ZRRE fton mediat, takimi nis me vonesë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka thirrë një takim sot, më 07.04.2025, me mediat.

Takimi ishte planfikuar të nis në ora 10:00, po i njëjti nisi pas orës 10:30.

Në fillim zyrtarët e ZRRE kërkuan që gazetarët të marrin vetëm pamje në fillim të takimit ndërsa pjesa tjetër e planifikuar të mbahet pa xhirime.

Por, gazetarët e disa mediave të pranishme nuk u pajtuan. Ata kërkuan që i gjithë takimi të filmohet.

Pas disa diskutimeve, Petrit Pepaj, drejtor menaxhues në ZRRE konfirmoi që takimi mund të vazhdojë edhe me xhirime.

Në takim ishte planifikuar që të flisnin anëtarët e bordit të ZRRE, por ata nuk janë paraqitur pas kërkesës së gazetarëve për xhirmin e takimit.

“ZRRE nuk ka qëllim asgjë me fsheh, roli i mediave është i rëndeshëm në veçanti kur bëhet fjalë për një sektor kaq të rëndësishëm. Angazhimi ynë është i pandërprerë me media” – tha Pepaj para gazetarëve.

Të shtunën e 05.04.2025 u mbajt një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Protesta, e thirrur nga iniciatiava qytetare “Asnji cent ma shumë”, ka mbledhur një numër të madh qytetarësh.

“Ndal varfërimit të qytetarëve!”, “S’ka dritë me padrejtësi”, “Qeveri, a je me qytetarët apo me monopolin?”… shkruante në pankartat që mbanin në duar protestuesit.

“Jo më padrejtësi në emër të energjisë Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka njoftuar më 14.03.2025 për propozimin për shtrenjtimin e rrymës për 15% në Kosovë, pas dorëzimit të raporteve të Kompanive KOSTT, KEDS dhe KESCO, në lidhje me të hyrat maksimale të lejuara.

Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në një deklaratë në “Kallxo Përnime” më 14.03.2025 kishte deklaruar se rritja e çmimit të rrymës nuk mund të shmanget për dy arsye.

“Rritja është e pashmangshme për shkak të kostove që kanë ndodhë. Përafërsisht 15% pritet me u rritë.” – ka deklaruar Pepaj.

“Janë dy shkaktarë kryesorë që e kanë pru këtë kosto: është mungesa e gjenerimit që ka qenë në vend; edhe në burime të ripërtëritshme që ka pasur në vend ka pasur mungesë të gjenerimit, edhe çmimet e importit. Këto e kanë shkaktuar rritjen e çmimit.” – tha ai.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është kundërshtuar nga shoqëria civile në Kosovë, si nisma “Asnjë cent më shumë”, partitë politike si LDK, AAK dhe PDK.

Po ashtu, edhe Presidenca e Kosovës më 28.03.2025 përmes një komunikate për media, ka kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, nën arsyetimin se ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore, që e obligon Zyrën e Rregullatorit Ekonomik (ZRRE) të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.

Kurse, Ministria e Ekonomisë ka propozuar që rritja e çmimit të rrymës të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kwh.