Albulena Haxhiu - Foto: Kallxo.com
Albulena Haxhiu ftohet të dëshmojë për rastin e Astrit Deharit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se do të intervistohet nga ana e prokurorisë së shtetit në cilësinë e dëshmitares për rastin e Astrit Deharit.
Në shkresën e Prokurorisë Speciale të publikuar nga vetë ajo shkruhet se Policisë së Kosovës, rreshterëve respektiv i jepet autorizim për ta intervistuar Albulena Haxhiun.
Mëtutje në shkresë kërkohet që e njëjta të sqarohet lidhur me postimin e saj në rrjetin social “Facebook” dhe në medie tjera publike të datës 5 Nëntor 2023.
“Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast…” si dhe, “Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetenat e saj, i mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar.”
Prokurori i shtetit Afrim Shefkiu ka kërkuar që Haxhiu të sqarohet se cilat janë provat të cilat i ka përmendur dhe kush janë kryerësit e veprës penale sipas saj.
Publikimit të kësaj shkrese Haxhiu ia ka bashkangjitur edhe një reagim ku ajo ndër të tjera ka thënë se nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e prokurorit special Afrim Shefkiu.
“Është një gjë e thjeshtë që duhet të dijë një prokuror, Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar. Unë nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e tij” – ka shkruar Albulena Haxhiu.
Haxhiu ia ka kujtuar prokurorit speciale se me rastin në fjalë po merret prej vitit 2019, por sipas saj, ai ende nuk ka arritur asnjë rezultat lidhur me këtë rast.
Ministrja e Drejtësisë e ka konfirmuar se do të jap dëshminë e saj lidhur me këtë rast.
“Prokurori Shefkiu dhe eprori i tij, nuk mund të na heshtin në kërkesën tonë për drejtësi” – e ka mbyllur ajo.