Gjykimi ndaj ish-ministrave Shala e Krasniqi për rastin e inspektimit të naftës, jep dëshmi drejtori i Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit

Gjykimi i ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi për rastin e inspektimit të naftës ka vazhduar edhe sot, më 16.09.2025, në Gjykatën e Prishtinës.

Sot është dëgjuar dëshmitari Mentor Borovci.

Mentor Borovci është drejtor i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës që nga viti 2017.

Në Gjykatë dëshmitari tregoi në pika të shkurta përgjegjësitë kryesore të cilat i ka Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit.

“Zyra Ligjore në Zyrën e Kryeministrit është njësi organizative në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e cila për mandat parësor ka përgatitjen e programit të projektligjeve, planifikimit legjislativ në bashkëpunim me ministritë, hartimin e projektligjeve, përgatitjen e planifikimit programit legjislativ në bashkëpunim me ministrinë, po kështu rol të saj ka bashkëpunimet me ministritë sa i përket përgatitjes së legjislacionit sekondar” – tha dëshmitari.

“Deshta me theksu që janë dy lloje të projektligjeve. Projektet kalojnë nëpër dy zyre të Kryeministrit edhe procedohen në kuvend, kuvendi sovran. Ndërkohë që aktet ligjore janë të dy llojta, ka qenë ligji, i propozon ministria e miratohen nga Qeveria dhe të cilat miratohen direkt nga vetë ministri” – tha tutje Borovci.

“Nga pozicioni që e mbuloni aktualisht në Zyrën Ligjore në Zyrë të Kryeministrit, a mund të na tregoni se si janë të përcaktuara kompetencat dhe përgjegjësitë e institucioneve publike me rregullimin e sektorit të produkteve të naftës në Kosovë? Kush e ka përgjegjësinë, cili institucion?” – ishte një nga pyetjet e prokurorit Milot Krasniqi.

“Fushat e përgjegjësisë administrative  të ministrive përcaktohen me rregullore për fushat e përgjigjegjësisë administrative të Zyrës së Kryemnistrit dhe ministrive. Kjo rregullore nxirret me rastin e themelimit të Qeverisë nga ana e Qeverisë, duke pasur parasysh numrin e ministrive, e cila reflektohet nga procedura kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë në Kuvend. Aq ministri që përcaktohen me vendim,
me vendimin e Kuvendit, aq fusha të përgjegjësisë përcaktohen me rregulloren e fushave të përgjegjësisë administrative” – u përgjigj dëshmitari.

Prokurori Krasniqi po ashtu e pyeti në rast se i kujtohet se për këtë draft të këtij udhëzimi administrativ (për kontrollin edhe cilësinë e naftës) nga Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit a është nxjerrë një opinion nga ana e Zyrës që e drejton.

“Në këto dokumente të cilat i ka edhe Prokuroria, i ka me veti, mund t’i referohemi me data mirëpo ka qenë shoqata e naftarëve që ia ka drejtu një kërkesë kryeministrit në atë kohë. Lidhur me këtë udhëzimin 09/2020 kryeministrit Hoti, pastaj nga kabineti i kryeministrit është kërkuar të analizojë udhëzimin në fjalë edhe nga opinoni që kemi nxjerrë kemi rekomandu që udhëzimi me u shfuqizu për shkak se e kalon bazën ligjore, specifike për naftën” – tha dëshmitari Borovci.

Dëshmitari Borovci tha se kryeministri ia kishte dërguar MTI-së, ministrit në atë kohë Vesel Krasniqi një draft-kërkesë duke kërkuar që ta bëjë shfuqzimin e udhëzimit adiminstrativ 09/2020.

E njëjta kërkesë tha ai se i ishte dërguar më 11.01.2021.

“Me hyrjen në fuqi të udhëzimit administrativ pas marrjes se sqarimit nga ana e Zyrës Ligjore, kryeministri në atë kohë i ka drejtuar kërkesën ministrit Vesel Krasniqi, kërkesën për shfuqizimin e aktit nënligjor (për udhëzimin administrative 09/20). E them këtë sepse kam qenë formulues i kësaj shkrese sepse shkresa është juridike” – tha dëshmitari Borovci.

I pyetur nga prokurori Krasniqi nëse në praktikën e punës suaj përveç këtij rasti a ka ndodhur që kryeminstri me i kërku një ministri të Qeverisë që me e shfuqizu ndonjë akt nënligjor e që ministri mos ta bëjë , dëshmitari Borovci tha se ka ndodhur që t’i kërkohet kryeministrit të shfuqizohet “e për mosbindje nuk e di”.

Pas përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës u caktua për në muajin nëntor 2025, kur do vazhdohet me marrjen në pyetje të këtij dëshmitari nga prokurori special, Milot Krasniqi.

Shqyrtimi fillestar për këtë çështje penale është mbajtur më 27.11.2024, në të cilin të pandehurit ishin deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Violeta Namani-Hajra (kryetare e trupit gjykues), Arben Hoti e Kujtim Krasniqi (anëtarë).

Kujtojmë se pas hulumtimeve të KALLXO.com, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Endrit Shalës dhe Vesel Krasniqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hulumtimi i KALLXO.commë 15.03.2021 kishte shpërfaqur emërimin që Endrit Shala i kishte bërë kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqes, që të bënte inspektimin e cilësisë së naftës.

Sipas Prokurorisë, Endrit Shala i ka ndihmuar kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqja, përfitim në vlerë prej mbi 732,000 euro – duke miratuar vendimin e datës 30.05.2019, me të cilin operatori ekonomik N.SH. “Euro Inspekt”, kompania e Valdet Teneqes, është emëruar si trup inspektues për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë.

“Ka nënshkruar, përkatësisht miratuar Vendimin për emërim 01. Ref. Nr.36, më 30.05.2019, me të cilin Operatori Ekonomik (OE), me emrin tregtar: N.SH. ‘Euro Inspekt’ dhe emrin e biznesit: Valdet S. Teneqja është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore. Si rrjedhojë e këtij Vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.28 euro.” – thuhet në dosjen e Prokurorisë mbi aktakuzën ndaj Endrit Shalës.

Kurse për Vesel Krasniqin, Prokuroria pretendon se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 11,000,000 euro.

Sipas Prokurorisë, Krasniqi ka iniciuar dhe zbatuar procedura ligjore për të përgatitur një udhëzim administrativ për kontrollin dhe cilësinë e naftës. Ky udhëzim sipas Prokurorisë i përmban disa nene që janë në dëm të interesit publik dhe në interes të kompanive private.

KALLXO.com kishte raportuar më 07.05.2021 se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e udhëhequr nga Vesel Krasniqi i partisë NISMA Socialdemokrate e kishte lënë mbrapa një monopol të ri, koston e së cilës do ta mbartin kompanitë e naftës, përkatësisht qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët do të paguajnë më shtrenjtë naftën.

Ministri Krasniqi e kishte autorizuar një kompani zvicerane për shënjim/markim të naftës. Shenjëzimi/markimi i naftës do të bëhej i obligueshëm, ndërsa pritej t’i garantonte kompanisë së autorizuar rreth 6,000,000 euro në vit, apo 30,000,000 brenda 5 vjetëve, në varësi të sasisë së naftës së importuar.

Kompania e autorizuar do të ishte e vetmja që do të bënte shënjimin/markimin e naftës në 5 vjetët e ardhshme. Këtij monopoli i ishte hapur rrugë nga udhëzimi administrativ 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.

Nenin 54 i këtij udhëzimi administrativ kishte paraparë shënjimin e karburanteve. Pika 17 e atij neni kishte paraparë kontraktimin e një trupe për tërë territorin e Kosovës.

“MTI do të autorizojë dhe kontraktojë vetëm një (1) trupë për territorin e Republikës së Kosovës për shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës dhe të monitorimit të shënjimit – kjo me qëllim të sigurimit të uniformitetit të monitorimit të shënjimit të produkteve në tërë Republikën e Kosovës dhe të identifikimit dhe të monitorimit të të gjitha produkteve të lëngshme të naftës.” – thuhej në pikën 17 të nenit 54.

Të njëjtat arsyetime për shkelje thuhen edhe në pretendimet e Prokurorisë Speciale që i ka siguruar KALLXO.com

“… Përkatësisht me Nenin 51 dhe 54 të këtij Udhëzimi Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij Akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana e Kosovës pa kosto shtesë, në pajtim me Nenin 20 (Par. 6) të Udhëzimit administrativ (MTI) Nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës – duke e kaluar këtë çështje te Operatorët Ekonomik privat, ku si rrjedhojë e kësaj, në një proces jotransperent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me Vendimin 01. Ref. Nr. 53, më 30.12.2020 kishte emëruar Kompaninë zvicerane, OE “Sicpa SA” (CHE-105.732.246) si trupë që do të kryente shënjimin dhe monitorimin e derivateve të lëngëta të naftës, ndërsa më 14.01.2021 kishte nënshkruar Kontratën me këtë OE, nga e cila është dëmtuar interesi publik në lartësi 11,235,706.31 euro – duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës, me qëllim përfitimi për Kompaninë private, si dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës e duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore.” – thuhet në Arsyetimin e Prokurorisë.

Hulumtimi i mëposhtëm i KALLXO.com i publikuar më 07.05.2021.