Rrëfimi i gazetarit që thotë se u sulmua nga ministri Endrit Shala

Ensar Ramadani, gazetar në portalin “Indeksonline”, në përditshmëri përcjell zhvillimet e sportit në Kosovë.

Mbrëmjen e së martës atij iu desh të raportojë nga vendngjarja për një plagosje.

Raportimi i tij, sipas Ramadanit, i pengoi njërit nga ministrave në detyrë të Qeverisë së Ramush Haradinaj.

Gazetari thotë se u godit me shuplakë nga ministri në detyrë i Industrisë dhe Tregtisë, Endrit Shala.

Ai ka rrëfyer për KALLXO.com se si erdhi deri te sulmi që sipas tij ndodhi para Qendrës Klinike Universitare.

“Fillimisht kam qenë në ndërrim pasdite dhe është raportu për një plagosje në Veternik. Redaksia më ka caktu me shku me raportu prej QKUK, ku i plagosuri në atë rast ka kërkuar ndihmë mjekësore. Unë jam drejtuar atje për me marrë pamje dhe me pyet për gjendjen e të plagosurit. Në atë moment kam bërë fotografi dhe pas 10 minutash ka ardhur ministri në detyrë Endrit Shala ku rezulton se është mik i të plagosurit, Ai ka dalë nga vetura dhe unë si person publik që është e kam fotografuar. Ai më ka pa dhe është drejtuar nga unë për me ma kërku telefonin me i fshi fotografitë dhe unë kam refuzuar, e kam fut telefonin në xhep dhe ai kur kam refuzuar me ia dhanë telefonin më ka goditur me shuplakë”, rrëfen Ensar Ramadani për KALLXO.com.

 

Ai tregon se prezent kanë qenë edhe dy zyrtarë policorë për të cilët gazetari thotë se nuk kanë reaguar fare.

Ramadani rrëfen se sigurimi personal i ministrit Shala e kanë larguar me dhunë nga hapësirat e Emergjencës në QKUK.

“Njëri nga policët e ka larguar atë e ka afruar te vetura nga ka dalë e njëri s’ka reagu fare, sigurimi i ministrit ka ardhur te unë dhe ka kërkuar dy tri herë me u largu dhe me dhunë më ka shty më ka largu nga ajo pjesë e spitalit dhe më pas jam drejtuar për në polici dhe e kam raportuar edhe rastin në IP për neglizhencë ndaj zyrtarëve policor”, tregon tutje ai.

Deri sa ishte në Stacionin Policor në Prishtinë, Ramadanin e kanë vizituar edhe ekipet e emergjencës për të parë gjendjen e gazetarit pas sulmit.

Ai tregon se kishte pësuar lëndime në pjesën e majtë të syrit dhe të veshit ndërsa shpjegon edhe procesin e intervistimit në polici.

“Më kanë intervistuar dhe më kanë thënë që edhe prokurori ka dhënë autorizime për me më intervistu. Deri tash s’kam informacion nëse ka shkuar rasti në prokurori apo është intervistuar ai (Endrit Shala)”, tregon tutje gazetari.

Ramadani thekson se përpjekja për të ndaluar fjalën e lirë ndikon në gjeneratat e reja që pretendojnë të merren me gazetari në të ardhmen.

“Goditja që kam marrë është kaluese por kjo është tentim me ndalë fjalën e lirë, të vërtetën edhe kjo është mesazh shumë i keq për gjeneratat e reja që dëshirojnë me u bo gazetar sepse i shohin edhe nuk ndihen të sigurt”, rrëfen tutje gazetari Ramadani.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga ana e Policisë së Kosovës lidhur me këtë rast. Të njëjtit deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Në lidhje me rastin, Besim Kelmendi, koordinator nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për trajtimin e rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve ka deklaruar për KALLXO.com se është hapur rasti rreth këtij sulmi.

Pas nisjes së hetimeve dhe hapjes së rastit, KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me Ministrin në detyrë Endrit Shala por komunikimi me të ka qenë i pamundur.