Foto: Vetëvendosje, Qendra në Shqipëri

VV në Shqipëri kundërshton vizitën e Vuçiqit

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri e ka kundërshtuar vizitën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në këtë shtet.

Ata si shenjë kundërshtimi e kanë vendosur një baner tek hyrja e hotel “Rogner” me mbishkrimin “Këtu një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës”.

Sipas një njoftimi në Facebook, kryetari i Bordit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqiëpëri, Enis Sulstarova, tha para mediave se qeveria në Shqipëri po përpiqet “që një kriminel lufte si Aleksandar Vuçiç ta paraqesë si bamirës të të prekurve nga tërmeti i nëntorit, duke tentuar t’ia shplajë figurën Vuçiqit”.

“Mirëpo, shqiptarët e dinë se presidenti i Serbisë ka qenë Ministër i Informacionit gjatë kohës kur regjimi i Milosheviçit ka kryer masakra të shumta në Kosovë. Ushtria dhe paramilitarët serbë kanë vrarë e masakruar me mijëra civilë, nuk kanë kthyer mbi 1600 persona që mbeten të pagjetur, kanë dhunuar 20 mijë gra e vajza, kanë shkatërruar mbi 100 mijë shtëpi, kanë vjedhur artefaktet kulturore e fondin pensional, kanë shkatërruar mbi 50% të traktorëve dhe të bagëtisë në Kosovë, dukë bërë që Serbia t’i ketë borxh kombit shqiptar mbi 20 miliardë euro si dëmshpërblime lufte”, ka thënë ai.

Sipas tij,  Qeveria Vuqiç vazhdon ta luftojë pavarësinë e Kosovës dhe punon pa u ndalur kundër interesave të kombit shqiptar.

“Sot që Kosova njëzëri refuzon të marrë pjesë në një takim ku ministri i Milosheviçit paraqitet si bamirës, interesi kombëtar na thotë se të njëjtin qëndim duhet të mbante edhe qeveria e Shqipërisë”, ka thënë ai.

“Vuçiç nuk mund ta shmangë drejtësinë duke dhënë lëmoshë. Ai mbetet persona non grata për shqiptarët. Ftojmë qytetarët të na bashkohen këtë të premte për të shprehur njëzëri kundërshtimin tonë”, ka shtuar në fund Sulstarova.

Presidenca serbe ka njoftuar se Vuçiq do të qëndroj në do të qëndrojë në Shqipëri më 20 e 21 dhjetor për takimin e rradhës të shteteve të Ballkanit Perendimor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë samit pikërisht për shkak të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Liderët e tri vendeve ballkanike, Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiq, në nëntor arritën ujdi rreth projektit për ‘mini-Schengenin’ ballkanik.

Kryeministri i Shqipërisë, ai i Maqedonisë së Veriut dhe presidenti i Serbisë nga Ohri kanë përçuar mesazhin e përmbajtjes së marrëveshjes, e cila, sipas tyre ngërthen katër liritë e Bashkimit Europian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

Takimi i drejtuesve të këtyre vendeve po bëhet megjithëse nga Kosova i është bërë thirrje kryeministrit Edi Rama ta anulojë atë, sidomos pas deklaratave të presidentit serb, i cili e mohon masakrën e Reçakut të kryer nga forcat serbe më 1999.

Ndërsa takimi i radhës në mes tri shteteve të Ballkanit Perëndimor, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor.