Mungon ish-ministri i MTI-së Endrit Shala, dështon seanca për aktakuzën për inspektimin e cilësisë së naftës
Ka dështuar të mbahet seanca e sotme (01.12.2025) ndaj ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi të akuzuar lidhur me rastin e inspektimit për cilësinë e naftës.
Me të filluar seanca gjyqtarja Violeta Namani-Hajra bëri të ditur se në seancë nuk prezenton i akuzuari Endrit Shala.
Për të njëjtin gjyqtarja tha se avokati tij përmes e-mailit ka njoftuar Gjykatën se i mbrojturi i tij për arsye shëndetësore nuk mund të paraqitet në seancë, dhe po ashtu bëri të ditur se përmes këtij njoftimi avokati e ka bashkangjitur edhe raportin mjekësor.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Vesel Krasniqi, avokati Artan Qerkini i propozoi Gjykatës që rasti në këtë çështje penale të veçohet në mënyrë që rasti të procedohet më shpejtë.
Sipas avokatit Qerkini, provat të cilat janë duke u adminsitruar nuk kanë të bëjnë me të akuzuarin Endrit Shala.
“Nuk plotësohet as kushti i parë as i dytë, këtu e kemi një situatë që një i pandehur siç është Endrit Shala vjen koti në seancë, provat që janë tu u administru nuk kanë lidhje me Endrit Shalën.”- tha avokati Qerkini.
Në anën tjetër lidhur me këtë propozim prokurori Shahadin Destani tha se mendimin e tyre do ta japin me shkrim.
Ndërsa Gjykata tha se pas pranimit të mendimeve të palëve do të vendosë për këtë çështje.
Kujtojmë, se pas hulumtimeve të KALLXO.com Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur Aktakuzë ndaj Endrit Shalës dhe Vesel Krasniqit për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Hulumtimi i KALLXO.com, më 15.03.2021 kishte shpërfaqur emërimin që Endrit Shala i kishte bërë Kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqës që të bënte inspektimin për cilësinë e naftës.
Shqyrtimi fillestar për këtë çështje penale është mbajtur më 27.11.2024, në të cilin të pandehurit ishin deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Violeta Namani-Hajra (kryetare e trupit gjykues), Arben Hoti e Kujtim Krasniqi (anëtarë).
Sipas Prokurorisë, Endrit Shala i ka ndihmuar kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqja, përfitim në vlerë prej mbi 732,000 euro – duke miratuar vendimin e datës 30.05.2019, me të cilin operatori ekonomik N.SH. “Euro Inspekt”, kompania e Valdet Teneqes, është emëruar si trup inspektues për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë.
“Ka nënshkruar, përkatësisht miratuar Vendimin për emërim 01. Ref. Nr.36, më 30.05.2019, me të cilin Operatori Ekonomik (OE), me emrin tregtar: N.SH. ‘Euro Inspekt’ dhe emrin e biznesit: Valdet S. Teneqja është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore. Si rrjedhojë e këtij Vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.28 euro.” – thuhet në dosjen e Prokurorisë mbi aktakuzën ndaj Endrit Shalës.
Kurse për Vesel Krasniqin, Prokuroria pretendon se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 11,000,000 euro.
Sipas Prokurorisë, Krasniqi ka iniciuar dhe zbatuar procedura ligjore për të përgatitur një udhëzim administrativ për kontrollin dhe cilësinë e naftës. Ky udhëzim sipas Prokurorisë i përmban disa nene që janë në dëm të interesit publik dhe në interes të kompanive private.
KALLXO.com kishte raportuar më 07.05.2021 se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e udhëhequr nga Vesel Krasniqi i partisë NISMA Socialdemokrate e kishte lënë mbrapa një monopol të ri, koston e së cilës do ta mbartin kompanitë e naftës, përkatësisht qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët do të paguajnë më shtrenjtë naftën.
Ministri Krasniqi e kishte autorizuar një kompani zvicerane për shënjim/markim të naftës. Shenjëzimi/markimi i naftës do të bëhej i obligueshëm, ndërsa pritej t’i garantonte kompanisë së autorizuar rreth 6,000,000 euro në vit, apo 30,000,000 brenda 5 vjetëve, në varësi të sasisë së naftës së importuar.
Kompania e autorizuar do të ishte e vetmja që do të bënte shënjimin/markimin e naftës në 5 vjetët e ardhshme. Këtij monopoli i ishte hapur rrugë nga udhëzimi administrativ 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.
Nenin 54 i këtij udhëzimi administrativ kishte paraparë shënjimin e karburanteve. Pika 17 e atij neni kishte paraparë kontraktimin e një trupe për tërë territorin e Kosovës.
“MTI do të autorizojë dhe kontraktojë vetëm një (1) trupë për territorin e Republikës së Kosovës për shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës dhe të monitorimit të shënjimit – kjo me qëllim të sigurimit të uniformitetit të monitorimit të shënjimit të produkteve në tërë Republikën e Kosovës dhe të identifikimit dhe të monitorimit të të gjitha produkteve të lëngshme të naftës.” – thuhej në pikën 17 të nenit 54.
Të njëjtat arsyetime për shkelje thuhen edhe në pretendimet e Prokurorisë Speciale që i ka siguruar KALLXO.com
“… Përkatësisht me Nenin 51 dhe 54 të këtij Udhëzimi Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij Akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana e Kosovës pa kosto shtesë, në pajtim me Nenin 20 (Par. 6) të Udhëzimit administrativ (MTI) Nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës – duke e kaluar këtë çështje te Operatorët Ekonomik privat, ku si rrjedhojë e kësaj, në një proces jotransperent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me Vendimin 01. Ref. Nr. 53, më 30.12.2020 kishte emëruar Kompaninë zvicerane, OE “Sicpa SA” (CHE-105.732.246) si trupë që do të kryente shënjimin dhe monitorimin e derivateve të lëngëta të naftës, ndërsa më 14.01.2021 kishte nënshkruar Kontratën me këtë OE, nga e cila është dëmtuar interesi publik në lartësi 11,235,706.31 euro – duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës, me qëllim përfitimi për Kompaninë private, si dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës e duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore.” – thuhet në Arsyetimin e Prokurorisë.
Hulumtimi i mëposhtëm i KALLXO.com i publikuar më 07.05.2021.