Dëshmitarja Bozhaniq pretendon se anëtarë të UÇK-së ia rrëmbyen burrin e djalin, e pranon se kishin armë në shtëpi

Në seancën e së enjtes në Dhomat e Specializuara në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka dëshmuar Dragica Bozhanoviq.

Zyra e Prokurorit të Specializuar paraprakisht lexoi përmbledhjen e deklaratave të dëshmitares, e cila kishte deklaruar se në fshatin e saj Opterushë të Rahovecit gjatë natës së 18 korrikut 1998, ajo dhe anëtarë të familjes së saj janë sulmuar nga UÇK-ja.

Sipas dëshmitares, burrat dhe gratë ishin ndarë dhe burrat ishin rrahur nga anëtarë të UÇK-së.

Tutje, dëshmitarja ka theksuar se atë e kishin dërguar te bashkëshorti i saj dhe i kishin dhënë një letër që t’u dërgohej fshatarëve të fshatit Zoqisht dhe që t’i dorëzohen UÇK-së.

Tutje, sipas dëshmitares, të njëjtit janë dërguar më pas në një fshat tjetër ku janë mbajtur në manastir ndërsa burrat i kishin mbajtur ende të ndaluar, ndërsa gratë dhe të moshuarit ishin liruar natën tjetër nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Dëshmitarja tha se anëtarë të UÇK-së ia kanë rrëmbyer burrin dhe djalin, të cilët asnjëherë më nuk i ka parë.

Dëshmitarja Bozhaniq tha se bashkëshorti i saj ka qenë mësues dhe se i njëjti nuk ka qenë pjesë e ushtrisë serbe sepse ka pasur probleme shëndetësore.

Tutje, ajo sqaroi që një person (emrin e të cilit e tregoi në seancë jopublike) e kishte njohur shumë mirë burrin e saj dhe se kishin bërë marrëveshje që të mbronin njëri-tjetrin, por ai, sipas saj “nuk e mbajti fjalën’’ dhe ata u sulmuan më 18 korrik 1998.

Dëshmitarja theksoi se u befasua kur e kishte parë atë person dhe se kur të njëjtit ishin sulmuar e kishin plagosur me granatë dore djalin e saj.  “Ai ishte vetëm 16-vjeç’’ – tha dëshmitarja.

Dëshmitarja theksoi se në fshatin e saj kanë qenë 260 familje shqiptare dhe 10 familje serbe.

‘’Ne kemi jetuar së bashku dhe kemi pasur respekt të ndërsjellë’’ – shtoi ajo.

Dëshmitarja theksoi se në kohën e sulmit në fshat nuk kishte qenë njëri nga djemtë e saj për shkak se ishte dërguar në ushtri nga burri i saj dhe Zllatko Bozhaniq.

Dëshmitarja theksoi se nga anëtarët e UÇK-së nuk ishin njoftuar asnjëherë për arsyen e ndalimit por që të njëjtit iu janë drejtuar me fjalët: ‘‘Nuk ju kemi marrë me qëllim që të ju vrasim se po të kishim dashtë me bë këtë, do ju vrisnim në oborrin tuaj’’.

Dëshmitarja theksoi se edhe lirimi i tyre përmes Kryqit të Kuq ka qenë i vështirë dhe se UÇK-ja nuk ua kishte dhënë ndonjë dokument që dëshmonte lirimin e tyre.

Tutje, dëshmitarja gjatë pyetjeve të mbrojtësit të viktimave Simon Laws theksoi se tanimë nuk jeton në Kosovë.

Në pyetjet e ekipit të mbrojtjes së Hashim Thaçit, avokatit mbrojtës Gregory Kehoe dëshmitarja pohoi që burrat e fshatit kanë qenë të armatosur.

Dëshmitarja Bozhaniq u pyet nga Kehoe nëse është e saktë të thuhet që autoritetet serbe u kishin dhënë armë civilëve në fshatra të ndryshme të Kosovës.

E njëjta e pohoi këtë fakt dhe shtoi se kjo kishte ndodhur para ngjarjes së 18 korrikut.

E njëjta, për ditën e incidentit deklaroi që burrat në shtëpinë e tyre kishin pasur armë porse nuk i kishte parë dhe pohoi që shqiptarët kishin sulmuar të parët ndërsa më pas u janë kundërpërgjigjur serbët.

Dëshmitarja theksoi se Olgica Bozhaniq është personi i parë që i ka treguar historinë e saj dhe se ajo është zëdhënësja e tyre e cila merret me çdo gjë lidhur me këto çështje.

Dëshmitarja në fund të dëshmisë së saj tha që nuk ia uron askujt atë që e ka përjetuar, se gjysma e zemrës i është humbur kur i kanë rrëmbyer djalin 16-vjeçar dhe se nuk do të ndalojë deri tek zbulimi i të vërtetës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.