ZRrE miraton tarifat e reja, shtrenjtohet rryma rreth 15%

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ka marrë vendim të enjten që ta shtrenjtojë rrymën rreth 15%

Tarifat e reja të rrymës do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli.

Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të ZRrE-së tha se kjo është një rritje minimale që është bërë e tarifave. Sipas tij, rritja ka ndodhur për shkak se mundëson furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

“Rezultati i një procesi që ka filluar në maj të vitit të kaluar, përfundon sot për shqyrtimin e tarifave. Në këtë mbledhje është vendos për tarifat me pakicë, do te ketë rritje të tarifave për të gjithë konsumatorët për rreth 15 %. Këto tarifa vlejnë deri në mars 2024, nëse nuk ka kërkesa të tjera për shqyrtim” – ka thënë Fejzullahu në konferencë për media.

“Ne kemi mujtë me shmang rritjen, por ishin shfaqur reduktimet. Reduktimet janë kosto më e madhe për secilën kategori, sesa rritja” – tha ai.

Sipas vendimit të ZRrE-së, konsumatorët që kanë konsum shtëpiak deri në 300 kilovat në orë, nëse proporcioni i konsumit është 60 tarifa e lartë me 40 tarifa e ulët fatura mujore do të ketë rritje prej 2 euro e 80 centë.

Për ata që kanë konsum deri në 450 kilovat në orë, fatura mujore do të ketë rritje prej 4 euro e 18 centë.

Për konsumatorët që kanë konsum deri në 600 kilovat në orë, rritja e faturës mujore do të jetë 5 euro. Dhe për konsumatorët deri në 800 kilovat, ku 80 për qind e konsumatorëve janë pjesë e kësaj kategorie, rritja mujore do të jetë rreth 7 euro e 23 centë.

Mbledhja e bordit të ZRrE-së | Foto: KALLXO.com

Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte propozuar që të ketë rritje të tarifave të rrymës për 13.4% për vitin 2023, pas kërkesës së bërë nga Furnizuesi Publik – KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor.

KESCO në raportin e tyre kanë thënë se kriza energjetike dhe ajo ekonomike që e kanë karakterizuar vitin 2022 dhe që do të vazhdojë të jete prezent edhe përgjatë vitit 2023, tashmë e kanë dëmtuar rëndë gjendjen financiare të FSHU-së.

Tarifat e energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Në muajin shkurt, Qeveria e Kosovës ishte zotuar se do t’i jap 90 milionë euro për subvencionim të energjisë.

Në shtator të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar për pakon e re për ta përballuar inflacionin. Ai kishte bërë të ditur se do të subvencionohen të gjithë qytetarët të cilët kursejnë rrymën elektrike.

Ishte thënë se qytetarët do të subvencionohen për dyfishin e kursimit të energjisë elektrike. Konsumatorët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi do të përdoren të dhënat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte njoftuar që nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kilovatë në shtatorin e vitit 2021 ndërsa në shtatorin e vitit 2022 ka harxhuar 900 kilovatë, ajo do të subvencionohet për dyfishin e kursimit, do të thotë 20% (pasi që 10% është kursimi në mes dy muajve, ndërsa dyfishi i kursimit është 20%).