Aktakuzë ndaj 12 personave, rrahja që eskaloi në tentimvrasje për një zinxhir ari

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dymbëdhjetë të pandehurve Sh. K., V. Gj., B. K., E. K., Z. Xh., Z. (F) Xh., P. Xh., K. Q., G. K., L. K., Q. K., dhe R. K.

Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, lëndimi i rëndë trupor dhe pjesëmarrja në rrahje.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh. K., më datë 7 maj 2023 rreth orës 01:23 në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, përballë njërës prej qendrave tregtare, me dashje fillon kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të cilën nuk e përfundon ndaj të dëmtuarve Q. K., dhe R. K., si dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e personave tjerë siç janë: G. K., L. K., B. K., G. K., dhe P. Xh.

Sipas Prokurorisë pas një mosmarrëveshjeje rreth dyshimeve për vjedhje të një zinxhiri të arit, përfshihet në rrahje një numër i madh personash nga të dyja palët, ku pasi ndërpritet përleshja, i pandehuri Sh. K., paraqitet në vendin e ngjarjes dhe menjëherë hedhet në sulm, i cili nxjerr armën e zjarrit të cilën e drejton në drejtim të G. K., aty ndërhynë Q. K., duke ia kapur armën nga dora mirëpo persona tjerë e sulmojnë Q. K., dhe pasi ky i fundit rrëzohet në tokë i pandehuri shtënë me armë në drejtim të tij, të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore.

Tutje thuhet se pasi i dëmtuari Q. K., largohet me shpejtësi duke u hedhur rreth 2 metra poshtë në oborrin e qendrës tregtare që gjendej aty afër, i pandehuri shkon në pjesën tjetër të turmës ku po konfrontoheshin fizikisht me grushte e shqelma dhe shtënë dy herë në drejtim të dëmtuarit R. K., të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore, përkatësisht dy plagë nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.

Me këto veprime, i pandehuri Sh. K. dyshohet se ka kryer veprat penale vrasje e rëndë e ngelur në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I pandehuri B. K., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personave tjerë, i sulmon të dëmtuarit V. Xh., dhe Z. (F) Xh., me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë.

Me këto veprime, i njëjti sipas prokurorisë kryen veprën penale lëndimi i rëndë trupor.

I pandehuri V. Xh., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, e sulmon të dëmtuarin/pandehurin L. K., paraqitet në vend të ngjarjes më një thikë me gjatësi tehu prej 9cm, e godet disa herë të pandehurin, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, i pandehuri V. Xh. ka kryer veprat penale lëndimi i rëndë trupor dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të pandehurit: E. K., L. K., Z. (F) Xh., K. Q., dhe G. K., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor, të cilët përdorin mjete të rrezikshme si: brisk, shufra metalike dhe boks hekuri.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë secili veç e veç ka kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje.

Të pandehurit: Z. Xh., P. Xh., Q. K., dhe R. K., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë secili veç e veç ka kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.