(Arkiv) Presidenti Donald Trump në takim me liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky - Foto: Shtëpia e Bardhë

Zelensky mbërrin në Davos për bisedime me Trumpin

Emisari i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, ka deklaruar të enjten (22.01.2026) se është shënuar “shumë përparim” në bisedimet e paqes në Ukrainë dhe se negociatat kanë ngecur vetëm në një çështje të fundit, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Zvicër për bisedime me homologun amerikan, Donald Trump, raporton Reuters.

Zelensky kishte thënë gjatë javës se nuk do të merrte pjesë në Forumin Ekonomik Botëror vjetor në Davos dhe se do të qëndronte në Kiev që të përqendrohej në krizën energjetike në Ukrainë, ku sulmet ajrore ruse kundër infrastrukturës së energjisë elektrike kanë lënë pa energji e ngrohje pjesë të tëra të kryeqytetit dhe rajone të tjera.

Zelensky kishte thënë se do të udhëtonte në Davos vetëm nëse do të kishte mundësi të nënshkruante një marrëveshje me presidentin Trump për zgjidhjen e luftës gati katërvjeçare që do të përfshinte garanci sigurie dhe fonde për rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

Megjithatë, të mërkurën, Trump ka njoftuar se do të takohet me liderin ukrainas në Davos. Zëdhënësi i Zelenskyt ka bërë të ditur në një deklaratë se lideri ukrainas do të takohet me Trumpin në orën 13:00 para se të mbante fjalimin e tij në orën 14:30.

Witkoff ka zhvilluar bisedime ditëve të fundit me zyrtarë ukrainas në Davos, pas diskutimeve të fundjavës në Florida.

Ai do të udhëtojë drejt Moskës me kolegun e tij të dërguar të SHBA-së, Jared Kushner, më vonë të enjten për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, mbi planin e mundshëm që t’i jepet fund konfliktit, më vdekjeprurësin në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kremlini ka thënë se takimi i Putinit me Witkoffin dhe Kushnerin do të zhvillohet ndërmjet orës 19:00 dhe 20:00 sipas kohës lokale ruse.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com