Ilustrim

Pamje: Babai i viktimave e gjuan me shishe të akuzuarin - VIDEO

Gjykata e Gjakovës as sot nuk arriti ta shpallë vendimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e dyfishtë në Malishevë.

Kjo për arsye se lidhur me këtë rast Gjykata e Gjakovës ka vendosur që përsëri të rihapet gjykimi.

Por vendimi për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor shkaktoi tensione tek familjarët e viktimave.

Motra e viktimave Bahri e Shani Maloku, Besnike Maloku tha se kjo gjë është provokim i familjes.

Ndërsa sipas gjykatësit Gëzim Pozhegu arsyeja e rihapjes së gjykimit u bë për shkak të shqyrtimit të provave në mënyrë të saktë dhe të drejtë.

“Qe s’di sa herë janë tu kqyr ato prova, sa herë  duhet mu kqyr. Kjo është provokim i familjes ta dini”, ju drejtua Besnike Maloku, trupit gjykues.

Motra e viktimave reagoi edhe ndaj të akuzuarit Blerim Maloku, të cilit ju drejtua me fjalët: “çka po m’kqyr o kriminel”.

Lidhur me caktimin e seancës së ardhshme gjyqësore, gjykatësi Gëzim Pozhegu tha se palët do të njoftohen në mënyrë të rregullt e gjithashtu do të njoftohet edhe eksperti mjekoligjor dhe ai i balistikës.

Përpos motrës së të akuzuarit, reagime pati edhe nga babai i viktimave, i cili gjykatësit të rastit ju drejtua me fjalët: “a keni fëmijë a jo a?”.

Mllefi i babit të viktimave, Tafë Malokut nuk mbaroi me kaq pasi që i njëjti përpos fjalëve, e gjuajti edhe me shishe të akuzuarin Blerim Maloku.

Pas këtij veprimi u desht ndërhyrja e zyrtarëve policor për ta larguar të njëjtin nga salla e gjykimit.

Ne seancën e rihapjes se gjykimit i pranishëm nuk u pa i akuzuari Besim Maloku, lidhur me mos praninë e tij në sallë, u tha se njësiti i transportit e ka njoftuar Gjykatën që gjatë rrugës kishin pasur një aksident dhe se do të vonohen gjysmë ore.

Kujtojmë se kjo është hera e dytë që shtyhet shpallja e aktgjykimit për këtë rast, pasi që edhe të premten e javës së kaluar ishte paraparë shpallja e aktgjykimit por Gjykata e kishte shtyrë për ditën e sotme.

Shtyhet aktgjykimi për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë

Sipas aktakuzës, viktimat Bahri dhe Shani Maloku po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Në gjykimin e mbajtur në muajin Dhjetor 2018, i akuzuari Besim ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim e kishte pranuar fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim pa leje të armës.

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besim gjendet në paraburgim prej 9 marsit të vitit të kaluar.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin nëntor të vitit 2018, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Malokut.

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut, në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.