Arkiv: Endrit Shala
Gjykimi ndaj ish-Ministrave të MTI-së - Prokuroria thotë se do të vërtetohet se të akuzuarit e kanë shkelur Ligjin
Ish-ministri Endrit Shala dhe ish-ministri Vesel Krasniqi, të akuzuar lidhur me rastin e inspektimit për cilësinë e naftës, janë ulur përsëri në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës të mërkurën më 11.06.202, për t’u përballur me akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria Speciale.
Pas hulumtimeve të KALLXO.com Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur Aktakuzë ndaj Endrit Shalës dhe Vesel Krasniqit për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Hulumtimi i KALLXO.com, më 15.03.2021 kishte shpërfaqur emërimin që Endrit Shala i kishte bërë Kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqës që të bënte inspektimin për cilësinë e naftës.
Me pëlqimin e palëve në procedurë Aktakuza u konsiderua e lexuar dhe pas kësaj të akuzuarit u pyetën sërish rreth deklarimit të fajësisë.
Të akuzuarit Shala dhe Krasniqi u deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprat që u vihen në barrë nga organi i akuzës.
Tutje, seanca vazhdoi me paraqitjen e fjalëve hyrëse të palëve në procedurë.
Prokurori Special Milot Krasniqi gjatë fjalës së tij hyrëse tha se kjo çështje penale përbën një rast të qartë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare siç përcaktohet në Dispozitat e Ligjit penal, në të cilën janë të përfshirë dy të akuzuar gjatë kohës sa kanë qenë duke ushtruar funksionin e Ministrave në Qeverinë e Kosovës.
Tutje, prokurori Krasniqi tha se pas administrimit të provave në Shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
“Pas administrimit të provave në Shqyrtim gjyqësor pa mëdyshje do të vërtetohet se të akuzuarit veç e veç i kanë kryer veprat penale për të cilat i ngarkon Aktakuza, pasi që ka prova të mjaftueshme që agumentojnë se dy të akuzuarit në rastin konkret nuk vepruan në interes të publikut dhe se zgjodhën që ta shkelnin me dijeni Ligjin.” – tha prokurori Krasniqi.
Prokurori Krasniqi tha se në këtë çështje penale është propozuar që të dëgjohen shumë dëshmitarë, duke filluar që nga nënpunësit më të thjeshtë të Administratës shtetërore e deri te Kryeministri i cili ushtronte funksionin në kohën kur njëri prej të akuzuarve ishte Ministër.
Prokurori Krasniqi tha tutje se në fund të Shqyrtimit gjyqësor dhe në pajtim me gjendjen faktike të vërtetuar Prokuroria do të kërkojë që të pandehurit të shpallen fajtor dhe që të sanksionohen sipas Ligjit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Vesel Krasniqi, avokati Artan Qerkini në fjalën e tij hyrëse tha se nuk do të vërtetohet baza faktike dhe as ajo juridike për pretendimet e Prokurorisë në raport me të mbrojturin e tij.
“Nuk do të vërtetohet as baza faktike dhe as ajo juridike për pretendimet e Prokurorisë Speciale, të shprehura në Dispozitvin e Aktakuzës në raport me të mbrojturin tim Vesel Krasniqi.” – tha avokati Qerkini.
Tutje, avokati Artan Qerkini tha se për veprimet për të cilat po akuzohet i mbrojturi i tij ai mbrohet me imunitet kushtetues.
Avokati Qerkini tha se në vijim të kësaj procedure do të vërtetohet se nuk ka pasur tejkalim të kompetencave dhe nuk ka pasur dëm të qëllimshëm ndaj interesit publik.
Mbrojtësi i të akuzuarit Endrit Shala, avokati Besnik Berisha në fjalën e tij hyrëse tha se kjo çështje është skandal demokracie që cenon parimet e sigurisë juridike.
“Çështja që keni para vetes në raport me Endrit Shalën është një skandal demokracie, që cenon parimet e sigurisë juridike. Për bindjen tonë me të vetmin qëllim: statistika për emra të përveçëm, por jo shkelje Ligji për të cilën paguhet secili zyrtar publik; në veçanti ata që mandat e kanë hetimin objektiv të pavarur, të pandikuar dhe në përputhje eksulzivisht me Ligjin.” – tha avokati Berisha.
Tutje, avokati Berisha tha se i mbrojturi i tij për nga karriera i ka shërbyer interesit publik ndër vite dhe ka kontribuar në subjekte politike të ndryshme, por asnjëherë nuk ka rënë ndesh me Ligjin dhe do të provohet se as në rastin konkret i njëjti nuk ka rënë ndesh me Ligjin.
Avokati Berisha ndër të tjera tha se Vendimi i të mbrojturit të tij nuk ishte, nuk do të jetë kurrë i kundërligjshëm dhe ligjshmërinë e tij nuk e ka kontestuar askush as në Prokurori.
