Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, Foto. Kallxo.com

Video: Endrit Shala e quan verbal sulmin ndaj gazetarit

Prokuroria e Prishtinës ka nisur dje hetimet rreth një sulmi të pretenduar të ministrit në detyrë, Endrit Shala, ndaj gazetarit të portalit “IndeksOnline”.

Gazetari Ensar Ramadani kishte raportuar në Polici se ishte sulmuar fizikisht nga ministri Shala teksa ai po mbulonte një ngjarje.

Në një deklaratë për KALLXO.com, gazetari ka treguar se kishte shkuar në QKUK për të mësuar për gjendjen e një të plagosuri me armë zjarri që kishte ndodhur disa minuta më herët.

Në QKUK kishte arritur Endrit Shala, i cili i kishte kërkuar telefonin gazetarit dhe pasi ky kishte refuzuar t’ia jepte, Shala sipas pretendimeve të Ensar Ramadanit e kishte goditur me shuplakë.

Pas këtij incidenti, gazetari ka shkuar dhe ka raportuar rastin në Polici.

Lidhur me këtë ngjarje, KALLXO.com ka kontaktuar me ministrin Shala.

Endrit Shala thotë se nuk e ka sulmuar gazetarin.

Njëkohësisht, kërkon falje për atë që kishte ndodhur.

 

“Së pari nuk e kam sulmuar gazetarin. Ka qenë një konflikt më shumë verbal, në një rast të caktuar pas një ndërhyrje tragjike në Qendrën Klinike Universitare… Nuk e kam ditë që është gazetar për arsye se personi nuk ka pasur as bexh as nuk ka pasur asgjë që me identifiku si gazetar. Unë nën një kam kërkuar që me qëllim që ta ruan familjen e personit që kishte pësuar tragjikisht atje pas asaj ngjarje që të mos i filmojë. Këtu ka ndodhur ai konflikti, verbal më shumë. E kam shty personin në fjalë për me kërku me na liru rrugën, me u fut në QKUK”, thotë Endrit Shala për KALLXO.com.

Sipas tij, pasi që i ka treguar që është gazetar ka tentuar edhe dy herë të kthehet e t’i kërkoj falje.

Shala thotë se i ka kërkuar falje edhe redaksisë së gazetarit, duke e thirrur pronarin e mediumit.

Ai insiston se nuk ka pasur tendencë të shtyjë një gazetar.

“Në momentin që e kisha ditë që është gazetar unë bile e kisha afru. Që 20 vite jam në politike e një kohë të gjatë bashkëpunoj me gazetarë. Nuk më ka ndodhur asnjëherë as një fjalë më e keqe ta kem me një gazetar. Unë as prej natyrës nuk jam konfliktuoz. Kam kërkuar falje për këtë konflikt verbal që ka ndodhur mes meje dhe tij dhe njëkohësisht i kërkoj falje edhe të gjithë Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës që ka ndodhur një konflikt i tillë”, shton ministri në detyrë.

Gazetari Ensar Ramadani kishte thënë se ishte sulmuar pasi që kishte fotografuar ministrin Shala duke dalë nga vetura dhe duke hyrë në QKUK.

Rrëfimi i gazetarit që thotë se u sulmua nga ministri Endrit Shala

Por ministri Shala sërish e mohon një gjë të tillë.

“Nuk e kam sulmuar gazetarin, ka qenë konflikt verbal dhe një keqkuptim mes meje dhe tij. Kam kërkuar që të lirojë rrugën në mënyrë që unë dhe familja e personit të kalojmë dhe të futemi në QKUK dhe pasi unë kam ec pasi ka thënë jam gazetar unë jam kthy, i kam thënë: më fal bre burrë po ti u dashtë me më tregu që je gazetar i Indeksit se unë edhe me pasë naj bexh, unë s’kam pasë qysh me ditë motra jem që është gazetar ai”, vazhdon arsyetimin Endrit Shala.

Ministri Shala kur u pyet për fotografimin në hapësira publike thotë se nuk i kishte kërkuar gazetarit që të mos bëjë fotografi.

