Blerimi: “Kuku, kuku, më doket goxha jam tu dyshu diqysh”.

Sipas saj, Blerimi e ka fjalën për Policinë.

Besimi: “Më doket po na provokojnë”.

Blerimi: “Unë u tuta se e kanë gjetë atë, e kur e njeva qita thash kuku nana jem, kemi me hjek për 100 vjet”.

Besimi: “Shkova me këqyr në oborr, me këqyr çka po gjejnë”.

Blerimi: “Gjuje, hupe! Gjuje në pleh!”.

Besimi: “Jo, jo, në bunar”.

Blerimi: “Po tutna po shkojnë edhe njëherë”.

Blerimi “Ah Afrim n’koftë dalë najsen prej teje nanen e nanës…. që ki fol budallakisht najsan”.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Besim Maloku, avokati Ndrec Dodaj tha se në CD-të që i ka dëgjuar bashkë me transkriptë, faktikisht asnjë bisedë mes tyre nuk i lidh me vendin e ngjarjes.

“E gjitha çka flitet është për armët që ju kanë gjetur, për shqetësimet e tyre të arrestimit, për problemet familjare, për përshkrimet e karaktereve të viktimave në efekt mllefi duke sharë, por asgjë në lidhje me rastin”, deklaroi avokati Ndrec Dodaj.

Avokati Dodaj tha se çdo njeri e di që këta dy të akuzuar janë të pafajshëm dhe njeriu i pafajshëm po mbahet në burg.

Edhe i akuzuari për armëmbajtje pa leje Blerim Maloku i tha disa fjalë.

“Kur është bërë transporti dhe mua më kanë sjell Policia rrugës për në Gjakovë, një polic të cilin edhe me e pa nuk e njoh, më ka thënë që viktima Bahri kishte thënë o Blerim po të njoh, e mua po më vjen mirë që m’ka njoftë”, tha ai.

Pas këtij deklarimi nga Blerim Maloku, një zyrtar policor, Xheladin Kelmendi, që ishte në sallë u lajmërua që ai bashkë me katër policë të tjerë e kishte bërë transportin nga shtëpia e tij në Malishevë deri në stacionin policor në Gjakovë.

Polici Xheladin Kelmendi tha se nuk janë të vërteta deklarimet e të akuzuarit Blerim Maloku.

“Unë nuk i kam thënë ashtu siç thotë i akuzuari Blerim Maloku. Unë atë ditë e kam ditë që janë dy viktima, por ne nuk jemi futur në detaje, s’kemi përmendur emra sepse nuk i kemi ditur emrat e viktimave, e as nuk më kujtohet që ndonjëri prej policëve kolegë të mi që kanë qenë me mua gjatë transportit ka bërë këtë muhabet”, deklaroi polici Xheladin Kelmendi.

Gjatë seancës së sotme, mbrojtësja e palës së dëmtuar, avokatja Fehmije Gashi Bytyqi, i tha trupit gjykues se ende nuk kishte marrë vendim lidhur me veprën penale të armëmbajtjes pa leje që i akuzuar është Blerim Maloku, i cili edhe kishte pranuar fajin për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa gjykatësi Gëzim Pozhegu, duke replikuar tha se nuk kishte dashur të pranojë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, me arsyetimin se ka pasur për qëllim sqarimin e të gjitha gjërave që kanë të bëjnë me rastin.

Në vazhdim kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu shprehu gatishmëri për zbardhjen e këtij rasti.

Ai tha se në çdo kohë është i gatshëm në bashkëpunim me të gjitha palët në procedurë, që të ulen dhe të shikojnë secilën provë veç e veç për t’i hequr të gjitha dilemat.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Besim Maloku, avokati Ndrec Dodaj tha se pasi që të bisedojë me familjarët e të mbrojturit të tij po mendon të tërhiqet nga mbrojtja, me arsyetimin se procedura po zvarritet dhe se provat janë të qarta që këta nuk janë kryesit e veprës penale.

