ZRrE vendos për mënyrën e kompensimit të konsumatorëve që u faturuan për rrymën e shpenzuar në veri

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) do të zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e qytetarëve që janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në veri.

Sipas vendimit, “ZRrE në mbledhjen e mbajtur më 05.04.2024 ka vendosur që të obligojë Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të kompensojë vetëm konsumatorët të cilët vërtetohet se kanë qenë aktiv dhe kanë kryer detyrimet e pagesave për periudhën nga data 06.02.2012 deri më datën 20.10.2017”.

Kompensimi i konsumatorëve do të bëhet duke filluar nga data 01.06.2024 deri më 28.02.2030.

“Këta konsumatorë do të kompensohen duke u zbritur në faturat e rregullta mujore vlerën përkatëse të kompensimit”- thuhet në njoftim.

Gjykata Kushtetuese më 11.03.2024 ka vërtetuar vendimet të cilat obligojnë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

Ky rast ndërlidhet me padinë e ushtruar nga Avokati të Popullit përmes së cilës kërkohej që të anulohej një vendim i datës 06.02.2012 i Zyrës së Rregullatorit për Energji “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike”. Përmes këtij vendimi rryma e shpenzuar në komunat në veri të vendit, përkatësisht Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq ishte paguar nga qytetarët tjerë të Kosovës.

Kompensimi ishte urdhëruar që të bëhet për periudhën 06.02.2012 deri më 20.10.2017 në vlerën 40,855.480.00 euro.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se nga 01.01.2024, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.

Kushtetuesja vendos që qytetarët të kompensohen për rrymën e paguar për komunat veriore