Çka nënkupton ‘mini-Schengeni ballkanik'?

Liderët e tri vendeve ballkanike, Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiq, të dielën arritën ujdi rreth projektit për ‘mini-Schengenin’ ballkanik.

Kryeministri i Shqipërisë, ai i Maqedonisë së Veriut dhe presidenti i Serbisë nga Ohri kanë përçuar mesazhin e përmbajtjes së marrëveshjes, e cila, sipas tyre ngërthen katër liritë e Bashkimit Europian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

Takimi në Ohër u mbajt një muaj pas takimit të ngjashëm të zhvilluar në Novi Sad të Serbisë.

Në këtë takim kishte edhe përfaqësues nga Mali i Zi dhe Bosnja, ndonëse niveli i përfaqësimit shtetëror nga këto dy vende ishte më i ulët.

Nikoqiri i këtij takimi, Zoran Zaev, foli i pari para gazetarëve të dielën më 10 nëntor ku edhe shpjegoi në pika të shkurta projektin e “Mini-Schengenit ballkanik”. Sipas tij, plani për të cilën është arritur ujdi përmban disa pika kyçe mbi lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave e shërbimeve dhe shkëmbimin e studentëve në mes vendeve.

Në fjalën e tij, ai u bëri thirrje edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që të bashkohen në këtë projekt, për të cilin tha se lehtëson jetën e qytetarëve.

“Lëvizjen e lirë 24 orë përmes letërnjoftimeve të qytetarëve nga i gjithë ky rajon. Plani, po ashtu, mundëson kushte, shirita më të shpejtë të kamionëve që kalojnë përmes pikave kufitare. Plan gjithashtu mundëson njohjen e dokumenteve të Agjencive të ushqimit dhe veterinarisë dhe të gjitha institucioneve të tjera administrative me qëllimin që t’i jepet një modalitet qarkullimit të kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve ashtu siç parashihet me katër liritë europiane”, tha Zaev.

“Plani konkret parasheh edhe njohjen e diplomave që investitorët të kenë parasysh njohjen e kuadrove nga i gjithë rajoni. Kjo do të sjellë një jetë më të pranueshme  për qytetaret tanë”, tha kryeministri maqedonas.

Të kënaqur me arritjen e marrëveshjen tripalëshe u shprehën edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq e kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Çka përfshin “mini-Schengeni ballkanik”?

Dje gjatë ditës, gazeta serbe “Blic” publikoi 10 pika të marrëveshjes së Ohrit për të cilat u pajtuan tre nismëtarët e idesë së “mini-Schengenit”.

Udhëtimi i shtetasve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda territorit të tre vendeve vetëm me letërnjoftim.

Të huajt në shtetet anëtare të nismës mund të udhëtojnë pa viza shtesë.

Lejet e përbashkëta të punës dhe njohja e kualifikimeve dhe diplomave, pa procedura shtesë.

Shkëmbimi i studentëve.

Projekte të përbashkëta R&D.

Prezantimi i një kohe pune 24-orëshe për të gjitha shërbimet e inspektimit kufitar, me fokus në inspektimin fitosanitar dhe veterinar.

Paketë unike e dokumentacionit që kërkohet për transitin e mallrave, me theks në prezantimin e sa më pak dokumenteve që të jetë e mundur, në përputhje me strategjinë e zhvillimit digjital;

Ndryshime në ligjet e tregut të kapitalit, taksave dhe sistemit financiar në të tre vendet, me qëllim krijimin e kushteve për një rrjedhë të qetë të kapitalit.

Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e luftimit të krimit transnacional dhe terrorizmit.

Përcaktimi i rregullave të veta në shumë fusha për të përmirësuar atraktivitetin e të tre vendeve dhe bashkëpunimin.

Kundërshtimi i fortë i Kosovës

Para se të mbahej takimi i përbashkët në Ohër ndërmjet liderëve të disa shteteve të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bëri një njoftim.

Ai tha se ka refuzuar pjesëmarrjen në samitin e Ohrit për disa arsye.

“Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave. Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarura”, tha i pari i Kosovës, Hashum Thaçi përmes Facebook-ut.

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës “CiviKos”, duke komentuar qëndrimin që ka shprehur presidenti Thaçi, thotë se kjo më shumë shpërfaq raportet ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe presidentit kosovar.

“Qëndrimi i presidentit Thaçi edhe reflekton një distancim nga kryeministri Rama. Të gjitha rrethanat nuk kanë ndryshuar, përveç potencialisht marrëdhënieve në mes të Thaçit dhe Ramës. Dihet mirë që vetë presidenti Thaçi ka synuar faktorizim në nivel rajonal me presidentin Vuçiq duke marrë fokusin qendror në të gjitha takimet rajonale. Një iniciativë e tillë ku ai si lider është anashkaluar në fillet e kësaj iniciative mund të jetë njëra nga arsyet e këtij reagimi – edhe pse gjendja aktuale nuk ka ndryshuar fare”, thotë ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Kurse në një skenar më pozitiv, presidenti Thaçi e ka kuptuar nivelin e kompleksitetit të kësaj iniciative dhe shprehja e hezitimit për të marrë pjesë për shkak të qasjes destruktive të Serbisë dhe BeH janë elemente valide për të refuzuar një marrëveshje të tillë. Kjo marrëveshje kërkon një proces më të thellë dhe vende që megjithatë nuk bllokojnë njëra-tjetrën. Andaj, reagimi i të gjithë liderëve është valid”, vlerëson tutje ajo.

