Vjosa Osmani: Sulmi kundër Policisë ishte i organizuar nga Serbia, me paramilitarë që i trajnoi ushtria e saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se sulmi i 24 shtatorit kundër Policisë ishte me përmasa tragjike dhe i organizuar nga Beogradi.

Ajo në një intervistë në RTK shtoi se këto janë grupe paramilitare të trajnuara nga ushtria e Serbisë.

“Ishte një sulm me përmasa tragjike, sulme këto që pa asnjë dyshim ishin të organizuara dhe dirigjuara nga Beogradi, që synim kishin destabilizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit. Ka një kohë të gjatë që kam folur për rrezikun që paraqesin këto grupe të cilat që një kohë të gjatë janë trajnuar nga ushtria e Serbisë”- ka thënë ajo.

Presidentja theksoi se ka kohë po ashtu që përmes rrugëve ilegale është futur armatim në veri të vendit.

“Këto janë struktura të natyrës paramilitare që janë përgatitur të luftojnë në stilin ushtarak dhe ka një kohë të gjatë që kanë sjellë edhe armë në mënyrë ilegale në veri të vendit”- shtoi ajo.

Osmani theksoi se tani është me rëndësi që të gjitha institucionet e sigurisë të punojnë për parandalim të sulmeve të tjera në të ardhmen.

Ajo shtoi se duhet koordinim i vazhdueshëm me aleatët për mbrojtjen e Kosovës sovrane.

“Është po ashtu e rëndësishme që të kemi bashkërendim të vazhdueshëm me aleatët. Të gjithë kemi një qëllim të përbashkët, që t’i ndalojmë këto sulme të Serbisë, të mbrojmë Kosovën sovrane në kufijtë e saj aktualë”- ka shtuar Osmani.