Endrit Shala, 08.09.2025 - Foto: Laurant Berisha

Endrit Shala, 08.09.2025 - Foto: Laurant Berisha

Gjykimi ndaj ish-ministrave Shala e Krasniqi për rastin e inspektimit të naftës, dëgjohen dy dëshmitarë

Gjykimi për rastin e inspektimit të naftës ndaj ish- ministrave, Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve, Isa Dugolli dhe Besnike Shala.

Dugolli si asistent administrativ në Departamentin e logjistikës dhe Shala e cila kishte pozitën e arkivistet në Ministri të Industrisë dhe Tregtisë (MIT- tani MINT), janë marrë në pyetje lidhur me këtë rast.

Dugolli ka pohuar në pyetjen e Prokurorit Special, Milot Krasniqi, se me datë 21.12.2020 a ka qenë duke e zëvendësuar dikë nga punëtorët nga arkiva e kësaj ministrie.

Dugolli e konfirmoi se zëvendësimin e ka bërë pas një emaili që e ka pranuar nga drejtori i financave të përgjithshme, Blerim Ibrahimi.

“Po, drejtori i DFSHP-se (financa të përgjithshme). Blerim Ibrahimi, ai ma ka dërgu emailin me dalë në arkivë për shkak se Krenare Tasholli dhe Besnike Shala nuk mujnë me dal në punë për çfarëdo arsye- unë nuk e di”- tha dëshmitari.

I njëjti është pyetur nësë në këtë datë, sa ishte në zëvendësim, nga ora 12:00 deri në 13:00, a ka punuar arkiva e kësaj ministrie për pranim të shkresave, pyetje në të cilën dëshmitari u përgjigj që ka qenë kohë e pauzës dhe nuk pranohen lëndët.

“Prej orës 12:00 – deri ne ora 13:00, është pauzë, nuk lejohet me punu”- tha tutje dëshmitari.

Pas dëgjimit të dëshmitarit Dugolli, si dëshmitare u dëgjua edhe Besnike Shala e cila kishte punuar në arkivë të ministrisë nga 26 qershori deri më 26 dhjetor 2020.

Shala tha se më 21.12.2020 nuk ka qenë në punë për shkaqe shëndetësore dhe se nuk ka informacion se kush e ka zëvendësuar atë ditë.

Dëshmitarja tutje shtoi se nuk e di që ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme në atë datë, për ta mbajtur mend si datë të rëndësishme.

Shqyrtimi fillestar për këtë çështje penale është mbajtur më 27.11.2024, në të cilën të pandehurit ishin deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Trupi Gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Violeta Namani-Hajra (Kryetare e Trupit Gjykues), Arben Hoti e Kujtim Krasniqi (anëtarë).

Kujtojmë se pas hulumtimeve të KALLXO.com Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur Aktakuzë ndaj Endrit Shalës dhe Vesel Krasniqit për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Hulumtimi i KALLXO.commë 15.03.2021 kishte shpërfaqur emërimin që Endrit Shala i kishte bërë Kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqës që të bënte inspektimin për cilësinë e naftës.

Sipas Prokurorisë, Endrit Shala, i ka ndihmuar Kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqja përfitim në vlerë prej mbi 732,000 euro – duke miratuar Vendimin e datës 30.05.2019, me të cilin Operatorit Ekonomik N.SH. “Euro Inspekt”, Operatori Ekonomik i Valdet Teneqës është emëruar si trup inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë.

“Ka nënshkruar, përkatësisht miratuar Vendimin për emërim 01. Ref. Nr.36, më 30.05.2019, me të cilin Operatori Ekonomik (OE), me emrin tregtar: N.SH. ‘Euro Inspekt’ dhe emrin e biznesit: Valdet S. Teneqja është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore. Si rrjedhojë e këtij Vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.28 euro.” – thuhet në Dosjen e Prokurorisë mbi Aktakuzën ndaj Endrit Shalës.

Kurse për Vesel Krasniqin, Prokuroria pretendon se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 11,000,000 euro.

Sipas Prokurorisë, Krasniqi ka inicuar dhe zbatuar procedura ligjore për të përgatitur një Udhëzim Administrativ për kontrollin dhe cilësinë e naftës. Ky Udhëzim sipas Prokurorisë i përmban disa Nene që janë në dëm të interesit publik dhe në interes të kompanive private.

KALLXO.com kishte raportuar më 07.05.2021 se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e udhëhequr nga Vesel Krasniqi i partisë NISMA Socialdemokrate e kishte lënë mbrapa një monopol të ri, koston e së cilës do ta mbartin Kompanitë e naftës, përkatësisht qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët do të paguajnë më shtrenjtë naftën.

KALLXO.com kishte raportuar më 07.05.2021 se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e udhëhequr nga Vesel Krasniqi i partisë NISMA Socialdemokrate e kishte lënë mbrapa një monopol të ri, koston e së cilës do ta mbartin Kompanitë e naftës, përkatësisht qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët do të paguajnë me shtrenjtë naftën.

Ministri Krasniqi e kishte autorizuar një Kompani zvicerane për shënjim/markim të naftës. Shenjëzimi/markimi i naftës do të bëhej i obligueshëm, ndërsa pritej t’i garantonte Kompanisë së autorizuar rreth 6,000,000 euro në vit, apo 30,000,000 brenda 5 vjetëve, në varësi të sasisë së naftës së importuar.

Kompania e autorizuar do të ishte e vetmja që do të bënte shënjimin/markimin e naftës në 5 vjetët e ardhshme. Këtij monopoli i ishte hapur rrugë nga Udhëzimi Administrativ 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.

Nenin 54 i këtij Udhëzimi Administrativ kishte paraparë shënjimin e karburanteve. Pika 17 e atij Neni kishte paraparë kontraktimin e një trupe për tërë territorin e Kosovës.

“MTI do të autorizojë dhe kontraktojë vetëm një (1) trupë për territorin e Republikës së Kosovës për shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës dhe të monitorimit të shënjimit – kjo me qëllim të sigurimit të uniformitetit të monitorimit të shënjimit të produkteve në tërë Republikën e Kosovës dhe të identifikimit dhe të monitorimit të të gjitha produkteve të lëngshme të naftës.” – thuhej në Pikën 17 të Nenit 54.

Të njëjtat arsyetime për shkelje thuhen edhe në pretendimet e Prokurorisë Speciale, që i ka siguruar KALLXO.com

“… Përkatësisht me Nenin 51 dhe 54 të këtij Udhëzimi Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij Akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana e Kosovës pa kosto shtesë, në pajtim me Nenin 20 (Par. 6) të Udhëzimit administrativ (MTI) Nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës – duke e kaluar këtë çështje te Operatorët Ekonomik privat, ku si rrjedhojë e kësaj, në një proces jotransperent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me Vendimin 01. Ref. Nr. 53, më 30.12.2020 kishte emëruar Kompaninë zvicerane, OE “Sicpa SA” (CHE-105.732.246) si trupë që do të kryente shënjimin dhe monitorimin e derivateve të lëngëta të naftës, ndërsa më 14.01.2021 kishte nënshkruar Kontratën me këtë OE, nga e cila është dëmtuar interesi publik në lartësi 11,235,706.31 euro – duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës, me qëllim përfitimi për Kompaninë private, si dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës e duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore.” – thuhet në Arsyetimin e Prokurorisë.

Hulumtimi i mëposhtëm i KALLXO.com i publikuar më 07.05.2021.