Objekti i QPS-së në Ferizaj, Foto: KALLXO.com
Vrasja e 21-vjeçares në Ferizaj, detaje nga vendi i ngjarjes
Trupi i 21-vjeçares së vrarë është tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ekipi i KALLXO.com që po raporton nga vendi i ngjarjes ka njoftuar se IML dhe Forenzika janë larguar nga objekti i Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, ku u vra 21-vjeçarja dhe u plagos vëllai i saj 15-vjeçar.
I dyshuari, 36-vjeçari Valon Aliu, i cili është ish-bashkëshorti i viktimës, tashmë i arrestuar, sipas policisë fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur.
Sipas drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi vrasja ndodhi para objektit të këtij institucionit.
Ekipi i KALLXO.com ka parë policë, ekipe të Mjekësisë Ligjore, Forenzikës dhe hetuesisë, të cilët kanë qenë brenda në QPS.
Pak më parë është nxjerrë trupi i viktimës nga QPS dhe pritet që të dërgohet trupi në Institutin e Mjekësosë Ligjore.
Sipas informacioneve të KALLXO.com, dyshohet se gjatë një takim në mes dorasit dhe viktimës në QPS, ai ka shkrepur armën në drejtim të viktimës dhe për pasojë ajo ka vdekur, ndërsa një person tjetër që mbeti i plagosur, është duke u trajtuar në Spitalin e Ferizajit.
Po ashtu, ekipet e sigurisë e kanë rrethuar QPS-në, pra janë disa njësi të Policisë, të cilët e kanë siguruar perimetrin në të gjitha anët e QPS duke mos lënë askënd që të futet brenda këtij perimetri, në mënyrë që të merren të gjitha provat materiale, të cilat mund të jenë në vendin e ngjarjes ku ndodhi vrasja.
Ende nuk dihen shkaqet që e dërguan të dyshuarin të kryejë këtë vrasje. Deri më tani ekipet e IML-së nuk kanë dhënë ndonjë informacion zyrtar për të informuar më shumë rreth dyshimeve të para që shkaktuan këtë vrasje.
Qytetarët që kanë frekuentuar deri më tani QPS-së, janë ndalur dhe vazhdimisht po interesohen se çfarë ka ndodhur.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur i tronditur në lidhje me vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e një 15-vjeçari në Ferizaj.
Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa 21-vjeçarja u gjet pa shenja jete në vendngjarje.
Edhe sipas Aliut viktima dhe dorasi po merrnin shërbime në QPS.
“Të tronditur thellë, morëm lajmin se pak minuta më parë, një bashkëqytetare e jonë është qëlluar për vdekje nga ish bashkëshorti i saj derisa dorasi ka plagosur edhe vëllain e viktimës. Viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni” – ka shkruar Aliu, në profilin e tij në Facebook,më 12.04.2024.
Lidhur me arrestimin e të dyshuarit nga Policia, Aliu ka përgëzuar Policinë e vendit dhe pret që institucionet e drejtësisë t’i japin dënimin e merituar të dyshuarit.
E tronditur me këtë rast është shprehur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se ky krim duhet të marrë dënim maksimal.
V.A. është i dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij. Siç mëson KALLXO.com çifti ishin të ndarë, ndërsa nuk ka ende të dhëna nëse në dhomën e objektit të Qendrës për Punë Sociale ka qenë edhe ndonjë punëtor social.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se një grua është vrarë në Ferizaj.
Dyshimet e prokurorisë janë se autori i vrasjes është ish-bashkëshorti i viktimës.