Dy gra vriten brenda pesë ditësh në Kosovë

Gjyljeta Ukella u vra nga i dyshuari bashkëshorti i saj, në banesën e tyre në Pejë, mëngjesin e datës 16.04.2024. Kjo është vrasja e dytë e një gruaje brenda pesë ditësh në Kosovë, pasi në Ferizaj u vra 21-vjeçarja, Erona Cokli nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu më 12.04.2024. Në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur ditë zie të mërkurën – 17.04.2024.


16:30 – Vrasja e grave – Protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës 

“Mjaft me konferenca! Shpallne gjendjen emergjente tani!” – Anëtarët e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist protestojnë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, pas vrasjes së grave në Ferizaj dhe Pejë.

16:28 – GLPS: Parandalimi i vrasjes së grave duhet të shihet si urgjencë kombëtare

“Stop femicidit në Kosovë”. Kjo është thirrja që e ka bërë Grupi për Studime Juridike dhe Politike, e indinjuar nga dy rastet e fundit të femicidit në Kosovë.

“Vrasja e dy grave, në Pejë dhe në Ferizaj, pasqyron nevojën urgjente për veprim e ndërgjegjësim karshi dhunës me bazë gjinore dhe fuqizimin e institucioneve të sigurisë e drejtësisë për të parandaluar në mënyrë efektive tragjedi të tilla”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

GLPS u ka bërë thirrje Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë që t’i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave me seriozitetin dhe efiksasitetin më të lartë, dhe të bëhen bashkë për të luftuar dhunën me bazë gjinore.

15:33 – Shefi i OSBE-së në Kosovë: Rasti i fundit i femicidit është një thirrje alarmi

Shefi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), misioni në Kosovë, Michael Davenport ka reaguar në lidhje me vrasjen e gruas në Pejë, Gjyljeta Ukella nga i dyshuari bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi.

Davenport ka thënë se ky rast i femicidit është një thirrje alarmi që të gjithë të ndërmarrin veprime për parandalim më efektiv dhe dënime më të ashpra ndaj autorëve.

“Rasti i fundit i femicidit është një thirrje alarmi. Kjo duhet t‘i tronditë të gjithë që të ndërmarrin veprime si: të ndryshojë mentalitetin, të sigurojë parandalim më efektiv dhe dënime më të ashpra ndaj autorëve, dhe të çrrënjosë posedimin e armëve të paligjshme, sipas raportit tonë të fundit”- ka shkruar Davenport në rrjetin social X.

15:18 – I dyshuari për vrasjen në Pejë, para dy vjetësh ishte dënuar me gjobë për ‘dhunë në familje’

Edmond Lajçi, i dyshuar për vrasjen e gruas së tij në Pejë, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale “dhunë në familje”, qysh para dy vjetësh, përkatësisht më 01.02.2022.

Nga kjo gjykatë kanë konfirmuar për KALLXO. com se ndaj Lajçit ishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 100 euro, si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muajsh, i cili dënim me kërkesën e të pandehurit ishte zëvendësuar më pas me dënim me gjobë në shumën prej 3oo euro.

“Ju njoftojmë se i njëjti [Edmond Lajçi] me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, të datës 01.02.2022, është shpall fajtor për vepër penale dhuna në familje nga neni 248 par.1 të KPRK-së, për të cilën vepër i është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 100 euro, të cilën gjobë është obliguar që ta paguaj në afat prej tre muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre muaj, i cili dënim me kërkesën e të pandehurit i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 300 euro, e të cilin dënim është obliguar ta paguaj jo më vonë se tre muaj pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm” – ka thënë zëdhënësja e Gjykatës, Tringa Zhuti.

15:05 – Vrasja e grave, presidentja Osmani shpall të mërkurën ditë zie në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e nesërme, 17.04.2024, të shpallet ditë zie në Kosovë.

Ky vendim vjen pas vrasjes së dy grave brenda pesë ditëve të fundit, njëra në Ferizaj e tjetra në Pejë.

“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona” – ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.

Vendimi për ditë zie në Kosovë më 17.04.2024
Foto: Vjosa Osmani/ Facebook

14:00 – Vrasja e Gjyljeta Ukellës, reagon Shoqata Sindikale e Infermierëve

Shoqata Sindikale e Infermierëve të Kosovës ka reaguar pas vrasjes së Gjyljeta Ukella në Pejë, pasi e ndjera tashmë, ishte e angazhuar si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

“Shoqata Sindikale e Infermierëve të Kosovës me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për vrasjen mizore të infermieres Gjyljeta Ukella. Reagojmë ashpër ndaj këtij krimi makabër brenda familjes. Krime të tilla duhet të dënohen dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar” – thuhet në reagimin e Shoqatës Sindikale të Infermierëve.

Me këtë rast, ShSIK i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë, Petrit Loci e ka konfirmuar për KALLXO.com se viktima shërbeu në këtë pozitë që nga viti 2000.

13:29 – Drejtori i Policisë viziton vendin e krimit në Pejë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se institucioni që ai drejton trajton me prioritet rastet e dhunës në familje.

