Vrasja e 21-vjeçares në Ferizaj, Kurti: E dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet

Pas vrasjes së 21-vjeçares dhe plagosjes së vëllait të saj 15-vjeçar te objekti i Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje” – ka shkruar kryeministri Kurti, në profilin e tij në Facebook më 12.04.2024.

Me këtë rast, Kurti i ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës dhe ka kërkuar që drejtësia të veprojë pa vonesa.

“Ngushëllime familjes, të afërmëve dhe miqve të saj. Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë” – ka përfunduar Kurti.

I dyshuari, ish-bashkëshorti i viktimës, 36-vjeçari Valon Aliu tashmë i arrestuar, sipas policisë fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur. 

Sipas drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi, vrasja ndodhi para objektit të këtij institucionit.

Përveç kryeministrit Kurti, ngushëllime familjes së viktimës i ka shprehur edhe i pari i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu.

“Sot, të gjithë të tronditur bashkëndjejmë me familjen e viktimës! Ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës dhe urojmë shërim të shpejt për të plagosurin!” – ka përfunduar Aliu.

E tronditur me këtë rast është shprehur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se ky krim duhet të marrë dënim maksimal.

Trupi i 21-vjeçares së vrarë është tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ekipi i KALLXO.com që po raporton nga vendi i ngjarjes ka njoftuar se IML dhe Forenzika janë larguar nga objekti i Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, ku u vra 21-vjeçarja dhe u plagos vëllai i saj 15-vjeçar.

Ekipi i KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes dhe ka parë policë, ekipe të Mjekësisë Ligjore, Forenzikës dhe hetuesisë, të cilët kanë qenë brenda në QPS.

Sipas informacioneve të KALLXO.com, dyshohet se gjatë një takim në mes dorasit dhe viktimës në QPS, ai ka shkrepur armën në drejtim të viktimës dhe për pasojë ajo ka vdekur, ndërsa një person tjetër që mbeti i plagosur, është duke u trajtuar në Spitalin e Ferizajit.

Po ashtu, ekipet e sigurisë e kanë rrethuar QPS-në, pra janë disa njësi të Policisë, të cilët e kanë siguruar perimetrin në të gjitha anët e QPS duke mos lënë askënd që të futet brenda këtij perimetri, në mënyrë që të merren të gjitha provat materiale, të cilat mund të jenë në vendin e ngjarjes ku ndodhi vrasja.

V.A. është i dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij. Siç mëson KALLXO.com çifti ishin të ndarë, ndërsa nuk ka ende të dhëna nëse në dhomën e objektit të Qendrës për Punë Sociale ka qenë edhe ndonjë punëtor social.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se një grua është vrarë në Ferizaj.