“Nuk po them unë që i kam thënë mos me bo fotografi, unë veç kam kërkuar me gazetarin në fjalë që të ruan dhe ta respektojë gjendjen që e ka pasë, edhe dhimbjen që e ka pasë familja e personit dhe ta kursen në ato momente dhe këtu ka ndodh ai konflikti verbal. Edhe për këtë i kërkoj falje edhe gazetarit po edhe të gjithë gazetarëve të tjerë, sepse nuk ish dashtë me ndodh por sikurse unë ta kisha ditë paraprakisht që personi në fjalë me një telefon në dorë është gazetar ose të kish pas bexhin të vendosur unë normalisht e kisha ditë që ai ka të drejtë me xhiru edhe familjen. Vetë familjes i kisha thanë lëreni se është gazetar po don me raportu për rastin”, shton ai.

“Po të betohem që nuk e ka pasur bexhin… Ai e din që unë kam tentuar me iu afru edhe me i thanë: më fal bre burrë po ti është dashtë me kallxu që je gazetar ani i Indeksit unë me Shoshin fola më kallëzoj. Edhe shihet edhe në pamje, shihen pamjet e kamerave as s’ka pas sulm, konflikt verbal motra jem, edhe për këtë konflikt verbal unë edhe për këtë i kërkoj falje edhe gazetarit edhe të gjithë gazetarëve të tjerë që nuk ish dashtë me ndodh një gjë e tillë”, vazhdon kërkim faljen Shala.

Endrit Shala mohon se e ka sulmuar edhe pasi u pyet për raportet mjekësore që tregonin se gazetari ishte sulmuar.

“Po të betohem, që nuk e kam sulmuar ka qenë konflikt verbal, më shumë ka qenë keqkuptim që ka ndodh mes meje dhe tij sepse nuk e kam ditë që është gazetar”, thotë ai.

Tutje Shala tregon edhe se që nga e marta kur kishte ndodhur rasti, sot është intervistuar nga Policia.

“Po i jam përgjigjur menjëherë i kam dhënë deklaratat menjëherë”, thotë ai deri sa raportet zyrtare nuk kishin treguar se i njëjti ishte marrë në pyetje.

Madje vetë ministri tregon se sot kishte dhënë intervistë në Polici.

“Unë kam dhënë intervistë dhe e kam sqaru edhe para organeve të rendit krejt këtë rast. E kam sqaruar sot. Unë nuk e vendosi kur, organet e rendit i thirrin palët me i marrë deklaratat e tyre, mu më kanë thirrë organet sot me mëngjes kam shkuar dhe e kam sqaruar komplet rastin”, tregon ai.

“Parmbrëmë ka ndodhur kjo, edhe kam qenë i gatshëm edhe atë natë veç me shku në prokurori dhe me më thanë merrem se po du me fol. Kam qenë i qasshëm edhe unë s’e vendosi atë punë, kur të vendosin me më thirrë sikur gjithmonë që jam përgjigj edhe kësaj radhe jam përgjigjur. Unë edhe njëherë po du me ju thanë ka qenë një konflikt verbal, edhe për këtë konflikt verbal është e padrejtë që i kam thënë gazetarit, largohu, shtyhu, liroma rrugën edhe për këtë i kërkoj gazetarit por edhe gjithë komunitetit të gazetarëve”, sqaron ai më tutje.

Pasi që fotografimi në hapësira publike është e lejuar, Shala mendon se nuk lejohet në të gjitha hapësirat.

“Unë pajtohem që gazetarëve dhe mediave duhet t’u lejohet incizimi dhe fotografimi gjithkund por unë besoj se ju e dini edhe me Kodin e Republikës së Kosovës, Kodin Penal që ajo që po thoni ju lejohet gjithkush gjithkund me incizu, ka sanksione edhe në këtë aspekt nuk lejohet bash gjithkund, gjithkush me incizu, ka incizime të autorizume dhe të paautorizuara”, thotë ai,

“Gazetari ka të drejtë me incizu dhe me raportu për gjithçka. Unë nuk e kam ditë që ai është gazetar”, insiston ai.

KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin e gazetarit Ensar Ramadani, për të cilin më pas është hapur rasti ndaj ministrit Endrit Shala.

I njëjti deri më sot nuk i ishte përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të KALLXO.com për të sqaruar rastin.

Prokuroria nis hetimin për sulmin e raportuar ndaj gazetarit nga ministri Endrit Shala