Qan në Gjykatë gjatë dëshmisë për dy vëllezërit e vrarë

Uliks Maloku ka qarë në Gjykatën e Gjakovës teksa po dëshmonte për momentet kur u vranë dy vëllezërit e tij, Shaniu dhe Bahriu.

Për këtë vrasje të dyfishtë po gjykohen dy kushërinjtë e viktimave, vëllezërit Besim dhe Blerim Maloku.

Rasti tragjik ka ndodhur natën e 9 marsit 2018 në Plloqicë të Malishevës.

Gjatë dëshmisë së tij, Uliks Maloku tregoi se në natën kritike ishin mbledhur për të luajtur me letra bashkë me dy vëllezërit tashmë të ndjerë, si dhe me Xhemajlin, Hisniun, Afrimin, Fisnikun dhe Albanin.

Rrëfimin e tij, Uliks Maloku nisi me lot në sy.

“Kur ka ardhur Fisniku na ka thënë që e ka parë Besimin dhe Afrim Malokun me veturë në rrugën kryesore, si të dyshimtë”, tha ai.

“Kur Albani ka qenë duke u kthyer prapë për të luajtur me letra, kemi dëgjuar dy bërtima, kemi dalë menjëherë jashtë dhe i kemi parë dy persona duke ikur, e menjëherë kemi vrapuar pas tyre”, shtoi Uliks Maloku.

“Albani na ka thënë: O ndaluni, mos vraponi se kanë armë”, shtoi dëshmitari.

Uliks Maloku tha se njëri prej dy personave ka qenë më i shkurtër dhe tjetri më i gjatë.

“Atë personin më të gjatë nuk kam mujtë me dallu ndërsa atë më të shkurtër e kam parë me kapelë në kokë të stilit rus”, tha dëshmitari.

Tutje, Uliks Maloku tha se personi më i shkurtër në bazë të fizionomisë i është dukur si Blerim Maloku.

Duke rrëfyer se si e kishte parë vëllanë – Bahriun përtokë, dëshmitari Uliks u përlot.

Ai tregoi se me kushërinjtë, tashmë të akuzuarit, kishin pasur raporte të mira.

“Albani u ka thënë njerëzve që kur ishte kthyer për të hyrë në oborr, personi i shkurtër i kishte drejtuar armën dhe i ka thënë: Mos lëviz! Mirëpo kur e kam pyetur personalisht, më ka thënë që s’është e vërtetë”, tha dëshmitari.

Ai tha se nuk mund të dyshojë në të akuzuarin Besim sepse nuk e ka parë, e as duke gjuajtur me armë.

“Unë e kam vërejtur se personi që ka qenë më i shkurtër ka gjuajtur me armë. Gjuajtjet kanë qenë rafal, ndërsa të dytë kanë pasur armë të gjata në duar”, shtoi Uliks Maloku.

Në gjykimin e Besim Malokut për dy vepra penale – atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje dhe të Blerim Malokut, i akuzuar vetëm për armëmbajtje pa leje, dëshmi ka dhënë edhe kushëriri tjetër, Shaban Maloku.

Ai tregoj se atë natë kishte dëgjuar disa krisma të njëpasnjëshme dhe se menjëherë kishte dalë jashtë.

Ai tha se në veturë e kishte futur të ndjerin Bahri, duke e dërguar në emergjencë.

Në Gjykatën e Gjakovës ka dëshmuar edhe Valbone Maloku, bashkëshortja e të akuzuarit Blerim Maloku.

Ajo tha se atë natë kanë pasur familjen Zogaj, të dhëndrit të saj, dhe se nuk kanë dëgjuar gjuajtje të armës.

“Pasi kanë shkuar mysafirët e gjithë familja kemi rënë në gjumë. Të nesërmen bashkë me burrin në mëngjes kemi qenë duke pirë kafe dhe ka ardhur vajza e kunatit Besim, Djellza, e cila na ka treguar që kishte dëgjuar se ka ndodhur diçka me djemtë e bacës Tafë”, tha dëshmitarja.

