Vendi ku dyshohet se ndodhi vrasja e një gruaje në Ferizaj, Foto: KALLXO.com

Vrasja e 21-vjeçares në Ferizaj, ministrja Haxhiu kërkon dënim maksimal për këtë krim të rëndë

Një 21- vjeçare u vra sot (12.04.2024) në Qendrën për Punë Sociale Ferizaj.

I dyshuari, 36- vjeçar, që dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i viktimës tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës.

E tronditur me këtë rast është shprehur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se ky krim duhet të marrë dënim maksimal.

“Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve” – shkroi ajo në facebook.

Haxhiu u ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës ndërsa ka theksuar se është në komunikim me institucionet dhe familjen e viktimës.