Arkiv: Shani e Bahri Maloku, të vrarë në fshatin Plloçicë të Malishevës. Foto: Kallxo.com

Vrasja e dy vëllezërve në Malishevë: Avokati e sfidon aktakuzën

Në gjykimin e të akuzuarve Besim dhe Blerim Maloku për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, dëshmoi eksperti i balistikës Ilir Kukaj.

Prokuroria po akuzon Besim Malokun për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ata po akuzohen nga Prokuroria në rastin e vrasjes së dy vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Eksperti i balistikës Ilir Kukaj tha se pushka e përdorur gjatë vrasjes ka qenë profesionale ndërsa pistoleta ka qenë e konvertuar nga armë e gasit në armë zjarri dhe se e njëjta kishte qenë funksionale.

“Gëzhojat janë të shkrepura nga dy armë të ndryshme. Prej gëzhojave ose predhave nuk është identifikuar arma me të cilën është shkrepur”, tha Kukaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besim Maloku, avokatit Ndrec Dodaj, e pyeti ekspertin se a është sjellë për ekzaminim arma për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij?!

Në përgjigjen e tij eksperti tha se “ajo armë nuk është sjellë bashkë me dëshmitë e tjera për ekzaminim”

“Gëzhojat nuk na kanë sjellë rezultate që janë shkrepur nga dy armët të cilat kanë qenë objekt ekspertimi, që do të thotë këto dëshmi nuk janë indentifikuar ende”, tha Ilir Kukaj.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Naim Rudari kërkoi që të bëhet plotësimi i aktakuzës, në mënyrë që edhe i akuzuari Blerim Maloku të akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë.

“Në mesin ku ka ndodhur incidenti, opinioni e din se për çka ka ndodhur rasti, mirëpo propozimin për prova të reja do ta bëjmë kur ta kemi edhe pëlqimin e personave nga të cilët kam marrë informacione”, shtoi avokati Ndrec Dodaj.

Avokati Dodaj tha se kjo aktakuzë e Prokurorisë “do të jetë shembull se si nuk duhet të punohet”.

“Do të vërtetohet se si organi i hetimit do ta orientojë hetimin në një pistë, në mënyrë që të fshehet pista e vërtetë e krimit”, tha Ndrec Dodaj.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Gëzim Pozhegu dhe anëtarët Besarta Doli dhe Ilir Rashkaj, ndërprenë seancën e sotme duke e caktuar seancën tjetër më 20 mars, ku pritet të dëshmojë eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu.

Në gjykimin e kaluar të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, i akuzuari Besim Maloku ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari tjetër Blerim Maloku e kishte pranuar fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim pa leje të armës.

https://kallxo.com/vrasja-e-pjesetarit-te-fsk-se-i-akuzuari-per-armembajtje-pranon-fajesine/

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besim Maloku gjendet në paraburgim prej 9 marsit 2018.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin nëntor të 2018, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Malokut.

https://kallxo.com/njeri-nga-te-vraret-ne-malisheve-pjesetar-fsk-se/

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani, raporton KALLXO.com.

Këto vepra janë kryer në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur. Sipas aktakuzës, Besim Maloku me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerim Maloku një pistoletë, raporton kallxo.com.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut, në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.

https://kallxo.com/prokuroria-pretendon-se-hajnat-e-vrane-pjesetarin-e-fsk-se/