Ajo tregoj se burri i saj kur kishte dëgjuar për rastin, kishte shkuar menjëherë të shtëpia e tyre.

Para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Gëzim Pozhegu, Ilir Rashkaj dhe Besarta Doli, dha dëshmi edhe Shemsie Maloku, bashkëshortja e të akuzuarit Besim Maloku.

Ajo tregoi se burri i saj Besimi atë natë rreth orës 7 e gjysmë të mbrëmjes kishte rënë për të fjetur.

“Pasi që Besimi ka ra, para orës 8:00 të mbrëmjes atë natë ka ardhur Blerimi e i ka thënë për me shku me marrë me veturë Qazimin. Ai ka shku dhe brenda 5 minutave është kthyer”, tha dëshmitarja Shemsie Maloku.

Në pyetjen e mbrojtësit të të dëmtuarve, avokatit Naim Rudari, se çfarë mund të thotë për telefonatat që janë bërë mes saj dhe burrit të saj rreth orës 10:00 të natës, dëshmitarja tha se ato ditë ajo ka fjetur në dhomën tjetër pasi që kishte lindur dhe atë natë burri e kishte thirrur që të shkonte të flinte në dhomë tek ai, e për këtë arsye janë bërë ato biseda.

Ajo shtoi se në shtëpinë e tyre nuk është marrë asnjë armë, mirëpo pas disa muajsh kushëriri i tyre, Ismeti, e kishte dorëzuar një pushkë në Polici.

“Ajo pushkë ka qenë e babës së Besimit, asnjëherë nuk e kemi përdorur”, tha ajo.

Në seancën e kaluar kishin dëshmuar edhe gratë e të vrarëve.

Gruaja e ish-sigurimit të Hashim Thaçit: Vrasja e burrit nuk ishte politike

Rrëfimet e dëshmitarëve për vrasjen e pjesëtarit të FSK-së dhe vëllait të tij në Plloqicë të Malishevës

Më pas dëshmoi edhe dëshmitari Bekim Zogaj- vjehrri i vajzës së të akuzuarit Blerim Maloku.

Ai tha se natën kritike kishin qenë në familjen e Blerimit.

“Atë natë bashkë me familjen kemi shkuar te shtëpia e Blerimit, ndërsa të nesërmen në mëngjes rreth orës 9:00 kanë ardhur Policia te shtëpia jonë dhe na kanë marrë në pyetje”, tha dëshmitari Bekim Zogaj.

Bekim Zogaj shtoi se gjatë kohës sa kishin qenë në shtëpinë e Blerimit, ai kishte qenë aty.

Në përfundim të seancës, avokati i palës së dëmtuar Naim Rudari i propozoi Gjykatës që të thirret si dëshmitar edhe hetuesi policor Edmond Jakupaj.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, bashkë me anëtarët Besarta Doli dhe Ilir Rashkaj caktuan datat 3 dhe 6 qershor për vazhdimin e gjykimit.

Bahri dhe Shani Maloku po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin sipas prokurorisë nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vrasja e dy vëllezërve në Malishevë: Avokati e sfidon aktakuzën

Në gjykimin e kaluar të mbajtur në muajin dhjetor 2018, i akuzuari Besim Maloku ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Vrasja e pjesëtarit të FSK-së, i akuzuari për armëmbajtje pranon fajësinë

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besim Maloku gjendet në paraburgim prej 9 marsit 2018.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin nëntor të vitit 2018 për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Xhemajl dhe Afrim Malokut.

Njëri nga të Vrarët në Malishevë Pjesëtar i FSK-së

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani, raporton KALLXO.com.

Këto vepra janë kryer në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.

Prokuroria pretendon se hajnat e vranë pjesëtarin e FSK-së

www.kallxo.com