Kosova muaj më parë mori pjesë në Samitin e Berlinit por refuzoi projektin që u prezantua nga treshja, Rama- Vuçiq- Zaev.

Emini jep arsyet se pse Kosova vendosi të marrë pjesë në samitin e parë e jo në të dytin.

“Takimet e Kosovës ne Procesin e Berlinit  dhe në Samitin e Berlinit janë takime që zhvillohen me ftesë dhe iniciativë të BE-së apo të vendeve anëtare të cilat trajtojnë Kosovën njësoj si me vendet të tjera të Ballkanit – ani pse me fusnotë”, thotë ajo.

Sipas saj, në rastin e “Mini-Schengent ballkanik” ka një dallim nga ai i Berlinit.

“Ideja e mini-Schengenit ballkanik është ide e cila po iniciohet nga Rama dhe Vuçiq – të cilët po tentojnë faktorizimin e tyre në rajon, dhe Zaev i cili ende është i paqartë rreth pjesëmarrjes së tij në këtë rreth. Dallimi i vetëm në këtë drejtim është pronësia e procesit. Diçka që vjen si iniciativë nga Merkel dallon shumë nga ajo që vjen nga një shtet që nuk njeh Kosovën dhe kufijtë e saj i konsideron që janë me Shqipërinë e jo me Kosovën në të gjitha dokumentet zyrtare”, vlerëson Donika Emini.

Një arsye tjetër, sipas saj, është edhe formimi i institucioneve të Kosovës.

Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor. Nga rezultatet përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë me një diferencë jo të madhe ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kosova për momentin nuk ka qeveri. Me një qeveri në ikje, Kosova nuk do të duhej të ngutet në këtë drejtim. Ka kohë deri në takimin e ardhshëm apo edhe deri në vitin e ardhshëm, deri sa do të qartësohet ideja, qëllimi, të maten qëndrimet politike të vendeve të BE-së dhe strukturës së re të BE-së, dhe të merren vendime nga një qeveri e cila mbi të gjitha do të mbahet llogaridhënëse”, deklaron Donika Emini nga platforma “CiviKos”.

Idenë për ‘mini-Schengenin ballkanik” e kundërshtuan edhe politikanë të tjerë në Kosovë.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pati një cilësim tjetër për idenë e “mini-Schengenit ballkanik”. Ai tregoi edhe qëndrimin e partisë të cilën e udhëheq në lidhje me këtë projekt.

“Në shiqim të parë duken projekte atraktive, por në esencë qojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do ti përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë. Ashtu siç nuk përkrahim ndryshimin e kufijve shtetëror të Kosovës”, shkroi Isa Mustafa në “Facebook”.

Isa Mustafa: Mini-Schengeni çon në një Jugosllavi të re

I pari i LDK-së pati edhe një shpjegim mbi bazën ekonomike të efekteve të projektit të prezantuar nga treshja e liderëve Zaev, Vuçiq, Rama.

“Marrëveshjet e Mini-shengenit lindi kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Doganor dhe idea për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi. Marrëveshjet e tilla qojnë në një situatë kur tatimet në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën do ti mbledh në pjesën më të madhe Serbia për Kosovën (e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës), sepse kemi kufirin me te gjatë më te, e në pjesët e tjera, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kosova nuk kufizohemi tanipërtani me asnjë nga vendet anëtare të BE-së”, tha tutje Mustafa duke shtuar se projekti në fjalë mund të largojë vendet e Balkanit nga rruga e integrimeve evropiane dhe i qon në “strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia”.

Kundër idesë për një “mini-Schengen ballkanik” u shpreh edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në një intervistë për mediat në Shqipëri, Kurti, i cili doli fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit, tha se takimi në Ohër nuk është dashtë të mbahet fare.

“Vala e dytë e këtyre iniciativave rajonale nuk është dashur të mbahet. U mbajt takimi i parë në Novi Sad, u tha që në Ohër do të vijnë të gjithë dhe së pari aty nuk shkoi Kosova, së dyti Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina patën përfaqësim simbolik dhe besoj që në kohën kur spostohet edhe Samiti i Parisit nuk ka pse të mos spostohet për një datë tjetër edhe ky i Ohrit”, thotë ai.

“Tirana të mos ngutet, në fillim duhet të heqim barrierat mes Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Albin Kurti për Raport Tv.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, pasi përfundoi takimin me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, komentoi edhe kundërshtimet e para që i shkuan nga Kosova.

