Raportimi i KALLXO.com, ish-kryeprokurori Buzhala kishte thënë në komisionin disiplinor se pyetjet e testit do t’ia dërgonte djalit

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_________________________________________________________________________________

Ish-kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, në seancën disiplinore ndaj tij në lidhje me skandalin e shpërndarjes së pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë kishte thënë se pyetjet do t’ia dërgonte djalit të tij por që gabimisht i ka dërguar te gazetarja e KALLXO.com.

Kështu thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme, të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Në këtë vendim Gjykata ka refuzuar ankesën e Buzhalës ndërsa ka vërtetuar vendimin e KPK-së për degradimin e të njëjtit për shkak të skandalit që publikoi KALLXO.com në lidhje me shpërndarjen e pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë në vitin e kaluar.

Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com thuhet: “Kryeprokurori Buzhala gjatë seancës disiplinore në mbrojtjen e tij nuk ka mohuar faktin që i ka dërguar pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesional, mirëpo ka theksuar se duke dashur t’ia dërgoj djalit porosinë, gabimisht e ka përcjellë te gazetarja”.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Supremes për rastin e Buzhalës.

Në po të njëjtin vendim thuhet se KPK më 23 dhjetor kishte aprovuar raportin e panelit hetimor në lidhje me rastin e iniciuar më 24 nëntor 2022 për lëndën disiplinore ndaj Buzhalës në të cilin kishte vërtetuar se ish- kryeprokurori kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Pasi ishte bërë vërtetimi i fakteve për Buzhalën, KPK kishte marrë vendim për degradimin e të njëjtit nga pozita e kryeprokurorit në pozitën e prokurorit të përgjithshëm në Prokurorinë në Pejë.

Në ankesën që kishte paraqitur në Supreme, Buzhala kishte kërkuar që Gjykata ta anulojë vendimin e KPK-së për degradim, ose vendimin e KPK ta ndryshojë duke e liruar atë nga përgjegjësia disiplinore, nëse e gjen përgjegjës ta ndryshojë masën dhe t’i shqiptojë ndonjë masë shumë më të butë në pajtim me shkeljen e gjetur.

Gjykata Supreme ka vërtetuar se faktet në lidhje me skandalin e Buzhalës janë të vërteta dhe se ankesa e tij u vërtetua si e pabazuar.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me marrëveshjen që kishte ofruar Buzhala në panelin hetimor në lidhje me çështjen e tij për të cilën është raportuar vitin e kaluar.

Ai kishte pranuar fajësinë ndërsa kishte kërkuar nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës që masa t’i caktohej për transferim të tij nga Gjakova si kryeprokuror në prokuror të Departamentit të Krimeve të Rënda në Prizren.

Në korrik të vitit të kaluar, më saktësisht me datë 14, KPK kishte marrë vendim që Buzhala pas skandalit të suspendohej nga detyra e kryeprokurorit të Gjakovës me pagë 50 për qind.

Në po të njëjtën ditë, KPK kishte formuar edhe komisionin hetimor për trajtimin e këtij rasti i cili nga KALLXO.com u bart edhe në Prokurorinë e Shtetit dhe KPK.

Më 14 korrik të vitit të kaluar KALLXO.com pati raportuar në lidhje me rastin Buzhala.

“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”, kështu fillon një mesazh i cili i është dërguar ekipit të KALLXO.com në orën 11:25 më 13 korrik 2022.

Ky mesazh i dërguar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala, në numrin e gazetares së KALLXO.com, autores së këtij artikulli, vazhdon tutje me përmbajtjen: “Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”.

Kryeprokurori Buzhala i drejtohet dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”.

KALLXO.com mëson së pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë, test i cili është mbajtur atë ditë.

Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se ka kohë deri në orën 13:00, tutje ai vazhdon të thërras në telefon ndërsa kur përgjigjet ekipi i KALLXO.com, ai nis arsyetimin.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është diçka…”, nis bisedën kryeprokurori Buzhala, derisa nuk përgjigjet se nga kush i ka marrë këto pyetje?

“Po më fal ku keni dashtë me i dërgu këto pyetje, ku i ke adresu?”, pyetet nga gazetarja.

“Janë gabim, gabim janë, qe s`priton me i fshi…”, kërkon kryeprokurori Buzhala nga ekipi i KALLXO.com.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.

Ai nuk pranon të jap përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkoj që të fshihen ato.

“Adelina të kesh mirëkuptim sepse gabim janë dorëzu…”, thotë gjatë bisedës me KALLXO.com kryeprokurori Buzhala.

Dyshime se Kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë – VIDEO