Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaci refuzon ftesën e Ramës për pjesëmarrjen në takimin për ‘Mini-Schengenin’

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për për pjesëmarrje në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë”, ka shkruar Thaçi.

Në njoftimin e tij, Thaçi ka falënderuar Ramën për ftesën duke thënë që mbështetja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i përhershëm.

“ Për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Sipas Thaçit, iniciativat për bashkëpunim në kohën kur Serbia mohon krimet e kryera në Kosovë janë të pakuptimta.

“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

Sipas presidentit të Kosovës mosnjohja nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën.

“Për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë tutje ai.

Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do të vijë në Shqipëri për takimin e radhës të vendeve të ‘Mini-Schengenit’.

Siç raporton TCH, Presidenca serbe ka njoftuar se Vuçiq do të qëndrojë në Shqipëri më 20 e 21 dhjetor.

Kryeministri i Shqipërisë, ai i Maqedonisë së Veriut dhe presidenti i Serbisë nga Ohri kanë përçuar mesazhin e përmbajtjes së marrëveshjes, e cila, sipas tyre ngërthen katër liritë e Bashkimit Europian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.  

Para se të mbahej takimi i përbashkët në Ohër ndërmjet liderëve të disa shteteve të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bëri një njoftim. Ai tha se ka refuzuar pjesëmarrjen në samitin e Ohrit për disa arsye.

“Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave. Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarura”, tha i pari i Kosovës, Hashim Thaçi përmes Facebook-ut.