Ai tha se Kosova u vetëpërjashtua nga projekti për “mini-Schengen” në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Nuk është ideja ta ndajmë Ballkanin Perëndimor, por të përfshijmë të gjitha vendet në këtë nismë. E gjitha kjo gjë ka në thelb lëvizjen e lirë të vendeve në Ballkanin Perëndimor. Nuk ka arsye që Kosova papritur të vetëpërjashtohet”, tha ai.

Por, me këto konstatime të kryeministrit Edi Rama nuk u pajtua publicisti nga Kosova, Veton Surroi.

“Kosova nuk është vetëpërjashtuar dhe as vetëizoluar. Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj iniciative dhe iniciativa si kjo duhet ta kenë pëlqimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës. Kosova duhet të jetë pjesëmarrëse aktive, jo vetëm si mysafire por pjesëmarrëse e barabartë në këtë projekt rajonal”, tha ai për mediat në Shqipëri.

“Vetë emri mini-Schengen është i gabuar sepse nuk ka të bëjë fare me Schengenin në këtë rajon. Ajo që realisht pretendohet të arrihet është krijimi i një hapësire të tregtisë së lirë por me institucione të unionit doganor brenda dy vjetësh. Kjo do të thotë krijimin e institucioneve të përbashkëta mes Ballkanit Perëndimor dhe ky është një pozicion që i afrohet fantashkencës”, deklaroi Surroi.

Sipas Veton Surroit, kemi të bëjmë me shtete që jo vetëm nuk kanë krijuar një afërsi, por edhe nuk e njohin njëri-tjetrin, si rasti i Serbisë dhe Kosovës.

Ndërkaq, Donika Emini thotë se një model siç është prezantuar në Ohër dhe në Novi Sad është vështirë i realizueshëm.

Shkak, sipas saj, janë edhe marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun që ndërmjetësohet nga Brukseli por që të njëjtat nuk respektohen nga ana e shtetit serb.

“Përveç të tjerave, ky model funksionon për një rajon ku shtetet e njohin njëra-tjetrën, kjo për momentin nuk duket në horizont në Ballkan – sidomos me hezitimin e Serbisë dhe BeH të zbusin qasjen e tyre ndaj Kosovës. Andaj, kjo duhet të ndodhë në rrethana tejet të qarta kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor njohin njëri-tjetrin me kufijtë ekzistues dhe kanë gatishmëri të nivelit të lartë për bashkëpunim në të gjitha sferat”, thotë ajo.

“Në rrethana të qarta ku Kosova konsiderohet e barabartë me të gjitha vendet e rajonit politikisht dhe kur të konsiderohet që pjesëmarrja në këtë zonë nuk do të nënkuptonte që rajoni të kthehet në dominim serb ashtu siç është edhe rasti me shumë iniciativa rajonale në Ballkan”, deklaron Emini.

Ndërkohë, sot gjatë ditës, Mali i Zi shprehu qëndrimin kundër pjesëmarrjes në projektin e “mini-Schengenit”.

Ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi Dragica Sekuliq tha të hënën se bashkimi në nismën ‘mini-Schengen’ për shtetet e Ballkanit, të propozuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, do të ishte një humbje energjie sepse vendi i saj tashmë “hapi kufijtë e tij” dhe hoqi barrierat tregtare për fqinjët e saj.

“Unë i kuptoj nismëtarët. Këto janë vendet që, për shkak të barrierave të ndryshme tregtare që i kanë vendosur njëri-tjetrit, mund të ketë nevojë për një iniciativë të re për të premtuar përsëri se ata do të bëjnë atë që ne kemi bërë prej kohësh,” tha Sekuliq për televizionin publik malazez.

Ajo gjithashtu tha se qytetarët malazezë tashmë po udhëtojnë duke përdorur kartat e tyre të identitetit si një dokument për të gjitha vendet e rajonit, përveç Kroacisë.

Mali i Zi refuzon ‘Mini Schengen’-in ballkanik

Ndërkaq, dje gjatë ditës gazeta “Blic.rs” nga Serbia prezantoi një hartë të “mini-Schengenit ballkanik”.

Ajo për të cilën edhe pati reagime në Kosovë ishte përfshirja e territorit të Kosovës si pjesë e Serbisë.

Muharrem Nitaj, ish-deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, bëri një pyetje në “Facebook” rreth prezantimit të hartës për “mini-Schengenin ballkanik”.

“Ç‘është ky qëndrim kaq i flashkët i Prishtinës zyrtare, përballë një gaditjeje kaq të madhe që Edi Rama po i bën Kosovës?! Ç‘kuptim ka heshtja e eksponentëve më të lartë të Prishtinës, ose deklaratat e tyre si nëpër dhëmbë “jo po nuk është mirë të ngutet Edi Rama pa u marrë vesh me ne, jo po “kjo nismë është e parakohshme”, e të ngjashme si këto!”, shkroi ai.

Takimi i radhës në mes tri shteteve të Ballkanit Perëndimor, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor.