Shtyhet aktgjykimi për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë

Gjykata e Gjakovës nuk arriti që sot të shpallë vendim ndaj të akuzuarve lidhur me vrasjen e dyfishtë në Malishevë.

Aktgjykimi për vrasjen e vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku u shty për të hënën.

Për këtë vrasje të akuzuar janë Besim dhe Blerim Maloku, po ashtu vëllezër dhe njëherësh kushërinj të viktimave.

Shpallja e aktgjykimit u shty për shkak të mos sjelljes së të akuzuarit nga burgu.

“Shpallja e aktgjykimit do të bëhet ditën e hënë, për shkak se njësiti i transportit të burgut ka lajmëruar që sot nuk mund ta sjellin të akuzuarin”, tha gjyqtari Gëzim Pozhegu.

Para dy ditësh në këtë rast, është dhënë fjala përfundimtare.

Para më shumë se një muaji seanca për dhënien e fjalës përfundimtare në këtë rast kishte dështuar, për shkak se prokurori i rastit  kishte dërguar lëndën në Prokurorinë e shtetit, për sqarime shtesë.

Në seancën për mbrojtjen e tyre, i akuzuari Besim ishte deklaruar ndërsa i akuzuari Blerim ishte mbrojtur në heshtje.

Në këtë rast kishin dëshmuar edhe gratë e dy viktimave dhe vëllai i tyre.

Sipas aktakuzës, Bahri dhe Shani Maloku po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Në gjykimin e mbajtur në muajin Dhjetor 2018, i akuzuari Besim ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim e kishte pranuar fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim pa leje të armës.

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besim gjendet në paraburgim prej 9 marsit të vitit të kalujar

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin nëntor të vitit 2018, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Malokut.

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut, në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.

https://kallxo.com/prokuroria-pretendon-se-hajnat-e-vrane-pjesetarin-e-fsk-se/