Dosja e Prokurorisë – Thaçi dyshohet se në Qirez kërcënoi me vrasje një anëtar të delegacionit nga Prishtina

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë dites


Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar aktakuzën e redaktuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Në pikën e 46 të aktakuzës, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se në shtator të vitit 1998, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi ishin të pranishëm në vendin e arrestimit në Qirez dhe në Baicë, ku të arrestuarit janë rrahur dhe pastaj marrë në pyetje.

Sipas aktakuzës, ata kishin qenë 13 anëtarë të një delegacioni nga Prishtina që kishin shkuar për vizitë humanitare në fshatin Qirez të Skenderajt.

Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi dhe Sabit Geci i kishin marrë në pyetje dhe u kishin kërkuar që të hiqnin dorë nga LDK, Ibrahim Rugova dhe funksionet e tyre.

Në aktakuzë përshkruhet tutje pretendimi se Sabit Geci në prezencë të Hashim Thaçit, kishte thënë që do të vras një pjesëtar të delegacionit.

Ndërsa, në aktakuzën e Prokurorisë pretendohet se Hashim Thaçi i kishte thënë njërit prej pjesëtarëve të delegacionit që “edhe pse është i lirë tani, mund ta vrasin në Prishtinë”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023, e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e publikuar, janë bërë të ditur edhe emrat e disa prej viktimave që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë gjatë viteve, 1998 dhe 1999.

Dosja Hashim Thaçi dhe të tjerët – Publikohen emrat e të vrarëve