Gjatë dhënies së fjalës hyrëse nga avokati Berisha, kryetarja e Trupit Gjykues Violeta Namani-Hajra njoftoi palët se seanca e sotme, më 11.06.2025, duhet të ndërprehet për shkak se anëtari i Trupit Gjykues Arben Hoti, i cili është Kryetar i Trupit Gjykues në rastin “Banjska” ka seancë të planifikuar për atë rast, në Sesionin e paradites.
Shqyrtimi fillestar për këtë çështje penale është mbajtur më 27.11.2024, në të cilën të pandehurit ishin deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.
Trupi Gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Violeta Namani-Hajra (Kryetare e Trupit Gjykues), Arben Hoti e Kujtim Krasniqi (anëtarë).
Kujtojmë se pas hulumtimeve të KALLXO.com Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur Aktakuzë ndaj Endrit Shalës dhe Vesel Krasniqit për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Hulumtimi i KALLXO.com, më 15.03.2021 kishte shpërfaqur emërimin që Endrit Shala i kishte bërë Kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqës që të bënte inspektimin për cilësinë e naftës.
Sipas Prokurorisë Endrit Shala i ka ndihmuar Kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqja përfitim në vlerë prej mbi 732,000 euro – duke miratuar Vendimin e datës 30.05.2019, me të cilin Operatorit Ekonomik N.SH. “Euro Inspekt”, Operatori Ekonomik i Valdet Teneqës është emëruar si trup inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë.
“Ka nënshkruar, përkatësisht miratuar Vendimin për emërim 01. Ref. Nr.36, më 30.05.2019, me të cilin Operatori Ekonomik (OE), me emrin tregtar: N.SH. “Euro Inspekt” dhe emrin e biznesit: Valdet S. Teneqja është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore. Si rrjedhojë e këtij Vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.28 euro.” – thuhet në Dosjen e Prokurorisë mbi Aktakuzën ndaj Endrit Shalës.
Kurse për Vesel Krasniqin Prokuroria pretendon se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 11,000,000 euro.
Sipas Prokurorisë Krasniqi ka inicuar dhe zbatuar procedura ligjore për të përgatitur një Udhëzim Administrativ për kontrollin dhe cilësinë e naftës. Ky Udhëzim sipas Prokurorisë i përmban disa Nene që janë në dëm të interesit publik dhe në interes të Kompanive private.
KALLXO.com kishte raportuar më 07.05.2021 se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e udhëhequr nga Vesel Krasniqi i partisë NISMA Socialdemokrate e kishte lënë mbrapa një monopol të ri, koston e së cilës do ta mbartin Kompanitë e naftës, përkatësisht qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët do të paguajnë me shtrenjtë naftën.
Ministri Krasniqi e kishte autorizuar një Kompani zvicerane për shënjim/markim të naftës. Shenjëzimi/markimi i naftës do të bëhej i obligueshëm, ndërsa pritej t’i garantonte Kompanisë së autorizuar rreth 6,000,000 euro në vit, apo 30,000,000 brenda 5 vjetëve, në varësi të sasisë së naftës së importuar.
Kompania e autorizuar do të ishte e vetmja që do të bënte shënjimin/markimin e naftës në 5 vjetët e ardhshme. Këtij monopoli i ishte hapur rrugë nga Udhëzimi Administrativ 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.
Nenin 54 i këtij Udhëzimi Administrativ kishte paraparë shënjimin e karburanteve. Pika 17 e atij Neni kishte paraparë kontraktimin e një trupe për tërë territorin e Kosovës.
“MTI do të autorizojë dhe kontraktojë vetëm një (1) trupë për territorin e Republikës së Kosovës për shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës dhe të monitorimit të shënjimit – kjo me qëllim të sigurimit të uniformitetit të monitorimit të shënjimit të produkteve në tërë Republikën e Kosovës dhe të identifikimit dhe të monitorimit të të gjitha produkteve të lëngshme të naftës.” – thuhej në Pikën 17 të Nenit 54.
Të njëjtat arsyetime për shkelje thuhen edhe në pretendimet e Prokurorisë Speciale, që i ka siguruar KALLXO.com
“… Përkatësisht me Nenin 51 dhe 54 të këtij Udhëzimi Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij Akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana e Kosovës pa kosto shtesë, në pajtim me Nenin 20 (Par. 6) të Udhëzimit administrativ (MTI) Nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës – duke e kaluar këtë çështje te Operatorët Ekonomik privat, ku si rrjedhojë e kësaj, në një proces jotransperent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me Vendimin 01. Ref. Nr. 53, më 30.12.2020 kishte emëruar Kompaninë zvicerane, OE “Sicpa SA” (CHE-105.732.246) si trupë që do të kryente shënjimin dhe monitorimin e derivateve të lëngëta të naftës, ndërsa më 14.01.2021 kishte nënshkruar Kontratën me këtë OE, nga e cila është dëmtuar interesi publik në lartësi 11,235,706.31 euro – duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës, me qëllim përfitimi për Kompaninë private, si dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës e duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore.” – thuhet në Arsyetimin e Prokurorisë.
Hulumtimi i mëposhtëm i KALLXO.com i publikuar më 07.05.2021.