Vrasjet e grave, Haxhiu: Sistemi gjyqësor dhe prokurorial duhet të na dëshmojnë se anën e kujt e mbajnë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sërish sot një ditë pas vrasjes së 21-vjeçares nga Ferizaj në Qendrën për Punë Sociale më 12.03.2024, e që i dyshuar është ish-bashkëshorti i saj.

Haxhiu ka thënë se është momenti i fundit që drejtësia të veprojë, sepse siç tha ajo “nuk kemi jetë grash për të humbur”.

Sipas ministres, jehonën e drejtësisë duhet ta ndjejë secila grua e Kosovës.

“Nuk ka asnjë justifikim për vrasjen e grave. Asnjë rrethanë lehtësuese. Tentimet për të folur mbi motivet a shkaqet e akteve të tilla janë tendencë për relativizimin dhe justifikimin e krimit. Vrasja është krim, vrasësi është kriminel. Vrasja e grave është puro femicid dhe duhet drejtësi një hap e më parë.  Secila vonesë minimale për drejtësi tregon për shtegdalje për një kompromis me kriminelët. Pra, tashmë kur gruaja është vrarë dhe nuk e kthen asnjë dënim çfarëdoqoftë ai, çdo vonesë eventuale është tashmë krim në vetvete” – ka ministrja Haxhiu më 13.04.2024.

Sipas Haxhiut, sistemi gjyqësor dhe prokurorial me vendimet e tyre duhet të dëshmojnë se anën e kujt e mbajnë.

“Sistemi gjyqësor dhe prokurorial me vendimet e tyre duhet të na dëshmojnë se anën e kujt e mbajnë. Është momenti i fundit që drejtësia të veprojë, nuk kemi jetë grash për të humbur. Njerëzimi ka shpikur gjyqësorin pikërisht që të dobëtit të kenë mundësi që të ketë drejtësi edhe për ta. Drejtësia nuk ka lindur vetvetiu, por pikërisht përkundër përvojës së njerëzimit me padrejtësinë”

“Si ministre, si aktiviste, si grua, si nënë, jam me secilën grua dhe vajzë që t’i dalim përballë këtyre kriminelëve që muaj pas muaji marrin jetë grash” – ka përfunduar ministrja Haxhiu në postimin e saj në “Facebook”.

Gjykata e Ferizajt ka vendosur më 13.04.2024 masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 36-vjeçarit Valon Aliu, i dyshuar për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Ndaj Aliut rëndojnë veprat penale – vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Çka deklaroi në gjykatë i dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj? (VIDEO)