Presidentja Vjosa Osmani

Vjosa Osmani: Serbia do të qeveriset përsëri nga mentaliteti i viteve të 90-ta

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e saj për 1 vjetorin e punës si udhëheqëse e shtetit, ka përmendur edhe zgjedhjet që u mbajtën dje (3 prill) në Serbi.

Osmani ka thënë se edhe nga këto zgjedhje nuk do të ketë ndonjë rezultat të ri, ndërsa Serbia do të udhëhiqet nga një mentalitet i viteve të 90-ta.

“Nuk ka ndonjë ndryshim të mentalitetit se si udhëhiqet Serbia. Mbetet mentaliteti i viteve të 90-ta ku Serbia i sheh shtetet si Kosovën Malin e Zi e Bosnje dhe Hercegovinën si shtete të përkohshme. Roli im ka qenë që modaliteti që po diskutohet të jetë sipas Kushtetutës dhe Ligjit e jo të jetë në kundërshtim me to. Dua të falënderoj Policinë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë që ruajtën qetësinë ditën e djeshme duke kontribuar në ruajtjen e sovranitetit të vendit”, është shprehur Osmani.

Me mbi 87 për qind të votave të numëruara, lista e presidentit serb Aleksndar Vuçiq ka fituar 43.4 për qind të tyre, ka bërë të ditur Komisioni Republikan i Zgjedhjeve.

Koalicioni i Shqiptarëve i Shaip Kamberit ka marrë 0.28% për qind të votave dhe besohet se ka siguruar një vend në Kuvendin e Serbisë.

Politikanët shqiptarë në Luginë të Preshevës, kanë thënë më herët se ka vite që Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për të ndryshuar “strukturën etnike” të këtyre komunave.

Në Serbi nuk ka numër të saktë të banorëve shqiptarë, pasi shqiptarët patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011.

Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë të regjistruar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Prej tyre, sipas organizatave joqeveritare dhe subjekteve politike nga Lugina e Preshevës, rreth 20,000 qytetarë kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme.

Partitë shqiptare në këto zgjedhje kanë garuar me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë.

Zgjedhjet në shtetit fqinj kanë nxitur reagime dhe protesta në Kosovë.

E gjitha kjo pasi ekzekutivi kosovar në krye me Albin Kurtin, ka këmbëngulur që Beogradi zyrtar t’i dërgojë një kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, gjë të cilën Serbia e ka parë si si presion për njohjen e Kosovës dhe ka refuzuar diçka të tillë.

Të revoltuar nga kjo, qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës protestuan në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kanë shkuar në mënyrë të organizuar në Graçanicë.

Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

Propozimi i Quint-it ishte që zyrtarët ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë të përdoren si kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për të përcjellë kërkesat e Serbisë tek autoritetet kosovare.

Lidhur me dështimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës në Beograd, më 22 mars.

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Më 25 mars, Kurti, i ka dërguar letër ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në të cilën ka shkruar se është për keqardhje që derisa Kosova punon me BE-në dhe vendet e Quint-it për të gjetur një zgjidhje të pranueshme ndërmjet dy qeverive, strukturat ilegale të Serbisë mundohen të organizojnë zgjedhje në Kosovë sikur të mos ekzistonte Qeveria e saj.

Kjo letër vjen pasi zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Në anën tjetër, më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje edhe vendimin e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në territorin e saj.