Hoxha është deklaruar para gazetarëve, pas dy rasteve në pesë ditët e fundit në Kosovë, ku u vranë dy gra në Ferizaj dhe Pejë.

Hoxha ka thënë se tashmë ekziston një Task-Forcë që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

11.53 – Konjufca reagon për vrasjen e gruas në Pejë: Është urgjente konsolidimi i mekanizmave të sigurisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar në lidhje me vrasjen e gruas në Pejë, Gjyljeta Ukella nga i dyshuari bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi.

Konjufca tha se është urgjente konsolidimi i mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë që raste të tilla të mos ndodhin më.

“Ajo që është urgjente dhe duhet të ndodhë është konsolidimi i mekanizmave tanë të sigurisë dhe gjyqësisë që raste të tilla mos të ndodhin, meqenëse se shumica e rasteve që po ndodhin në Kosovë kundër grave dhe vajzave e dhuna e tmerrshme ushtruar ndaj tyre është kryesisht nga persona të cilët edhe më herët kanë pasur raste penale dhe sistemi i drejtësisë me shumë lehtësi i liron ata dhe kjo është parapërgatitje edhe për raste edhe më të rënda siç ishin dy vrasjet”- ka deklaruar Konjufca gjatë fjalimit të tij në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

11:26 – Presidentja Osmani: Ky femicid duhet të ndalet me çdo kusht

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me vrasjen e gruas në Pejë, Gjyljeta Ukella nga i dyshuari bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi.

Presidentja tha se vrasja e grave duhet të ndalet me çdo kusht.

“Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb. Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni, sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”- ka thënë Osmani, në ditën e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Kosovë.

Presidentja u ka bërë thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë, që të bashkohen kundër dhunës mbi bazë gjinore.

“E kemi detyrë gjithsecili prej nesh, që ta luftojmë këtë fenomen dhe t’i mbrojmë vajzat e gratë, dhe t’i mbrojmë gjithë qytetarët e shtetit tonë” – ka theksuar ajo.

Gruaja që mbeti e vrarë sot në qytetin e Pejës, Gjyljeta Ukella ishte e angazhuar si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

10:26 – Trupi i gruas së vrarë në Pejë dërgohet për obduksion

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi ka konfirmuar se trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Prokurori është në vend të ngjarjes, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në IML me urdhër të prokurorit, personi është arrestuar, iu ka sekuestruar arma”- tha Nikç për KALLXO.com.

I dyshuari për vrasjen e gruas tashmë është brenda stacionit policor në Pejë.

10:25 – Policia e Kosovës jep detaje për vrasjen e gruas në Pejë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për KALLXO.com, në lidhje me vrasjen e gruas në Pejë nga i dyshuari burri i saj, më 16.04.2024.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova tha se rasti u raportuar rreth orës 08:15.

“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugen Bill Clinton në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjës gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilet kanë konstatuar vdekjen e viktimës ( femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”- tha ai për KALLXO.com.

10:11 – Vendi ku ndodhi vrasja në Pejë, burri dyshohet se vrau gruan e tij

 

 

09:55 – Edmond Lajçi, i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij në Pejë

Edmond Lajçi është i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij në Pejë mëngjesin e së martës (16.04.2024).

KALLXO.com mëson se çifti janë prindër të tre fëmijëve, ndërsa deri më tash ende nuk dihet cilat ishin motivet që shtynë të dyshuarin ta kryejë aktin e vrasjes brenda banesës së tyre.

Trupi u pajetë i viktimës ende nuk është tërhequr nga ana e ekipit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa prokurori i Krimeve të Rënda së bashku me Policinë dhe njësitë tjera kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Një grua është vrarë sot në mëngjes në Pejë.

Dorasi dyshohet se është bashkëshorti i viktimës.

Burime të KALLXO.com brenda Policisë kanë konfirmuar se i dyshuari është E. Lajçi.

Sipas të njëjtave burime ai ka qëlluar gruan me armë zjarrit të tipit pistoletë dhe më pas është dorëzuar në polici.

09:05

Vritet një grua në Pejë, i dyshuar bashkëshorti i saj

Qyteti i Pejës është tronditur sot, më 16.04.2024, nga vrasja e një gruaje.

Sipas burimeve të KALLXO.com gruaja është qëlluar në banesën e saj ndërsa i dyshuari për ngjarjen është  bashkëshorti i saj.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për KALLXO.com se personi i dyshuar është burri i gruas.

“I dyshuari është në stacion policor, arma është sekuestruar”- tha Nikçi për KALLXO.com.

Prokurori i krimeve të rënda bashkë me Policinë janë në vendin e ngjarjes, ka konfirmuar Nikçi.

Para 5 ditës, të premten më 12.04.2024, një grua 21-vjeçare u vra në Ferizaj, brenda Qendrës për Punë Sociale.

I dyshuari për këtë vrasje është Valon Aliu, ish-bashkëshorti i viktimës.

Gjykata Themelore e Ferizajt ka caktuat masën e paraburgimit për 1 muaj të dyshuarit.

Në këtë rast kishhe mbetur i plagosur edhe një 15-vjeçar.