'Rrahje me lopatë', 'Të shtëna...' - Rrëfimet e dëshmitarëve në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e Fazli Hoxhës

Në gjykimin për rastin e vrasjes së Fazli Hoxhës dhanë dëshminë pronari dhe pjatalarësi i restaurantit ku 23-vjeçari u vra.

I pari që dëshmoi ishte pikërisht pronari Ismet Berisha i cili tha që nuk i njihte personalisht as viktimën, e as të pandehurit me përjashtim të një njohje sipërfaqësore të Basri Gashit.

Ai gjithashtu tha se e njeh vetëm njërin prej vellezërve të Fazli Hoxhës me të cilët i ndjeri hëngri iftarë në dritën kritike.

“Albertin jo, Mahmutin po si klient [e njoh] dhe ka qenë klient jo i bezdisshëm edhe i ka respektu dmth edhe kamarierët” – tha Ismet Berisha.

Ai ka rrëfyer për vendndodhjen e tij në ditën e vrasjes.

“Sa i përket rastit momentin kur ka ndodhë une s’kam qenë aty, kam qenë në Prishtinë bashkë me bashkëshorten dhe djalin që e kam pasë në çerdhe… Masi kemi bërë iftarë në banesë m’kanë lajmëru që ka ndodhë një rast me rrahje dhe janë dëgju krisma në parking të restaurantit. Në momentin kur më kanë njoftu e kam marrë bashkëshorten dhe djalin dhe jam nisë direkt për në restaurant. Kur kam mbërri në restaurant gjithçka ka qenë e përfuduar, Policia dhe Prokuroria ka qenë aty m’duket” – ka treguar pronari i “Vila Park”, Ismet Berisha.

Ai ka thënë se vellezërit Hoxha kishin bërë rezervim me sa e mbante mend përmes telefonit për të ngrënë iftarë atë natë. 

Ismet Berisha ka treguar se tri ditë pas vrasjes vëllai i Fazliut, Mahmuti e kishte thirrur në telefon duke kërkuar që ta shohë vendin e ngjarjes ku i ishte vrarë i vëllai. 

“Unë i thashë po” – tregoi më tutje ai.

Kurse nga radhët e familjes Gashi tha se e kishte vizituar në restaurant vetëm një familjar i tyre nga Gjermania, i cili i kishte kërkuar falje në emër të familjes që vrasja kishte ndodhur në restaurant.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues Shaqir Curri, ‘se kush ishte ky familjar nga Gjermania’, Ismet Berisha tha se ‘nuk ia dinte emrin’.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Nderim Gashit, avokatit Emrush Kastrati, ai tha se nuk kishte pasur njohuri për problemet në mes të familjeve Gashi e Hoxha.

Ai gjithashtu konfirmoi se Policia i kishte marrë kamerat e restaurantit të tij por për të cilat ai u shpreh se nuk ishte i sigurtë nëse funksiononin për shkak të disa vërshimeve që kishte pasur lokali i tij.

Më tutje dëshmoi ish-pjatalarësi i restaurantit “Vila Park” Limon Berisha.

Edhe ai konfirmoi se nuk i kishte njohur as të pandehurit, as viktimën e as të dëmtuarit.

Ai duke treguar për ditën e vrasjes tha se kishte parë një veturë pick-up të parkuar dhe po ashtu një person.

“Ishte orari i pasdites, ora s’më kujtohet edhe tamon e kam çelë derën e kuzhinës m`i çu pjatat, kam hasë në një pick up veturë mos gabofsha ka qenë ngjyrë e kaltërt. I kam dërgu pjatat në kuzhinë… dhe te dera e kuzhinës poshtë shkallëve më doli një person që nuk e njihja. Më pyeti ‘a bën me hy në sallë brenda’, unë i thashë ‘jo se është e rezervuar veç për persona që agjërojnë’. Edhe m’ka pytë ‘a bën jashtë?’. I thashë, ‘po’. Ma boni ‘po jashtë ftohtë’. Edhe nuk kam folë asgjë veç i kam ngritë krahët përpjetë dhe kam hy në kuzhinë” – shpjegoi Limon Berisha.

Më vonë kryetari i trupit gjykues i kërkoi duke insistuar Limon Berishës që të kthehej nga ana e të pandehurve që ishin të pranishëm në sallën e gjykimit dhe të tregonte nëse personi në fjalë ishte ndonjëri prej tyre.

Limon Berisha, i cili hezitoi të kthehej nga ana e të pandehurve, iu përgjigj gyqtarit duke i thënë se “nuk kishte pse të kthehej”, duke mohuar kështu se ndonjëri prej të pandehurve ishte personi në fjalë.

