Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

Bislimi: Nga sot rryma do të paguhet njëjtë në të gjithë Republikën e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar se nga sot edhe në veri të Kosovës do të paguhet rryma njëjtë sikurse në pjesën tjetër të vendit.

“Pas më shumë se 20 vitesh, edhe në veriun e vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës” – ka shkruar Bislimi në Facebook.

Kompania energjetike e Serbisë, Elektrosever, sic thotë Bislimi, ka filluar nominimin e energjisë që konsumohet në katër komunat veriore, të cilat janë të banuara me shumicë serbë.

Si rrjedhojë, nga sot sipas zëvendëskryeministrit pushojnë edhe devijimet e KOSTT-it.

Bislimi ka shkruar se ky një janar ka shënuar fillimin e tri proceseve të reja, përshirë liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirshme me targa RKS në Serbi.

Më 9 dhjetor është bërë e ditur se Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Elektroserver kanë nënshkruar një kontratë komerciale.

I dyti i qeverisë, pati deklaruar se nënshkrimi i kësaj kontrate është hap tutje në normalizim të faturimit dhe furnizimit me energji në katër komunat në veri të Kosovës.

Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije). Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Kryeministri Albin Kurti në shkurt të këtij viti kishte thënë se pagesa e rrymës për katër komunat në veri, buxhetit të Kosovës që nga viti 1999 i ka kushtuar rreth 320 milionë euro.