Ilustrim

ZRRE propozon 401.51 milionë euro buxhet për KESCO-n për 2024, mbi 3 milionë më shumë se vitin e kaluar

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar që buxheti për kompanitë që merren me energji në vitin 2024 të jetë 401.51 milionë euro.

Kjo shifër është 3.07 milionë euro më shumë sesa të hyrat maksimale të vitit paraprak, që ishin 398.44 milionë euro.

Ky propozim nuk dihet nëse do të ndikojë në rritje apo ulje të çmimit të energjisë.

Që nga data 1 janar 2024 ka filluar faturimi i energjisë në katër komunat veriore, gjë që do të ketë ndikim në çmimin e energjisë për vitin 2024.

Në vitin 2023, të hyrat e Kompanisë kosovare për furnizim me energji elektrike (KESCO) ishin rritur për 51.2 milionë euro, krahasuar me vitin 2022 dhe kjo rritje kishte ndikuar që tarifat e energjisë të shtrenjtoheshin për 15 %.

Ndërkaq, KESCO ka kërkuar që buxheti (Të Hyrat Maksimale te Lejuara) për vitin 2024 të jetë 410.15 milionë euro, por ZRRE-ja në propozimin fillestar ka propozuar një buxhet prej 8.64 milionë më pak.

Ky është propozim fillestar i publikuar në raportin konsultativ për përshtatjet e të hyrave të lejuara maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU).

Raporte të tilla ZRRE ka publikuar edhe për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

Për këto raporte, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka ftuar kompanitë e licencuara, konsumatorët e palët e tjera të interesit që të japin komentet e tyre.

Këto komente mund të dorëzohen deri më 21 shkurt 2024, përmes postës elektronike [email protected] apo përmes postës në adresën : Zyra e Rregullatorit për Energji, Departamenti për Tarifa dhe Çmime, Rr. Bekim Fehmiu (Ish Ndërtesa e Fazitës), kati:2, 10000 Prishtinë, Kosovë.

Për tarifat e reja do të vendoset në mars e ato do të hyjnë në fuqi më 1 prill.