Momenti kur dëshmitari kthehet shkurt dhe duke ngurruar në drejtim të të akuzuarve - Foto - Flaka Fazlija - Kallxo
Momenti kur dëshmitari kthehet shkurt dhe duke ngurruar në drejtim të të akuzuarve – Foto – Flaka Fazlija – Kallxo

Tutje, dëshmitari Limon Berisha kthehet me ngurrim dhe tepër shkurtë me shikim nga të pandehurit, pas kërkesës së gjyqtarit kryesor që të përpiqet të identifikojë nëse ndonjëri prej tyre ishte personi i panjohur që kishte kërkuar të futej në sallën e restaurantit.

Por ai tregoi se përmes një fotografie e kishte identifkuar në Polici personin në fjalë.

Më tutje Limon Berisha tha se kishte kaluar një kohë e gjatë prej vrasjes ndaj dhe ndonjë fjalë e tij mund të ndryshonte nga ato që kishte deklaruar në Prokurori e Polici në vitin 2022.

Ai tha se për moshën që kishte ishte një ngjarje shumë e rëndë për të ajo çka kishte parë.

“Çfarë ka ndodhë” – e pyeti prokurorja Lumturije Vuçetaj.

“I kam dërgjuar krismat e alltisë, s’jam i sigurtë 2 apo 3 krisma. Unë isha në kuzhinë duke larë pjata, mbeta i ngrirë nga ngjarja që pashë. Sa kam parë unë njëri gjujke përpjetë me armë, tjetri goditke nëse nuk gaboj ka qenë lopatë. Kanë qenë dikund 3 ose 4 persona, nuk jam i sigurtë. Personi me lopatë goditke një person të shtrirë” – dëshmoi Limon Berisha.

“A ishte ky person i shtrirë tashmë i ndjeri Fazli Hoxha?” – pyeti prokurorja Lumturije Vuçetaj.

“Po” – u përgjigj dëshmtari.

Më tutje ai tregoi se viktimën e kishin marrë në veturë në mënyrë që ta dërgonin për t’i dhënë ndihmë.

Ai tha se nuk kishte qëndruar duke parë deri në përfundim të ngjarjes sepse dikush e kishte tërhequr nga brenda.

Në fund të shqyrtimit mbrojtësi i Basri Gashit, avokati Ruzhdi Gashi kërkoi që të mbrojturit të tij t’i hiqet paraburgimi dhe t`i vendoset një masë më e lehtë e sigurisë.

Kërkesës së tij iu bashkangjitën edhe mbrojtësit e tjerë, përkatësisht avokati Ndrec Dodaj, mbrojtës i Agron Gashit, avokati Gëzim Kollçaku, mbrojtës i Ardit Gashit, avokati Gani Kelmendi, mbrojtës i Bahri Gashit, avokati Emrush Kastrati, mbrojtës i Nderim Gashit.

Avokati Taulant Rracaj nuk pati nevojë të bashkangjitej pasi i mbrojturi i tij, Ylli Gashi është i vetmi i cili po mbrohet në liri.

Prokurorja Lumturije Vuçetaj e kundërshtoi në tërësi kërkesën duke thënë mes të tjerash se ‘raportet e familjeve Gashi dhe Hoxha akoma nuk janë rrregulluar’.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Shaqir Curri dhe anëtarët Sami Sharraxhiu e Violeta Husaj- Rugova, do të vendosin për këtë kërkesë me një vendim të veçantë jashtë seancës.

Shqyrtimi për rastin do të vazhdojë më 26 janar 2024.

Aktakuza e Prokurorisë

Fazli Hoxha, sipas Prokurororisë, është vrarë më datë 28 prill 2022, në fshatin Volljakë, komuna e Klinës në parkingun e restaurantit “Vila Park” për qëllime hakmarrjeje të paskrupullt.

Ai atë ditë kishte darkuar për iftarë me vëllezërit e tij Albertin dhe Mahmutin.

Ndërkohë që Fazliu kishte humbur jetën, vëllezërit e tij Alberti dhe Mahmuti kishin pësuar lëndime të lehta trupore nga kjo ngjarje.

Prokuroria po i ngarkon me akuza për vrasje të rëndë të realizuar në bashkëkryerje Nderim Gashin, Basri Gashin, Agron Gashin, Ardit Gashin dhe Bahri Gashin.

Kurse Ylli Gashi po akuzohet se ka ndihmuar në vrasje duke ia siguruar armën Nderim Gashit.

Sipas aktakuzës të gjitha këto veprime nga të pandehurit janë ndërmarrë me motiv hakmarrjeje ku tre vëllezër të tjerë të të dëmtuarve Hoxha kishin rrahur një vëlla të të pandehurve Gashi për një borxh 300 euro në Brescia, Itali.