Për këtë rast, nga trupi gjykues Gëzim Pozhegu, Ilir Rrashkaj dhe Besarta Doli, u caktua data 11 nëntor.

Në seancën e kaluar kishte dëshmuar eksperti u balistikës dhe janë dëgjuar përgjimet e dy të akuzuarve në ndalim policor përmes masave të fshehta.

https://kallxo.com/ligji/vrasja-e-dy-vellezerve-ne-malisheve-eksperti-armet-qe-i-jane-nenshtruar-ekspertizes-nuk-perputhen-me-shenjat-e-gezhojave/

https://kallxo.com/shkurt/arma-qe-vrau-vellezerit-ne-malisheve-ende-e-paidentifikuar/

Besim Maloku, po akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe për vrasjen e kushërinjve të tij – dy vëllezërve Shani e Bahri Maloku, ndërsa Blerim Maloku vetëm për armëmbajtje pa leje.

Në muajin shtator ishte rihapur gjykimi për vrasjen e dyfishtë në Plloqicë të Malishevës, ku edhe kishte pasur tensione nga familja e dëmtuar.

https://kallxo.com/ligji/gjykata/pamje-babai-i-viktimave-e-gjuan-me-shishe-te-akuzuarin-video/

Kujtojmë se para rihapjes së gjykimit, shpallja e aktgjykimit kishte dështuar dy herë.

https://kallxo.com/ligji/shtyhet-aktgjykimi-per-vrasjen-e-dy-vellezerve-ne-malisheve/

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët  për këtë rast.

https://kallxo.com/ligji/gjykimi-per-vrasjen-e-vellezerve-ne-malisheve-drejt-fundit-avokatja-thumbon-prokurorin/

Para disa muajsh seanca për dhënien e fjalës përfundimtare në këtë rast kishte dështuar, për shkak se prokurori i rastit  kishte dërguar lëndën në Prokurorinë e Shtetit për sqarime shtesë.

https://kallxo.com/ligji/prokurori-kerkon-sqarime-per-rastin-e-vrasjes-e-pjesetarit-te-fsk-se/

Në seancën për mbrojtjen e tyre, i akuzuari Besim Maloku ishte deklaruar ndërsa i akuzuari Blerim Maloku ishte mbrojtur në heshtje.

https://kallxo.com/ligji/i-akuzuari-rrefen-ku-ishte-naten-kur-u-vrane-kusherinjte-e-tij-vellezerit-shani-e-bahri-maloku/

Në këtë rast të mistershëm, si dëshmitar ishte propozuar edhe ish-prokurori Agron Matjani.

https://kallxo.com/prokurori-i-shkarkuar-propozohet-si-deshmitar-ne-gjykimin-e-per-vrasjen-e-dy-vellezerve-ne-malisheve/

Në këtë rast kishin dëshmuar edhe gratë e dy viktimave dhe vëllai i tyre.

https://kallxo.com/uncategorized/gruaja-e-ish-sigurimit-te-hashim-thacit-vrasja-e-burrit-nuk-ishte-politike/

https://kallxo.com/shkurt/qan-ne-gjykate-gjate-deshmise-per-dy-vellezerit-e-vrare/

Bahri dhe Shani Maloku po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin, sipas Prokurorisë nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

https://kallxo.com/vrasja-e-dy-vellezerve-ne-malisheve-avokati-e-sfidon-aktakuzen/

Në gjykimin e mbajtur në muajin dhjetor 2018, i akuzuari Besim Maloku ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim Maloku e kishte pranuar fajësinë armëmbajtje pa leje.

https://kallxo.com/vrasja-e-pjesetarit-te-fsk-se-i-akuzuari-per-armembajtje-pranon-fajesine/

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besim Maloku gjendet në paraburgim që nga 9 marsi 2018.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin nëntor të vitit 2018, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Malokut.

https://kallxo.com/njeri-nga-te-vraret-ne-malisheve-pjesetar-fsk-se/

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.

https://kallxo.com/prokuroria-pretendon-se-hajnat-e-vrane-pjesetarin-e-fsk-se/