Dedaj: Në kohën e luftës, zyrtarë të partive, më shumë të LDK-së, kanë bërë propagandë anti-UÇK
Gjergj Dedaj ka vazhduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale ku për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit po gjykohen Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-eprorë të UÇK-së.
Gjatë dëshmisë së sotme, dëshmitari Dedaj ka thënë se në kohën e luftës zyrtarë të partive, por më shumë të LDK-së, kanë bërë propagandë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kanë bërë deklarata tepër të dëmshme, etiketuese për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sa për sqarimin tuaj, në UÇK ka pasur anëtarë të të gjitha partive, edhe anëtarë të Partisë Liberale të Kosovës. Tani po flasim se ka pasë individë dhe zyrtarë në parti të ndryshme, me shumë ka pasë në LDK se partia ka qenë më e madhja, që kanë bërë propagandë anti-UÇK, që kanë tentu me e denigru aktivitetin çlirimtar në luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” – tha Dedaj derisa iu përgjigj avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.
Avokati Luka Mishetiq e ka pyetur Dedajn nëse UÇK-ja ishte një forcë ushtarake që operonte brenda kuadrit të institucioneve legjitime në atë kohë (viti 1998).
Dedaj ka shpjeguar se institucionet e Kosovës në Prishtinë ishin ato të përcaktuara për zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe se ato nuk kishin arritur të integronin UÇK-në brenda kuadrit të legjitimitetit.
“Institucionet e Kosovës në Prishtinë ishin ato të cilat ishin përcaktuar për zgjidhjen paqësore dhe nuk i kanë afru bashkëpunimin e duhur UÇK-së që ajo të jetë në kuadër të institucioneve të atëhershme” – shtoi Dedaj.
Meqë gjatë dëshmisë së djeshme dhe të sotme Gjergj Dedaj është pyetur për ngjarjet e shtatorit 1998, me ç’rast në deklarata të ndryshme për shumë vite më pas kishte pretenduar se ishte keqtrajtuar nga ushtarë të UÇK-së ai dhe anëtarë të delegacionit, dëshmitarit pyetje në lidhje me këtë ngjarje i parashtroi edhe avokati i Hashim Thaçit.
Sa për sqarim, Gjergj Dedaj në seancën e djeshme ka thënë se në 90 për qind të deklaratave që i ka dhënë lidhur me rastin në Qirez “nuk kam qenë normal”.
Avokati Mishetiq ia ka prezantuar Dedajt një deklaratë, të cilën sipas tij anëtarja e delegacionit, Sanie Aliu, e kishte dhënë për gazetën “Koha Ditore” në shtator të vitit 1998.
Për këtë, Dedaj pohoi se ajo mund të ketë parë ëndërr ose të ketë pasur halucinacione.
Në këtë deklaratë, sipas avokatit Mishetiq, Aliu kishte thënë se “në Qirez ishin ndaluar nga Policia sekrete e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila iu kishte thënë se të gjithë përfaqësuesit politikë janë të arrestuar ndërsa gratë dhe gazetarët janë lënë që të shkojnë”.
“Citon zonjën Aliu: Papritmas në zyrë hynë një grup i ushtarëve të UÇK-së, rreth dhjetë veta të armatosur rëndë dhe i kërkuan nga të gjithë të pranishmit letërnjoftimet për t’i dërguar për verifikim. Pas një kohe, kërkuan nga shoferët e automjeteve tona të dalin jashtë kurse njëri prej tyre që u prezantua si udhëheqës i shërbimit sekret të UÇK-së me ton kërcënues na pyeti: “Pse keni ardhur këtu të mbani këtë në mbledhje?” – shpjegoi zonja Aliu dhe shtoi se ata u interesuan të dinë për qëllimin dhe organizatorin e kësaj vizite” – lexoi avokati Mishetiq.
Ndërsa, Dedaj u përgjigj se Aliu mund të ketë pasur halucinacione, sepse një gjë e tillë nuk ka qenë e vërtetë.
“Ajo ka mujtë me pa ëndërr ose me pasë ndonjë halucinacion, por nuk ka qenë e vërtetë, plus grupi që është kthyer për Prishtinë menjëherë nuk është korrekt, ata mund të spekulojnë se ata janë shku menjëherë për Prishtinë. Ata që kemi mbet aty, 13 prej nesh ata mund të flasin se është e drejtë e tyre. Po ata që s’kanë qenë aty e tash flasin, unë nuk mundem me ia mohu, secili ia ka futë kot sipas dëshirës së vet” – deklaroi Dedaj.
Gjergj Dedaj është ftuar nga Prokuroria për të dëshmuar në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Dëshminë ai do ta vazhdojë edhe nesër.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.
Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.