Mbledhja e Bordit të ZRrE-së, 31 janar 2022 - Foto: KALLXO.com

ZRrE vendos për tarifat e reja

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovat energji elektrike në muaj.

Po ashtu, ai tha se konsumatorët që shpenzojnë 1000 kilovat do të kenë rritje mesatarisht prej 10 euro.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi që nga nesër, më 9 shkurt 2022.

Këto tarifa do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2023.

Propozimi i Departamentit të Tarifave në ZRrE mori 5 vota për dhe asnjë kundër.

Fillimisht, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Pra tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë, propozimi ishte të vazhdonin të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë.

Tarifa për energjinë në tarifë të lartë ishte propozuar nga 6.75 centë për kilovat në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 centë në 6 centë, një rritje prej 107%.

Kundër këtij propozimi pati protesta e reagime të ndryshme.

Pas propozimit të ZRrE-së, deri më 31 janar, të njëjtit kanë pranuar komente nga palët e interesit, institucione të ndryshme, organizatat joqeveritare e partitë politike, me propozime të ndryshme për tarifat e reja të energjisë elektrike.